“Me këtë kampionat s’ka siguri”, Gvozdenoviç: Respekt për profesor Josën, në Laç shkojmë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 9:35

“Me këtë kampionat s’ka siguri”, Gvozdenoviç: Respekt për profesor Josën, në Laç shkojmë për…

Pas fitores në shtëpi me Partizanin, Skënderbeu luan sot në transfertë kundër Laçit në orën 13:00. Kjo ndeshje ka një shkallë të lartë vështirësie për korçarët, që në këtë kampionat janë mundur dy herë nga kurbinasit, si brenda dhe jashtë fushës. Trajneri Ivan Gvozdenoviç pret një duel të vështirë në stadiumin e Kurbinit, ndërsa i bën llogaritë pa katër lojtarë: Frenklin, Uçe, Pecani dhe Janaqi. Këta të fundit nuk do të jenë të gatshëm për shkak dëmtimesh dhe kartonësh. Gvozdenoviç pranon se nuk ka asnjë siguri me atë që po ndodh këtë kampionat, prandaj dhe Skënderbeu i tij duhet të jetë i kujdesshëm deri në fund. Kreu i pankinës korçare beson se sot do të marrin pikë, duke lënë pas statistikat negative kundër skuadrës së Mirel Josës.

gvozdenovic

Ivan, pas fitores kundër Partizanit, si është situata në ekip në prag të ndeshjes me Laçin?

Normalisht që tani situata është e mirë. Vijmë nga një fitore shumë e rëndësishme, që na rrit moralin, por kemi lënë pas këtë takim dhe jemi të përqendruar te ndeshja me Laçin. Ekipin e kam parë të qetë dhe mbi të gjitha të përqendruar njësoj si në ndeshjen e fundit. Jemi me katër mungesa dhe kjo na kushtëzon disi, por që po punojmë dhe po shohim të gjitha mundësitë që kemi për të ndërtuar ekipin, në mënyrë që të përballojmë si duhet Laçin. Por, unë vijoj të them që lojtarët i kemi gati për çdo ndeshje dhe e shoh një ekip të motivuar.

Sa e vështirë është kjo ndeshje në transfertë, kundër një kundërshtari që keni humbur në dy fazat e para?

Çdo javë është e vështirë në këtë kampionat. Ishte e tillë përballë Partizanit dhe do të jetë po kaq e vështirë me Laçin, e më pas me Kukësin apo me çdo skuadër tjetër që do të luajmë. Ky kampionat është shumë i fortë dhe do të jetë i tillë deri në javën e fundit. Me Laçin është vështirësi e shtuar e transfertës. Unë kam shumë respekt për kundërshtarin dhe për profesor Mirel Josën. Por, do të shkojmë atje për të menduar vetëm për të luajtur mirë dhe fituar. Më pas të shohim se çfarë do të prodhojë kjo ndeshje.

Nxënësi kundër mësuesit, a keni ende emocione?

Emocione jo, pasi jam përballur dy herë me Josën, por respekt kam pa fund. Është një trajner shumë i mirë, me të cilin kam kujtime të bukura dhe kam fituar shumë tek Skënderbeu.

Është kjo një ndeshje revanshi për Skënderbeun?

Unë statistikat nuk i kam shumë qejf, por Laçi dhe Vllaznia janë dy ekipet që ne nuk kemi mundur të marrim asnjë pikë këtë sezon. Nëse i referohemi statistikave, janë ata të favorizuar. Por, do të shkojmë atje për të treguar më të mirën tonë dhe me besim se historia do të ndryshojë. Kam besim tek aftësitë e ekipit tim. Jemi Skënderbeu dhe do të shkojmë atje për të dhënë më të mirën.

Tani që keni një distancë pikësh nga fundi, jeni më të qetë?

Nuk besoj. Kemi një distancë nga Kukësi, por Erzeni, Teuta dhe Laçi janë afër nesh. Në këtë kampionat nuk mund të kesh siguri, pasi gjithçka ndryshon shumë shpejt. Mbeten edhe 12 javë dhe do të mundohemi që të jemi të përqendruar deri në fund. Të bëjmë mirë llogaritë dhe të shohim gjithmonë ndeshje pas ndeshje.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"