Mbushet “kupa”, Halili tjetër mbledhje me ekipin pas derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2018 | 22:55

Mbushet “kupa”, Halili tjetër mbledhje me ekipin pas derbit

Tirana është në krizë! Gjithkush që e ka ndjekur skuadrën bardheblu, e pranon me zë të lartë se Tirana është duke kaluar një periudhë të errët. Shkaqet dhe faktorët mund të kërkojnë një analizë të hollësishme, por momenti kur kampionati është në zhvillim e sipër, nuk mundëson diçka të tillë.

Mirëpo, fakti që u shtua e 15-ta ndeshje derbi pa fitore, ka bërë që vetë presidenti i klubit të afrohet me skuadrën. Dje, Tirana ka bërë një mbledhje me praninë e tij.

muka halil

MBLEDHJA

Në dhomat e zhveshjes të kompleksit “Skënder Halili”, Tirana ka zhvilluar për rreth 20 minuta një analizë. Gabimet e shumta të përsëritura nga java në javë, janë edhe më të rënda kur ndodhin në një përballje me rivalët e Partizanit. Kjo ka bërë që toni i kritikave të jetë edhe më i lartë. Shkaku është i kuptueshëm, teksa skuadra e ka mbushur “kupën” me gabime dhe hapa fals. Prej tetë takimesh nuk ka asnjë fitore dhe thuajse çdo gol i pësuar, vjen për gabime vetjake dhe jo prej forcës së kundërshtarëve. Në këto kushte, Tirana ka një lloj ultimatumi për të nisur serinë e rezultateve pozitive. Kjo, edhe për shkak se në rast të një tjetër disfate, kryeqytetasit do parakaloheshin nga Kastrioti, çka do e rëndonte akoma më shumë situatën.

MOTIVIMI

Zgjidhja nuk duket dhe Tirana nuk po shmang dot gabimet. Si për të bërë edhe mikun e lojtarëve, numri një i bardhebluve po iu qëndron më pranë se kurrë futbollistëve. Shfaqja e djeshme në ambientet stërvitore nuk është tjetër veçse mbështetje dhe motivim për gjithkënd që është pjesë e 24 herë kampionëve për t’u bërë bashkë dhe për të hedhur sa më shpejt pas krahëve serinë e gabimeve dhe rezultateve negative. Analiza ka qenë e shkurtër dhe jo e detajuar faktikisht teksa kreu i klubit ka dashur të bëjë më së shumti një bisedë me skuadrën për të kuptuar edhe shqetësimet dhe faktorët që kanë sjellë këtë situatë. Nuk përjashtohet një analizë taktike dhe teknike me trajnerin, përpara se të futen në përballjen me Kastriotin.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"