Menaxheri i Veselit: De Biazi trajner i madh, i takon një klub elitar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2016 | 0:20

Menaxheri i Veselit: De Biazi trajner i madh, i takon një klub elitar

Në pesë ndeshje prejse Frederik Veseli ka luajtur si titullar, Empoli ka fituar një, humbur po një dhe barazuar tri, duke pësuar vetëm dy gola. Falë paraqitjeve të mira, 24-vjeçari (i mbush më 20 nëntor) e ka fituar tashmë vendin e titullarit në të djathtë të mbrojtjes.

Veselit iu desh të priste rreth një muaj e gjysmë që të mund të aktivizohej në Serinë A, pas bllokimit që kishte vendosur Lugano. Megjithatë, për agjentin e lojtarit, Aleksandër Garini, pikërisht klubit zviceran i takojnë meritat për promovimin e mbrojtësit në nivelet e larta të futbollit.

Veseli-Empoli 2

“Frederiku është vërtet shumë i kënaqur për mënyrën si po i shkojnë gjërat, për periudhën që po kalon, për besimin që po i jepet si dhe për rezultatet që po arrin. Si lojtari ashtu edhe unë si menaxher i tij falënderojmë presidentin e Luganis, Anxhelo Renceti, për mirëkuptimin, disponueshmërinë dhe burrërinë që tregoi duke e lënë të lirë. Të gjitha problemet e vogla që patëm gjatë verës u zgjidhën me lehtësi falë një dialogu të thjeshtë”, është shprehur Garini për mediat italiane.

Agjenti italian nuk i kursen fjalët e ëmbla edhe për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. “Shqipëria mund të bazohet te një trajner vërtet i përgatitur si De Biazi. Për mendimin tim, ai mund të stërvitë qoftë një kombëtare të madhe, qoftë një klub elitar”, vijoi menaxheri.

Me merkaton e janarit në dritare, Garini foli edhe për të ardhmen e Veselit: “Në verë firmosi për dy vjet me Empolin, ndaj është herët të flasim për merkato. Por natyrisht që, nëse vazhdon kështu, për të mund të interesohen klube të ndryshme. Pas rifillimit të kampionatit, për shembull, është derbi me Fiorentinën, dhe nuk do të qe keq sikur të shënonte një gol në ditëlindjen e 24-t…”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"