Merkato, Tirana nuk heq dorë nga Sefa. Vetë mesfushori po pret oferta nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2013 | 13:59

Merkato, Tirana nuk heq dorë nga Sefa. Vetë mesfushori po pret oferta nga Skënderbeu

Sefa-JetmirTirana nuk heq dorë nga Jetmir Sefa. Bardheblutë synojnë afrimin e mesfushorit në kryeqytet dhe për këtë vazhdojnë bisedimet. Por, gjithçka vendoset në Korçë. Futbollisti, i cili ka qenë i huazuar për dy ndeshjet e para të Champions Ligës me Skënderbeun, ka shprehur hapur dëshirën për të firmosur me bardhekuqtë. Ndaj, vetëm pasi të mbyllet kjo pistë, drejtuesit e klubit kryeqytetas do të mund të kenë më shumë kredite për transferimin e këtij lojtari te Tirana. Sefa preferohet prej trajnerit Nevil Dede, i cili e ka shprehur publikisht një gjë të tillë. Emri i tij ndodhet edhe në listën e të dëshiruarve të teknikut, të cilën e ka dorëzuar prej kohësh tek administratori i klubit, Krenar Alimehmeti. Mirëpo, përpos preferencave të bardhebluve, fillimisht pritet që të vendoset nëse lojtari do të marrë apo jo një ftesë prej presidentit Ardjan Takaj për të qëndruar në Korçë. Nëse i vjen kjo ofertë, atëherë po, Tirana mund të heqë dorë zyrtarisht prej tij.
Mesfushori Jetmir Sefa nuk është një emër i panjohur për bardheblutë, pasi ai e ka veshur edhe më parë fanellën e Tiranës, ndaj një rikthim i tij në shtëpi do të ishte plotësisht i mundshëm. Mesfushori tiranas prej kohësh është kërkuar nga stafi teknik i 24 herë kampionëve të vendit, madje ka pasur edhe tratativa. Por, më pas gjithçka ka mbetur pezull, pasi lojtari u huazua në Korçë për takimet e Ligës së Kampioneve. Megjithatë, sikundër dihet, fillimisht pritet që të mbyllen edhe këto ndeshje për korçarët në Europë dhe më pas të zbardhen shumë detaje rreth merkatos, apo ndonjë marrëveshje e mundshme. Sefa sezonin e fundit e mbylli në Ballsh me Bylisin, ku ishte titullar i padiskutueshëm. Madje, ai ka bërë më së miri edhe rolin e sulmuesit, teksa ka shënuar edhe dy gola, i fundit ishte pikërisht ndaj Tiranës në javën e fundit. Megjithatë, se çfarë do të ndodhë dhe a do arrihet që të hidhet firma mbi kontratë mes palëve, gjithçka mbetet për t’u parë. Zgjedhja e parë e lojtarit mbetet Skënderbeu, në të kundërt, shanset për të kaluar te bardheblutë shtohen ndjeshëm.

Vijon stërvitja, sot test me Teutën
Tirana ka vijuar përgatitjet edhe dje, ndërsa me një seancë skuadra mori ngarkesën e plotë prej stafit teknik. Stërvitja ishte e larmishme dhe u karakterizua nga ushtrimet e shumta, vrapi, streçingu, si dhe disa lojëra me topin, ndërsa nuk solli asnjë risi në kontingjent, por kjo nuk i pengoi bardheblutë që të punonin me përkushtim. Paraditja iu la pushim, ndërsa pasdite vijuan si zakonisht me programin stërvitor. Sakaq, sot ekipi do të niset drejt Durrësit. Në orën 16:00 ekipi do udhëtojë drejt qytetit bregdetar, duke qenë se ndeshja e planifikuar që para një jave, do të luhet në orën 18:00 në “Niko Dovana”.

Firmos edhe Çaço, priten të tjerët
Ervis Çaço mund të quhet zyrtarisht futbollist i Tiranës. Edhe pse kishte kohë që pat arritur akordin me bardheblutë, ai nuk kishte nënshkruar marrëveshjen. Mirëpo, firma nuk vonoi, pasi lojtari kishte arritur akordin me klubin dhe hodhi të zezën mbi të bardhë. Sakaq, pritet se çfarë do të ndodhë me Kukën, Lapardhajën, Tafajn, Dh.Strakoshës dhe Sorrën. Nga ana tjetër, pritet edhe firma e Olsi Teqjes. Lojtari ka arritur një akord verbal me drejtuesit, por ende nuk është zyrtarizuar. Kujtojmë që mbrojtësi, pa u hapur merkatoja, ishte listuar në preferencat e stafit teknik dhe duket se një prej dëshirave të teknikut është drejt realizimit.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"