Mbledhja e tensionuar, Kukësi kërcënon me gjyq “Panorama Sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 14:29

Mbledhja e tensionuar, Kukësi kërcënon me gjyq “Panorama Sport”

Kukësi kërcënon me gjyq gazetën “Panorama Sport”. Klubi kuksian ka njoftuar dje, në faqen e vet zyrtare në internet, çeljen e një padie në adresë të gazetës në lidhje me shkrimin e publikuar më datën 5 dhjetor. Në njoftimin e publikuar nga Kukësi duket qartë që klubi interesohet më shumë për të gjetur “spiunin” se sa vërtetësinë e asaj që është pasqyruar në shkrim.

gjici kukesi

NJOFTIMI – “FK Kukësi hedh në gjyq gazetën e përditshme sportive ‘Panorama Sport’, duke i kërkuar të vërtetojë saktësinë ose burimin e informacionit të botuar në këtë gazetë në faqen on-line më datë 04.12.2017 dhe më pas edhe në atë të botuar në formë kryeartikulli me titull, ‘Fitoni 3 ndeshje ose m’u zhdukni nga sytë, zbardhet mbledhja e acaruar te Kukësi’. Në shkrim ka një ‘referim të dialogëve’ mes presidentit dhe anëtarëve të stafit, të cilin ne e konsiderojmë të pavërtetë.

panorama-kukesi

Objekti i kësaj padie është: Detyrimi i të Paditurit të Publikojë Përgënjeshtrimin ndaj shkrimeve shpifëse ndaj paditësit; Detyrimi i të Paditurit të mos japë asnjë deklaratë me shkrim apo komente ndaj nesh, të cilat në mënyre direkte apo indirekte mund të dëmtojnë klubin tonë; Detyrimi i të Paditurit për të shpërblyer dëmin jo pasuror. Kjo padi gjen mbështetjen juridike në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile.

Theksojmë se ato që shkruhen në artikull nuk janë të vërteta dhe ne kërkojmë vërtetësinë e tyre dhe burimin nga janë marrë këto informata. Klubi ynë edhe herë të tjera është gjendur përballë sulmeve të tilla qëllimkeqe në faqet e kësaj të përditshme, e cila në mënyrë joprofesionale tenton të përbaltë punën tonë dhe duke shkelur edhe rregullat e etikës, me futjen e përgjuesve apo regjistruesve në analizat dhe bisedat tona.

Në shkallët e drejtësisë klubi ynë do dërgojë gjithë faktet që flasin kundër këtyre botimeve, që nuk është hera e parë që dalin. Ne kemi qenë dhe jemi të hapur si ndaj kësaj gazete, ashtu si ndaj gjithë mediave të tjera, në mënyrë që opinioni sportiv të informohet në kohë për atë se çfarë ndodh te klubi ynë. Pa cenuar pavarësinë e shtypit të lirë dhe mënyrat e marrjes së informacioneve, ne kërkojmë që të mos dëmtohet imazhi ynë”, thuhet në njoftimin e klubit.

Kukesi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"