“Më shërbeu humbja me Skënderbeun”, Çela: Durim, erdhën 16… të rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2023 | 20:16

“Më shërbeu humbja me Skënderbeun”, Çela: Durim, erdhën 16… të rinj

Emiljano Çelën e kënaq faza përgatitore e zhvilluar në Korçë. Përgjatë dy javëve stërvitore, por edhe nga miqësoret ka marrë përgjigje pozitive nga skuadra.

359707512_792710965847643_242220478228394905_n

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Çela falënderon klubin për kushtet e krijuara, duke theksuar se mikpritjen në Vlorë do ta përkthejë në maksimum në punë. I pyetur nëse do të ketë ndonjë surprizë të fundit, trajneri thotë se për të dubluar pozicionet me elementë cilësorë po punojnë drejtuesit. Çela falënderon edhe Vasil Rucin për vlerësimet, me të cilin në sezonin 2005-2006 fitoi me Flamurtarin kupën e Kategorisë së Parë.

Çela, përfunduat fazën përgatitore dyjavore në Korçë dhe sot (dje) rifilloni në Vlorë. Jeni i kënaqur?

Po, patjetër që jam shumë i kënaqur. Gjej rastin të falënderoj klubin për mundësimin e kësaj faze. Ishte shumë e vlefshme për ne për shumë arsye.

Keni marrë sinjalet e duhura nga miqësoret e zhvilluara?

Zhvilluam ndeshje miqësore në Korçë. Patjetër që jemi në këtë periudhë adoptimi, sepse të mos harrojmë që na kanë ardhur 16 lojtarë të rinj dhe duan kohën e vet të lidhen qoftë me njëritjetrin, por edhe me ambientin dhe mënyrën time të punës, por edhe të lojës. Edhe ndeshja me Skënderbeun që u humb më vlejti, sepse isha kureshtar ta shikoja ekipin në disavantazh. E vërteta është që nuk na kishte ndodhur të pësonim në këto 5 miqësore të zhvilluara. Ekipi më pëlqeu, reagoi me raste e lojë dhe asnjëherë nuk u çekuilibruam, pavarësisht rezultatit.

Merkatoja është e mbyllur apo do të kemi ndonjë surprizë të fundit?

Me përforcimet tashmë po merret klubi. Ka staf drejtues që i shohin me kujdes të gjitha pozicionet që duan dublim apo edhe më shumë cilësi. Unë jam i fokusuar tashmë te puna dhe te grupi që kam në dispozicion dhe të kërkoj të marr më të mirën e gjithsecilit.

Keni një koment për kalendarin, pasi tashmë jeni njohur me përballjet?

Finalja e parë për ne është me Luzin. Kjo ka rëndësi.

Vasil Ruci, në një deklaratë të fundit për gazetën, ju cilësoi trim dhe uroi që me trimëri të ngjisni Flamurtarin. Keni diçka për të thënë?

Me profesorin kam punuar në sezonin 2005-2006 kur u shpallëm kampionë të Kategorisë së Parë me Flamurtarin. Vasil Rucin e falënderoj për fjalët dhe inkurajimin. Në përgjithësi ambienti ka qenë i mirë dhe mikpritës për mua këtu në Vlorë gjë që më jep një shtysë të madhe dhe besim se do të bëjmë mirë këtë vit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"