Mbledhje te Skënderbeu, Ahmataj i prerë me lojtarët e tij. Ja çfarë ndodhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2020 | 15:48

Mbledhje te Skënderbeu, Ahmataj i prerë me lojtarët e tij. Ja çfarë ndodhi

Skënderbeu duket se ka kaluar periudhën e emergjencës së dëmtimeve dhe tashmë është gati për t’u përballur me Laçin. Pas disa javësh me mungesa të shumta, aq sa Julian Ahmataj e ka pasur të vështirë të ndërtojë formacionin, korçarët rikthehen të plotë për të marrë maksimumin në këtë takim. 

Ahmataj

Duke filluar nga prapavija, aty ku duket se Bicaj dhe Qaqi do të jenë sërish binomi i qendrës së mbrojtjes, si dhe me Vitijan që do të kalojë në të djathtë, pasi Meksi është ende jashtë grupit për shkak të virusit COVID-19. Pas dy javësh mungesë në mesin e fushës pritet që të bashkohet vlonjati Rrapaj, i cili ka pasur probleme fizike dhe nuk ka qenë në formën më të mirë. Së bashku me Rrapajn, në dispozicion të trajnerit është plotësisht edhe Randi Xhunfo, i cili pas paraqitjeve të mira në javët e para ishte një mungesë e rëndësishme për Skënderbeun për shkak të dëmtimit. Rikthimi i Randit duket se shton alternativat në mesin e fushës, atje ku Mara dhe Taipi do të luajnë për një vend si titullari. Në majën e sulmit mungesa e Alfred Mensah do të ndërlikojë sërish gjërat për Ahmatajn, që duket se do të zgjedhë të luajë me Armah nga minuta e parë.

ANALIZA – Pasi analizuan me qetësi ndeshjen ndaj Partizanit dhe gabimet e bëra në atë takim, dje trajneri bardhekuq ka qenë i prerë me të tijtë në dhomat e zhveshjes. Numri një i pankinës ka analizuar rivalin e radhës, Laçin, duke kërkuar nga ekipi përqendrim maksimal dhe mbi të gjitha vlerësim të fanellës që mbajnë veshur. Ahmataj i është drejtuar skuadrës se kjo ndeshje ka vetëm një rrugë për të shmangur të tjera pështjellime të situatës.

Ahmataj Skenderbeu

Pra, ekipi të bëjë më të mirën e mundshme. Duke u nisur nga dy humbjet radhazi në kampionat dhe mbi të gjitha nga fakti që në Korçë Skënderbeu nuk ka marrë ende pikët e para, nesër do të kërkohet patjetër fitorja. Për këtë, Ahmataj ka qenë i prerë me futbollistët, duke hedhur fitoren si alternativë të vetme të këtij takimi. Një gjë e tillë vjen si detyrim edhe në kushtet kur skuadra është më e plotë. Për numrin një të pankinës, nuk ka asnjë çështje morali apo ngërçi psikologjik për Skënderbeun, por ekipi duhet të reagojë sa më shpejt për të dalë nga kjo situatë humbjesh. Në fund të mbledhjes, Ahmataj u ka kujtuar të vetëve se mbajnë të veshur një fanellë të rëndë dhe duhet ta justifikojnë besimin e dhënë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"