Mbledhja e Asamblesë së Vllaznisë, anëtari: Ishim gjithë ata tifozë dhe Teuta na mundi, Atsina ra 13 herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2017 | 18:15

Mbledhja e Asamblesë së Vllaznisë, anëtari: Ishim gjithë ata tifozë dhe Teuta na mundi, Atsina ra 13 herë

Për herë të parë në mbledhjen e asamblesë të Vllaznia sh.a, anëtarët e saj, që njëkohësisht janë edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, i kanë kërkuar llogari kryetares së bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, në lidhje me investimin e papërfunduar të stadiumit “Loro Boriçi” dhe dorëzimin nga FSHF te bashkia që nuk është bërë ende.

Keshilli bashkiak Shkoder

Duke qenë se as këtë sezon klubi Vllaznia sh.a nuk merr të ardhura nga stadiumi, që është pronë e bashkisë për shkak se administrohet nga FSHF, anëtarët e asamblesë nuk kanë duruar më dhe i janë drejtuar kryebashkiakes duke i thënë që t’i dërgojë një shkresë zyrtare FSHF-së për përshpejtimin e punimeve dhe dorëzimin sa më parë të stadiumit.

Ajo që mbetet një shqetësim është se stadiumi i Shkodrës ende nuk është i kolauduar, çka do të thotë se nuk ka asnjë lloj sigurie për sa i përket konstruksionit në ndeshjet që luhen aty. Asambleja miratoi me votim unanim propozimin që bashkia t’i dërgojë një shkresë zyrtare FSHF-së. Pasi u hodh në votim, anëtarët e asamblesë votuan unanimisht kërkesën në mënyrë që kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, t’i drejtohet FSHF për përshpejtimin e punimeve në stadiumin e Shkodrës.

Punimet në stadiumin e ri “Loro Boriçi” kanë nisur prej dy vitesh me një financim prej rreth 21 milionë eurosh nga UEFA dhe qeveria shqiptare, por edhe pse ka përfunduar pjesa më e madhe e ndërtimit dhe rikonstruksionit të pjesshëm, ende të gjitha punimet nuk kanë mbaruar, gjë e cila ka krijuar problem ekonomik për Vllazninë për shkak se nuk merr të ardhura nga biletat apo reklamat.

PAGAT

Në këtë mbledhje, Asambleja miratoi pasqyrat financiare të 2016-ës. Po ashtu është kaluar edhe fondi prej 170 milionë lekësh të vjetër që ishin miratuar më përpara. Pavarësisht se fondi u kalua edhe në mbledhjen e Asamblesë, sërish lojtarët dhe stafi bashkë me punonjësit e klubit Vllaznia dhe stadiumit nuk do të marrin asnjë qindarkë për shkak se llogaritë e klubit janë të bllokuara pas sekuestros preventive të vendosur nga borxhi që klubi Vllaznia i ka “Gea Sport”.

Më 10 tetor, në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë zhvillohet seanca e parë mes “Gea Sport” e Vllaznisë dhe këta të fundit shpresojnë që ta fitojnë këtë gjyq në mënyrë që llogaritë të zhbllokohen. Nëse gjyqi shtyhet për një datë tjetër, Vllaznia do vijojë që të jetë pa paga edhe pas tetorit të këtij viti deri në një afat të pacaktuar.

Gjatë mbledhjes të asamblesë, ka patur debate mes të majtëve dhe të djathtëve. Ata kanë bërë me përgjegjësi administratorin e Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, por edhe kryetaren e bashkisë Voltana Ademi duke thënë se klubi vazhdon që të keqmenaxhohet dhe se Vllaznia sh.a mbetet një gropë e madhe për bashkinë duke i zënë 33% të buxhetit të investimeve.

Diskutimet në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së Vllaznisë

Xhemal Bushati (kryetar i asamblesë)

“Kam një kërkesë për anëtarët e Asamblesë që të gjithë bashkë t’i kërkojmë kryetares së bashkisë se çfarë bëhet me stadiumin ‘Loro Boriçi’. Kemi bërë një kontratë me FSHF dhe sot e kësaj dite s’ka të ardhura aq sa duhet nga stadiumi. Kërkoj që të gjithë bashkë t’i kërkojmë FSHF-së mbarimin e punimeve dhe dorëzimin e stadiumit sepse me stadiumin sigurojmë të ardhura.

U bënë disa vite që Vllaznia sh.a nuk merr të ardhura nga stadiumi, përkundrazi kemi shpenzuar para që Vllaznia të luajë në Pukë apo vende të tjera. Kërkoj që tani të formulojmë një kërkesë për kryetaren e bashkisë që kryetarja t’i drejtohet më pas FSHF-së për mbarimin e punimeve”.

Voltana Ademi (kryetare e bashkisë Shkodër)

“Informacioni është publik, kryetari e tha pyetjen, por edhe arsyen. Në stadium vazhdojnë punimet dhe këtë vit është akorduar një fond për pistën e tartanit në stadium dhe vazhdojnë punimet. Kemi kërkuar dhe kemi qenë të gatshëm për ta marrë në dorëzim, por, përderisa vazhdojnë punimet, nuk kemi si ta marrim në dorëzim. Nevoja është sepse janë të ardhurat, por duhet të jemi në rregull ligjërisht.

Çështjet e menaxhimit mund t’i diskutojmë pastaj. Marrëveshja që kemi bërë me FSHF që në fillim s’ka të vendosura afate kohore se kur FSHF ka për detyrë ta përfundojë zbatimin e projektit dhe kjo ka qenë pjesë e negocimit mes nesh. FSHF nuk ka garantuar sa kohë i duhet për të marrë fondet e financimit nga qeveria shqiptare dhe kjo ka bërë që ne dhe FSHF të mos vendosim afate për mbarimin e punimeve”.

Gëzim Galiqi (anëtar i asamblesë, PS)

“Tani stadiumi vazhdon që të jetë pronë e jona apo si është puna dhe si administrohet?”

Xhemal Bushati

“Stadiumi sot është në administrim të FSHF-së, por është pronë e jona. Pas mbarimit të punimeve, duhet akti i kolaudimit dhe i dorëzimit që nuk janë bërë ende. Kryetarja ka kërkuar dorëzimin, por ata s’janë gati sepse s’ka kolaudim. Unë këtë kërkova, që të kryhen këto procedura dhe stadiumin ta administrojmë ne si bashki sepse sjell të ardhura për Vllazninë.”

Sokol Lekaj (anëtar i LSI-së)

“Sa për stadiumin pse s’ka afate, si ka mundësi që nuk keni vendosur afate? Deri kur duhet të presim dhe deri kur do zgjasë ky ndërtim?”

Astrit Gjyrezi (administrator i Vllaznia sh.a)

“U tha që kemi problemin e stadiumit dhe pa reklamat apo biletat e plota atëherë s’ka si të ecë as Vllaznia”.

Mustafë Lici (anëtar i asamblesë, MDL)

“Po të bëj një pyetje z.Gjyrezi, a i kemi më borxh kujt apo kemi dalë në zero? E shohim që në qytet s’ka futboll. Nuk ecën futbolli, paratë i paguajmë, arsyeja pse nuk ecën duhet të japësh përgjigje. Ka stërvitje apo s’ka stërvitje. Nuk do të jetë përjetësisht ky qëndrim i Asamblesë derisa të mbyllësh ti mandatin z.Gjyrezi.

E shohim të arsyeshme që ose ndërroni ekipin, ose trajnerët, ose mos merrni asnjë lek sepse janë taksapagues të Shkodrës. Ishim gjithë ata tifozë dhe Teuta na mundi. Rrëzohej ai Atsina në fushë, nja 13 herë e kam numëruar unë. Vendos autoritet të plotë z.Gjyrezi, vendos autoritet të fuqishëm sepse nuk e di kush penetron aty që ky ekip është shumë i dobët”.

Gëzim Galiqi (anëtar i asamblesë, PS)

“E dëgjova me vëmendje fjalën përmbledhëse. Kam disa pyetje sepse i referohem edhe informacionit nga auditi. Në vitin 2016 ka një deficit prej 70 milionë lekësh sepse në 2016 buxheti ishte 800 milionë, ndërsa në 2015 ishte 730 milionë lekë të vjetër. Kemi një bord të ri tashmë dhe si po zbatohet strategjia e këtij bordi. Ne nuk duhet të shërbejmë vetëm si zjarrfikëse për të kaluar lekë kur ka nevojë Vllaznia që na njihen edhe si deficit, por edhe si nevojë momentale”.

Vioresin Sinani (anëtar i asamblesë, LSI)

“E dëgjova me vëmendje administratorin, shoh diferenca financiare dhe janë 800 milionë lekë buxhet që i bie të jenë minus dhe është një shumë e madhe. Kemi votuar gjithmonë pro ekipit. Klubi duhet të ketë marketing të vetin sepse marketingu i klubit nuk funksionon. Jo gjithmonë këshilli bashkiak duhet të jetë shpëtimtar për klubin dhe nuk mund të ecet pa fund dhe të kërkohet çdo gjë në këshill.

Duhet të krijohen të ardhura nga vetë klubi. Ka mënyra sa të duash. Lekët jepen dhe s’ka pse Vllaznia të mos pretendojë maksimumin që mund të jetë edhe pjesëmarrja në Kupat e Europës. Këshilli ka qenë gjithmonë pozitiv, por nuk mund të shkohet në pafundësi dhe çdo gjë e ka një limit.

Po krenohemi se shlyejmë borxhet dhe sërish kemi shifra të mëdha borxhesh. Kur përmendet Vllaznia, njerëzit duan rezultat dhe rezultat nuk ka. Njerëzit duan të kënaqen dhe nuk kënaqen duke dëgjuar se u shlyen apo jo borxhet. Shumë gjëra nuk përputhen”.

Astrit Gjyrezi (administrator i Vllaznisë), përgjigje për Mustafë Licin (anëtar i asamblesë, MDL)

“Normal që s’kanë mbaruar borxhet. Borxhet që kanë rënduar klubin janë detyrimet e prapambetura”.

Gëzim Galiqi:

“Diferenca prej 70 milionë lekësh nga 2015 në 2016 si është e mundur?”

Astrit Gjyrezi (administrator i Vllaznia sh.a)

“Në muajin prill kemi patur edhe një mbledhje asambleje dhe kam bërë një përshkrim të politikave të klubit. Pyetja juaj qëndron. Në fillim të 2016-ës, një ndër hapat e parë është që trajnerëve u janë bërë kontrata të rregullta pune sepse i kishin kontrata shërbimi. Shpjegova se janë paguar 230 milionë lekë borxhe të prapambetura. Humbja e klubit është 11% krahasuar 2016 me 2015, ndërsa 2015 me 2014 ishte 30%. Janë borxhet e vjetra që kanë bërë që të kemi 11% humbje në 2016 krahasuar me 2015.

Sa u përket pyetjeve për strategjinë, strategjia e re është shumë e mirë. Për ndeshjet brenda jemi grumbulluar në hotel, por edhe në ndeshjet jashtë nuk shkojmë në ndeshje brenda ditës siç ndodhte më përpara. Lojtarët e akademisë janë afruar në ekipin e parë.

Kam bërë zgjidhjen e 5 kontratave me lojtarët jo shkodranë dhe kursimi në total është rreth 50 milionë lekë dhe me këto para kemi afruar lojtarët shkodranë. Sa u përket lojtarëve të U-19 janë të gjithë thuajse te Vllaznia, një pjesë te Vllaznia B dhe të tjerë tek ekipi i parë”.

Luan Heta (anëtar i asamblesë, PS)

“E kam përmendur edhe më përpara se Vllaznia sh.a është gropë për bashkinë. Mendoj se ka vetëm një rrugëzgjidhje duke parë problemet që klubi ka, ajo është shitja e aksioneve. Nuk e di se në çfarë faze jemi. Vllaznia kushton 33% e buxhetit të investimeve të bashkisë Shkodër. A e meriton qyteti që investimet që mund të ishin bërë tjetërkund t’i marrë Vllaznia?

Vllaznia sh.a po ashtu ka probleme dhe vazhdimësia nuk është e sigurt dhe them se duhet vetëm shitja e klubit sepse ndryshe jemi duke bërë një bumerang të madh dhe jemi duke krijuar gropa të mëdha, janë probleme që nuk mund të zgjidhen. Nuk e kuptoj pse në 2017 shpenzojmë 700 milionë lekë për Vllazninë!

Të minimizohen rrogat dhe të bëhen transparente kontratat me lojtarët. Unë kam qenë në bord dhe kontratat e qirave dhe të tjera që thoni se janë të prapambetura i kemi lënë në rregull dhe nuk e kuptoj pse i përmendni. Ne luftojmë për të mbajtur Vllazninë në Superligë dhe financiarisht është gropë dhe kjo është vetëvrasje financiare dhe nuk e di se kur do e kuptojë bashkia”.

Bujar Hoti (anëtar i asamblesë, PD)

“Pronari nuk është bashkia dhe them se pronari është Këshilli i Bashkisë. Se cila do jetë strategjia nuk e di, por unë kërkova që të sillet një strategji e detajuar dhe jo thjesht me fjalë se është menaxhuar mirë. Shitja e klubit kur ke borxhe të thella do thotë që ta falim dhe ne nuk kemi ndër mend që t’ia falim Vllazninë askujt duke qenë se të gjithë e dimë se çfarë vlerash ka ky klub. Nuk duhet të lejojmë që Vllaznia të rrëshqasë”.

Vioresin Sinani (anëtar i asamblesë, LSI)

“Përkrahja nuk është e plotë për Vllazninë B. Lojtarët dhe trajneri kanë paguar me lekët e veta drekën në ndeshjen e fundit. Vllaznia U-19 ka bërë një ditë e gjysmë rrugë për të shkuar dhe një ditë e gjysmë për të ardhur dhe humbën 3-1 në Moldavi në ligën e kampioneve për të rinj.

Nëse duam ta mbajmë ekipin B, atëherë ta mbajmë si duhet dhe më parë të bëjmë ekipin e parë si duhet dhe pastaj të mbajmë ekipe tjera B, C, D sa të doni. Kam qenë gjithnjë për krijimin e ekipit B, por duhet ta mbajmë si duhet dhe jo të hanë drekën me paratë e tyre”.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"