Marshi i mbijetesës, Tirana thyen Bylisin. Magani: Pres edhe më shumë nga sulmi

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shkurt 17, 2014 | 12:59

Marshi i mbijetesës, Tirana thyen Bylisin. Magani: Pres edhe më shumë nga sulmi

Tirana ne BallshBYLISI-TIRANA 0-1
GOLAT: Ndikumana 72′
BYLISI: Frashëri, Basriu, Shoshi (Guga 88′), Llënga (Bakiu 62′), Doshllaku, Idrizaj, Kastrati, Gërxho, Meto (Tahiraj 78′), Kuli, Shillova; Trajner: E.Egbo.
TIRANA: Çaka, Sina, Muça, Vrapi, Kalari, Taku, Koreshi (Deliç 62′), Kahata, Morina, Gilberto (Limani 43′), Ndikumana (Çota 74′); Trajner: G.Magani.
KARTONË TË VERDHË: Meto 20’/ Kahata 85′
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
GJYQTARET: E.Hoxha, R.Çokaj, G.Koka (Lezhë)

MINUTAT
11′ Kros nga krahët, Kuli godet, por pa gjetur portën.
13′ Provon sërish Kuli, nga distanca këtë herë, pa rrezik, pasi topi përfundon jashtë.
14′ Ndikumana kontrollon topin, kthen për Takun, i cili godet nga jashtë zone, por nuk gjen kuadratin.
36′ Idrizaj kroson për Kulin, i ndodhur në një pozicion të pritët, por Çaka pret në kohë.
37′ Goditje dënimi për Bylisin nga 20 metra distancë, gjuan Meto, por topi përplaset te muri bardheblu.
46′ Rast ideal për Tiranën, Limani i sapofutur në lojë i jep kros perfekt Morinës, i cili ndodhej i vetëm përballë portierit, por Frashëri neutralizon në kohë rrezikun, duke kontrolluar topin.
47′ Rast i pastër për Tiranën, Ndikumana në zonë, gjuan, por Frashëri bën mrekullinë.
50′ Sërish Ndikumana, pas një topi të ardhur nga mbrojtja. Sulmuesi afrohet në zonë, në tentativë për të gjuajtur ngatërrohet me këmbët e veta dhe i jep kohë Frashërit që të kontrollojë topin.
54′ Ndikumana godet fluturimthi, por topi përplaset në këmbën e Frashërit. Morina përpiqet të përfitojë, por portieri e ka kontrolluar topin tashmë.
67′ Kahata nxjerr të lirë Morinën, por Frashëri tregohet më i shpejtë dhe largon topin në goditje këndi.
70′ Goditje dënimi për Bylisin, ekzekuton Meto, por Çaka pret në kohë.
72′ Gol Tirana. Morina i jep një top perfekt Ndikumanës, i cili s’e ka të vështirë që ta dërgojë topin drejt e në rrjetë dhe 0-1.
84′ Çota driblon tre lojtarët, pason te Deliç, ky i fundit për Morinën, gjuan sulmuesi, por pa gjetur kuadratin.
90′ Kahata merr një top në mesfushë, pason te Morina, i cili godet në hyrje të zonës, por topi përfundon jashtë.
91′ Kahata kroson nga e majta për Morinën, i cili gjuan fort, por topi përfundon jashtë.
94′ Kuli provon nga distanca, por topi përfundon jashtë.

Ndikumana nderon Tiranën në Ballsh. Bardheblutë kanë mposhtur 0-1 Bylisin, duke siguruar kështu fitoren e parë në transfertë, por edhe prishur “mallkimin” në “Adush Muça”. Një 90- minutësh i luftuar, si në fushë edhe në tribuna, ku nuk mungoi as tensioni mes tifozërive. Takimi u dominua krejt prej miqve, të cilët krijuan një mori rastesh, por Frashëri me pritjet e tij shmangu disa gola të sigurt. Dje Bylisi pësoi humbjen e parë në shtëpi në 10 ndeshje. Madje në 90 minuta kurrë nuk goditi në portë, duke mos e vënë për asnjë çast në rrezik portën e mbrojtur nga i riu Çaka. Edhe pse sërish e fundit, tashmë skuadra e Maganit shkon në kuotën e 19 pikëve, po aq sa edhe Lushnja. Me këtë trepikësh të radhës për vitin 2014, kryeqytetasit po japin qartazi shenja mbijetese.
Pjesa e parë Ndeshja nis më mirë për vendësit, që patën mundësi të mira me anë të Kulit në minutat 11 dhe 13, por gjuajtjet e mesfushorit nuk ishin konkrete. Tirana fiton terren me kalimin e minutave, teksa i afrohej ndjeshëm portës kundërshtare. Në të 14-tën Ndikumana kontrollon topin, kthen për Takun, i cili godet nga jashtë zone, por nuk gjen dot kuadratin. Bie tempi i lojës për minuta të tëra, madje episodi i radhës siglohet në të 36-tën, kur Idrizaj kroson për Kulin; fantazisti, i ndodhur në një pozicion të prirët, gjuan, por Çaka pret në kohë. Një minutë më vonë ballshiotët fitojnë një goditje dënimi, të cilën e ekzekuton Meto nga 20 metra distancë, por topi përplaset te muri bardheblu. Loja ashpërsohet, madje si pasojë e ndërhyrjeve u dëmtua edhe Gilberto, i cili nuk mundi ta mbyllë dot pjesën e parë. Ky fraksion mbyllet me një rast për bardheblutë, kur Ndikumana në zonë, gjuan, por Frashëri bën mrekullinë dhe i largon topin nga këmbët sulmuesit bardheblu.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë nis vrullshëm për Tiranën, e cila mbetet te zona e Bylisit. Ndikumana u bënë presion vendësve, teksa tri herë radhazi rrezikon, por Frashëri është i pakalueshëm. Në minutën e 50-të sulmuesi nga Burundi merr një top nga mbrojtja, galopon në zonë, gjuan fort, por Frashëri arrin të kontrollojë në kohë. Pas katër minutash është sërish Ndikumana që godet fluturimthi, por Frashëri edhe pse me vështirësi e largon topin me këmbë. Morina përpiqet të përfitojë, mirëpo portieri nuk i lë hapësira. Në të 64′ Tirana shënon me Morinën, por vijërojtësi sinjalizon pozicion jashtë loje, ndaj goli anulohet. Në të 67-tën Kahata nxjerr të lirë Morinën, por Frashëri tregohet më i shpejtë dhe largon topin në goditje këndi. Pas shumë minutave, Bylisi ka rast për të rrezikuar, por goditja e dënimit e ekzekutuar prej Metos pritet nga Çaka. Pas shumë tentativave Tirana gjen rrjetën. Në të 72-tën Deliç pason te Morina, ky i fundit pasi i është afruar zonës pason te Ndikumana, i cili s’e ka të vështirë ta dërgojë topin drejt e në rrjetë dhe 0-1. Ky gol u jep zemër bardhebluve dhe shoqërohet me ndryshime edhe në 11-shen e Tiranës. Magani nxjerr Ndikumanën dhe fut sërish një sulmues, Çotën, i cili në minutën e 84-t driblon tre lojtarët, pason te Deliç, ky i fundit për Morinën, gjuan sulmuesi, por pa gjetur kuadratin. Minutat e fundit dominohen nga miqtë, të cilët kanë pasur rastin që të shënojnë me anë të Morinës, por sulmuesi nuk e gjeti dot rrjetën. Me këto tri pikë Tirana zgjon shpresat për mbijetesë, ndërsa Bylisi komplikon pozitat e tij në renditje.

MË I MIRI
Selemani Ndikumana dhe Stivi Frashëri dje kanë qenë lojtarët më të mirë në fushë. I pari, pasi ishte rrezik konstant për portën e Bylisit, madje shënoi edhe gol, ndërsa i dyti sepse falë pritjeve të tij shmangu një goleadë të mundshme të bardhebluve. Gardiani i ballshiotëve bëri mrekullinë për minuta me radhë, duke evituar gola të sigurt të sulmuesve të Tiranës.

MË PAK AKTIVI
Armend Kastrati dhe Alban Shillova kanë qenë lojtarët më pak aktivë në fushë. I pari bëri disa gabime në mbrojtje, ndërsa i dyti ishte thuajse inekzistent për vijën e parë të sulmit. Në kompleks, Bylisi dje nuk bindi, duke i dhënë kështu hapësira të shumta skuadrës bardheblu. Madje, pas golit të pësuar, ballshiotët ishin tepër të çakorduar.

Magani feston fitoren ne derbin ndaj PartizanitMagani nuk ngopet: Shpërdoruam, pres më shumë nga sulmi
Një fitore që për të vlen shumë. Jo vetëm tri pikë, e për më tepër në transfertë, por thyerje e tabusë “Ballsh”. Trajenri Gugash Magani shprehet tejet i lumtur për këtë triumf në “Adush Muça”, i cili vjen pas 10 vitesh. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, numri një i stolit analizon 90-minutëshin, mungesat, por flet edhe për të ardhmen dhe objektivin e bardhebluve.
Tirana nuk fitonte në Ballsh prej më shumë se 10 vitesh, si ia dolët sot?
Nuk u përkushtohem asnjëherë historive në fakt, por ne erdhëm në Ballsh me synimin e vetëm që të fitonim, dhe këtë e pata deklaruar më parë. Ne nuk kishim alternativë tjetër përveç arritjes së 3 pikëve.
U krijua shumë, por u shënua vetëm një gol…
Kemi shpërdoruar shumë raste, gjë që nuk ka për të ndodhur në takime të tjera, sepse do të jem shumë më kërkues dhe i rreptë për sulmuesit që duhet të gjejnë golin përpara portës.
Kishit 4 mungesa në këtë transfertë, a u ndjenë në fushë?
Organika që kemi fazën e dytë, mendoj se na jep luksin të mos na zërë koka edhe kur kemi mungesa. Lojtarët me të cilët e nisëm ndeshjen nga minuta e parë e përligjën besimin tim, po ashtu edhe ata që u futën nga stoli, përveç Deliçit. I cili ishte jashtë formës që unë prisja.
Një javë më parë shënoi Gilberto, sot Ndikumana, të huajt po shfaqen vendimtarë…
Mendoj që sulmuesi është për të shënuar. Sa për lojtarët që kanë ardhur, kanë ardhur sepse paguhen më shumë sesa të tjerët dhe pritshmëria e shënimit të golit nga lojtarët e huaj është më e madhe.
Luani ndeshjen e radhës me Besën, si e shihni?
Kjo ndeshje është jashtëzakonisht shumë e vështirë, pra të gjitha takimet ne i kemi finale. Kemi luajtur tri finale, pra na presin edhe 14 finale të tjera.
Pas kësaj fitoreje, besoni se keni mbijetuar tashmë?
Pas kësaj fitoreje nuk besoj se kemi arritur mbijetesën, por shpresojmë që duke i marrë ndeshjet një e nga një, Tirana do të shpëtojë.

Selemani NdikumanaNdikumana: Shpërdorova, por në fund shënova
Selemani Ndikumana është pa dyshim heroi i kësaj sfide. Ai ka shënuar një gol me vlerën e tri pikëve, sidomos kur kjo është fitorja e parë për Tiranën në transfertë. Sulmuesi, i cili erdhi në kryeqytet vetëm në fillim të muajit shkurt, iu deshën pak ditë që ta bindte stafin teknik dhe tifozët për formën e tij të mirë. Në Ballsh ai ishte njeriu i ndeshjes, jo vetëm për episodin e golit, por për faktin se qe rreziku numër një për portën e Bylisit. Pas dy ndeshjeve me fanellën bardheblu, kapiteni i përfaqësues së Kombëtares së Burundit arriti ta gjente golin e tij të parë. Ndonëse vlen të përmendet se shpërdoroi pa fund, kjo ndoshta edhe për meritë të portierit Frashëri. I kontaktuar nga gazeta në fund të takimit, ai shfaqet i lumtur për golin, kryesisht për fitoren. Sakaq, saktëson se ky është vetëm fillimi për të dhe se nuk ka ndërmend të ndalet. “Është goli i parë i imi me fanellën e Tiranës. Kam luajtur dy ndeshje dhe sot (dje) gjeta rrugën e rrjetës. Ndihem shumë i lumtur për këtë, ndaj nuk dua që të ndalem këtu, përkundrazi. Faktikisht humba shumë raste, por e rëndësishme është që nuk u dorëzova. Në fund unë shënova dhe skuadra fitoi. Te Tirana më ka ndodhur shpesh që të shpërdoroj, por fatmirësisht loja zgjat 90 minuta dhe më në fund e gjeta rrejtën, duke dhënë fitoren ekipit tim. Unë nuk e dija që Tirana nuk fitonte këtu pas kaq vitesh, ndaj ndihem i kënaqur me këtë gol, pasi dhe skuadra theu këtë tabu”, – përfundon Ndikumana, i cili pas golit u fal në fushë, pasi është besimtar i devotshëm mysliman.

egbo“Meritonim një pikë, goli në pozicion jashtë loje”
Emanuel Egbo e ka me gjykimin pas kësaj humbjeje. Për golin e shënuar prej Tiranës, ai pretendon se ishte në pozicion jashtë loje. Trajneri i Bylisit thekson që ende nuk ka përfunduar kampionati dhe se Bylisi i ka shanset të qëndrojë në Superiore. “Mendoj që ky takim ishte i barabartë deri në momentin që u shënua goli. Por, pas përfundimit të tij kam parë pamjet filmike, të cilat tregojnë qartë pozicionin jashtë loje të të dy futbollistëve që u bënë protagonistë në rastin e golit. Ne vuajmë nga mungesat, sidomos në sulm. Mungojnë Abazaj, Mile dhe Bordon, çka na detyron të luajmë vetëm me një sulmues nga fillimi e deri në përfundim të ndeshjes. Raste për gol kemi krijuar, por mungesa e një lojtari pykë bën që të mos shënojmë. Do të punojmë gjatë javës për finalizimin, pasi në fundjavë shkojmë në Lushnje, ku duhet të marrim rezultat pozitiv patjetër. Lufta për qëndrimin në kategori është e hapur, sepse vetëm një fitore të çon në mesin e tabelës, ndërkohë që një humbje të dërgon në zonën e rënies. Jam i sigurt që nuk ka përfunduar asgjë”, – përfundon trajneri Emanuel Egbo.

Tension në tribuna dhe festë në tunel, tifozët protagonistë
Një stadium i tejmbushur si kurrë më parë. Dje “Adush Muça” kishte kaluar përtej parashikimeve. Pas shumë vitesh, ky impiant solli interesimin e madh nga ana e sportdashësve vendës, por edhe miq, teksa shifra e të pranishmëve shkonte tek afro 5 mijë. Spektakël, por edhe tension, ka qenë kjo panorama në tribunat e dy tifozërive. Nga kryeqyteti erdhën plot 5 autobusë, por jo vetëm, pasi kishte nga ata që udhëtuan me makina private, duke e shndërruar këtë në transfertën e tyre më masive. Mbi 500 tifozë të grupimit “Tirona Fanatics” kanë përkrahur për 90 minuta me radhë ekipin e zemrës. Përveç mbështetjes, ultrasit miq kanë provokuar, duke nisur sherrin me tifozët vendës. Ishte minuta e 59-të e takimit, kur “Fanatics”-at i ofenduan në kor tifozët vendës, duke marrë kundërpërgjigjen e tyre. Ndërsa gjithçka përreth 5 minuta degjeneroi në sherr në distancë, ku u përdorën çakmakë, shishe uji, por edhe birrë, fishekzjarrë, tymuese, madje edhe këpucë. Veç kapitenëve respektivë, të cilët u munduan të zbusin gjakrat, u pa edhe ish-portieri Nallbani që bënte thirrjet e tij. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, të cilët shoqëruan edhe tifozë të Ballshit, u desh edhe ndërhyrja e forcave speciale. Ultrasit e skuadrës vendëse, “Bylinët”, e mbështetën ekipin nga minuta e parë deri në përfundim. Megjithatë, festa iu rezervua vetëm miqve nga Tirana, të cilët festuan gjatë me lojtarët e tyre.

Ja rastet e dyshimta te Bylisi-Tirana
Bylisi-Tirana ishte një nga ato ndeshje që do u hapë punë moviolistëve, pasi gjatë saj pati disa raste që duhet parë e riparë. Gjithçka nisi në të 20-ën minutë, kur Meto jo vetëm shkaktoi faull ndaj Kalarit, por shkoi dhe e goditi kur lojtari ishte shtrirë. Gjyqtari dha të verdhë, ndonëse mund të ishte edhe i kuq. Në të 28-ën minutë Kastrati meritonte direkt të kuq pasi, përpos faullit, shkelmoi Gilberton, ndërkohë që topi nuk ishte aty. Moment që kaloi pa asnjë ndëshkim nga ana e kryesorit Hoxha, por vetëm me një goditje dënimi. Në minutën e 32-të, në tentativë për ta larguar topin, ngriti takat ndaj Gilbertos, por në këtë rast Hoxha nuk reagoi, sepse portieri ishte në ndjekje të topit. Në të 47-ën minutë, përplasje e ashpër mes Kulit e Kalarit, por sërish nuk ka faull. Një tjetër moment që duhet riparë është edhe goli i Tiranës, pasi Bylisi pretendon për pozicion jashtë loje, ndonëse nga pamjet duket sikur Shoshi i mban në lojë sulmuesit Morina dhe Ndikumana të Tiranës.
RENALDO GREMI / ERJON HAMITAJ





www.minuta90.com