Mbijetesa në Superiore, një skenar mund të shpëtojë Kastriotin nga rënia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 17:34

Mbijetesa në Superiore, një skenar mund të shpëtojë Kastriotin nga rënia

Kastrioti renditet në vendin e fundit me 35 pikë, kur kanë mbetur edhe vetëm 2 javë nga fundi i kampionatit. Praktikisht, mbijetesa për krutanët duket një çështje e mbyllur, por ka një skenar, që do ta bënte skuadrën e Emiljano Çelës të mbijetonte në Kategorinë Superiore, pasi matematika i mban ende shpresat gjallë.

kastrioti

SKENARI – Duhet që Kastrioti të mposhtë Partizanin në ndeshjen e nesërme dhe Laçin në përballjen e fundit. Por jo gjithçka është në dorën e krutanëve, pasi përveç fitores do të duhet që Bylisi (37 pikë) të humbasë një nga ndeshjet e radhës ndaj Tiranës dhe Vllaznisë, si dhe Erzeni (39 pikë) t’i humbasë të dyja ndeshjet, përkatësisht me Kukësin dhe Tiranën në javën e fundit.

Në rast se krutanët e mbyllin me numër të barabartë pikësh me shijakasit, atëherë do të hyjë në fuqi diferenca e golave, pasi të katërta sfidat mes këtyre dy skuadrave janë mbyllur në barazim. Megjithëse matematika i sinjalizon të besojnë deri në fund, duke marrë shkas edhe nga deklarata e trajnerit Çela pas ndeshjes me Teutën, duhet thënë se tashmë në Krujë janë të dorëzuar dhe matematika pritet t’i lëshojë që në ndeshjen e nesërme ndaj Partizanit, që pretendon titullin.

Në treshen e fundit, skuadra që ka më shumë avantazh duket Erzeni, por mbetet të shihet se çfarë do të rezervohet deri në fund.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"