Mbi 1 milionë euro të ardhura, Skënderbeu mbush arkën me shitjen e dy futbollistëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 23:52

Mbi 1 milionë euro të ardhura, Skënderbeu mbush arkën me shitjen e dy futbollistëve

Lajmin ekskluziv për transferimin e Agon Elezit te Boavista dhe Jorgo Pëllumbit te Shturm Grac, e ka konfirmuar për “Panorama Sport” edhe vetë presidenti Ardjan Takaj. “Po, lojtarët përfundimisht i kemi shitur”, konfirmoi shkurtimisht kreu i klubit, por pa dhënë detaje. Skënderbeu ia del me sukses në tentativën e parë dhe arkëton plot 500 mijë euro nga transferimi i Agon Elezit te portugezët e Boavistës.
pjimage (3)

Ashtu sikundër e paralajmëroi pak ditë më parë “Panorama Sport”, gjithçka është drejt zyrtarizimit dhe kjo javë do të jetë edhe koha për prezantimin e Elezit si lojtar i ri i Boavistës. Gjithçka duket e mbyllur dhe vetëm burokracitë bëjnë që transferimi të mos jetë ende zyrtar. Korçarët do të përfitojnë 500 mijë euro si dhe do të mbajnë 15% të kartonit të lojtarit. Një lëvizje e zgjuar kjo e kthyer tashmë në zakon nga Skënderbeu që duke parë cilësitë e Elezit, kërkon të përfitojë edhe në të ardhmen shumë të konsiderueshme për ndonjë transferim të mundshëm të 19-vjeçarit.
Agon Elezi
Finalizimin e tratativës e ka pranuar edhe vetë mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Agon Elezi u shpreh: “Po, mund të konfirmoj se ajo që ju keni shkruar para disa ditësh është e saktë. Jam informuar nga klubi dhe menaxheri im se prej kohësh ka pasur një interesim nga Boavista dhe tashmë marrëveshja është drejt finalizimit. Jam në kontakte të vazhdueshme me menaxherin dhe gjithçka po shkon drejt mbylljes. Shumë shpejt do të mbyllet ky transferim. Duhet t’ju falënderoj për korrektesën e treguar, gjithashtu edhe klubin dhe trajnerin Ilir Daja që besuan tek unë që në momentin e parë. Pa dyshim merita është e të gjithëve”.
emiliano vila pellumbi
JAVA E PËLLUMBIT
Nuk do të jetë Elezi largimi i vetëm nga Skënderbeu drejt ekipeve të tjera europiane. Korçarët janë duke punuar edhe për transferimin e Jorgo Pëllumbit, i cili shumë shpejt do të zyrtarizohet te Shturm Grac. Përfaqësuesit e lojtarit dhe klubit janë duke biseduar me klubin austriak për finalizimin e transferimit. Burime në klub bëjnë me dije se brenda kësaj jave, Pëllumbi do të udhëtojë drejt Austrisë për të kryer vizitat mjekësore dhe më pas për të firmosur kontratën. Edhe për korçarin duket se klubi bardhekuq ka ndjekur të njëjtën strategji si me Elezin. Bëhet fjalë për një transferim në vlerë 500 mijë euro dhe 10-20 % të kartonit që do të jetë në pronësi të Skënderbeut duke përfituar këtu edhe tarifën e formimit të lojtarit, si klubi mëmë. Në kushte të tilla, me dy transferimet në fjalë, Elezin dhe Pëllumbin, klubi dhe presidenti Ardjan Takaj fitojnë të ardhura të shëndosha. Janë 1 milionë euro që shkojnë në arkat e klubit, duke bërë që financat të jenë të sigurta për sezonin e ri.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"