Mbrojtësi beson te ngjitja, Imami: S’e di pse më hoqën nga Flamurtari, Vora si… Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2024 | 21:04

Mbrojtësi beson te ngjitja, Imami: S’e di pse më hoqën nga Flamurtari, Vora si… Egnatia

Vora nuk ka hequr dorë nga elita. Edhe pse janë larg vendeve të ngjitjes, në klub i kanë vendosur një qëllim vetes dhe duan që ta realizojnë me çdo kusht. Është ky shkaku që nuk po kursehen as në merkato, duke afruar edhe emra të rëndësishëm. I tillë është padiskutim edhe Eni Imami, që në CV-në e tij ka ekipe si Dinamo, Kukësi, Skënderbeu, Vllaznia, Tirana dhe Flamurtari.

IMAMI VORA

Mbrojtësi akoma nuk e ka të qartë se përse e hoqën vlonjatët, por kësaj historie dëshiron që t’i vendosë “kapak”. Tashmë është i përqendruar te aventura e re dhe planet i ka të mëdha. Ato i rrëfen që të gjitha, në një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

U bënë gati dy javë te Vora, si ndiheni?

Më duket një ambient shumë familjar, sikur kam luajtur më parë. Kam gjetur një ambient shumë të qetë dhe dashamirës të rrethuar nga njerëz që e duan futbollin.

Riktheheni në kryeqytet, por në një ekip të ri…

Besoj që të gjithë futbollistët duan të jenë sa më afër shtëpisë. Por ky është një sport që kërkon edhe sakrifica. Për fat të mirë, Vora është në kryeqytetas dhe një ekip në zhvillim e sipër. Kështu që, kënaqësia është e dyfishtë.

Për një lojtar Superioreje, është e lehtë përshtatja në Kategorinë e Parë?

Nuk ka asnjë vështirësi. Pse do të thoni ju? Sepse në fund të fundit unë isha te Flamurtari, emri i të cilit nuk ka nevojë për shumë fjalë. Më mungonte pastaj në CV-në tim. Luajta sa luajta atje dhe tani jam te Vora, kur kam sfidë me veten.

Çfarë sfide?

Këtë skuadër unë e shoh si një Egnatia të re në Kategorinë e Parë. Unë dua të luaj sa më gjatë këtu, pasi projekti është mjaft ambicioz dhe serioz. Të gjitha vijnë nga zotësia e një presidenti që është kërkues me synime dhe objektiv të qartë. Këtu të gjithë, edhe njerëzit që e rrethojnë atë janë përditë në fushën stërvitore. Për gati dy orë qëndrojnë pranë nesh edhe gjatë stërvitjeve.

Meqenëse përmendët Flamurtarit, e zbuluat arsyen pse iu larguan?

Unë edhe sot e kësaj dite nuk e di arsyen. Por për mua që nga ky çast ka nisur një cikël i ri. Përplasje nuk kam pasur me asnjë, mund të them “zero”. Madje e ndjeja që më donin e më respektonin të gjithë. Edhe kur jam takuar ditën e fundit me presidentin Sinan Idrizi, i kam ende në kokë fjalët e tij. Ishte dashamirës. Por gjithsesi jeta vazhdon, tani jam te Vora dhe jam tërësisht i përkushtuar për të bërë mirë ndaj këtij klubi dhe të fitoj respektin e dashurinë e presidentit, shokëve të ekipit dhe të gjithë atyre tifozëve e njerëzve që lënë punët e veta për të ndjekur Vorën.

Si ju duket ambienti?

Jam me të vërtetë shumë i kënaqur. E theksova edhe më lart, gjeta një ambient të qetë dhe dashamirës pa ato llafet, “ky më tha këtë dhe kështu më tha ai..”. Ambient pa thashethemet që jemi mësuar të shohim në futbollin shqiptar.

Çfarë synoni të arrini te Vora?

Te Vora kërkoj të arrij Superioren dhe shtoj jetëgjatësinë time në futboll. Pavarësisht moshës, unë kam akoma për t’i dhënë këtij sporti dhe sigurisht ekipit tim të ri. Mendoj se kam bërë zgjedhjen perfekte. Nuk më intereson se është ekip i ri, por shikoj ambientet ku luaj dhe stërvitem. Shikoj ambiciet e një njeriu që brenda dy viteve ndërtoi stadiumin dhe një skuadër me standarde elitare ku plotësohen të gjitha kërkesat. Dhe kjo besoj se do të thotë shumë. Madje edhe opinioni publik mendon po kështu si unë. Vora me Imamin apo pa Imamin, do bëhet Egnatia e re. Ritheksoj, se unë do bëj më të mirën që këtu të jem për aq vite sa unë do ta kem fat të luaj futboll.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"