“Më i dobëti që kam parë në arbitrim”, Luka Modriç gjen armikun Daniele Orsato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 15:25

“Më i dobëti që kam parë në arbitrim”, Luka Modriç gjen armikun Daniele Orsato

Pas barazimit spektakolar 3-3 në çerekfinalen e vajtjes, luajtur në “Santiago Bernabeu”, Mançester Siti dhe Reali i Madridit do të mësojnë se kush do të jetë gjysmëfinaliste e këtij edicioni të Ligës së Kampioneve, nesër në mbrëmje (17 prill), në stadiumin “Etihad”. Nëse kampionët në fuqi të Champions-it ndihen favorit, duke qenë se luajnë përballë tifozërisë së tyre, për Realin e Madridit shtohet edhe një “pengesë” më shumë.

bandicam 2024-04-16 15-20-11-161

Për këtë finale të parakohshme, UEFA ka caktuar Daniele Orsaton dhe trupën e tij të gjithë italiane për të mbajtur përgjegjësitë e duelit, ndonëse një zgjedhje e tillë ndoshta nuk gëzon pa masë spanjollët. Arsyeja e parë është se 8 duele që Orsato ka drejtuar Realin e Madridit ka parë që të fitojë 4 herë (2015-2016 8-0 ndaj Malmos, në 2019-2020 kundër Gallatasarajit 1-0, fitore 3-1 ndaj Mançester Sitit në gjysmëfinale të Champions-it në “Bernabeu” dhe e fundit 0- 2 ndaj Çelsit në Londër) dhe të humbë gjithashtu 4 (1-2 ndaj Sitit sezonin e kaluar, në gjysmëfinale kundër Çelsit 2-0 në sezonin 2020-21, disfata në Paris kundër PSG-së 1-0 në sezonin 2021-22 si dhe rënia në fazën e grupeve në 2022-2023 3-2 ndaj Lajpcigut.

Siç tregojnë edhe precedentët më lart, për “bilbilin” italian kjo mes Sitit dhe Realit do të jetë e treta herë, me bilancin sërish në barazpeshë, por ajo që frikëson është se mos ndoshta Orsato nuk i ka harruar fjalët e ashpra të Luka Modriçit në Botërorin e fundit. Në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, Kroacia humbi 3-0 ndaj Argjentinës, në fund të së cilës, fantazisti veteran i Realit shpërtheu në mënyrë shumë të egër: “Zakonisht nuk flas për arbitrat, por sot është e pamundur të mos e bëj. Ky ishte një nga gjykimet më të këqija që mbaj mend në jetën time. Orsato ishte një katastrofë, arbitri më i dobët që kam parë. Ne po e kontrollonim mirë ndeshjen kur erdhi episodi kyç.

Kishte një goditje këndi për ne që nuk u akordua, por më pas ndodh dhe vërshëllen një penallti ku ishte Alvarez ai që kërkoi kontaktin me portierin tonë Livakoviç dhe jo e kundërta. Shkurt ishte ai që na dënoi dhe realisht nuk kam parë gjykim dhe arbitër më të dobët”. Por fati ja ku i vë sërish përballë, ndonëse të mërkurën në “Etihad” Modriç me shumë mundësi do të jetë në stolin e Realit, i gatshëm nëse do të duhet ndihma e tij. Ndaj, kjo do të jetë edhe një arsye më shumë për të ndjekur duelin e mbrëmjes së nesërme në Mançester.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"