Magani: Reaguam, por humbëm dy pikë. Çota: U zhbllokova në fund, goli për tifozët

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 8, 2013 | 10:07

Magani: Reaguam, por humbëm dy pikë. Çota: U zhbllokova në fund, goli për tifozët

MaganiGugash Magani mendon se Tirana humbi dy pikë ndaj Vllaznisë. Sipas tij barazimi nuk i ndihmon, ndonëse është një sinjal i mirë për kthesën. Gjatë intervistës së dhënë për mediat pas ndeshjes, ai analizoi tërë ecurinë e saj, si dhe shprehu bindjen se bardheblutë e tij nuk do të bien nga kategoria. Nuk do që të bëjë parashikuesin, por e thotë hapur se me Skënderbeun dhe Teutën do synojnë pikët e plota.
Tirana fitoi një pikë, apo humbi dy të tilla kundër Vllaznisë?
Mendoj se kemi humbur dy pikë, në një ndeshje që mund ta kishim fituar dhe ku meritonim të dilnim triumfues. Provuam ta bënim këtë sidomos në pjesën e dytë kur skuadra reagoi mjaft mirë, duke treguar grintë dhe karakter në fushë. Ishte pikërisht kjo që më bindi. Arritëm të barazonim, por gjithashtu edhe mund të kishim shënuar në fund.
Prapavija vazhdon të çedojë, si e gjykoni këtë fakt?
Dua të flas vetëm për dy ndeshjet nën drejtimin tim, në Lushnjë ndodhi një gabim që na ndëshkoi, por edhe sot (dje). Unë mendoj se ky grup nuk ka besim në vetvete dhe pikërisht këtu dua të punoj, të largoj krizën.
Rikthehet sulmi dhe Çota...
Që kur erdha, kisha si objektiv që të luanim me dy sulmues, por me Çotën në majë. Besoj te ky lojtar dhe më bëhet qejfi që shënoi.
Mendoni se do të jeni ju shpëtimtari i Tiranës?
Jam i kënaqur me skuadrën dhe besoj se bashkë mund t’ia dalim. Kam ardhur këtu për të shpëtuar sezonin e Tiranës dhe bashkë me lojtarët, tifozët dhe drejtuesit mund t’ia arrijmë qëllimit.
Besoni realisht te mbijetesa?
Nëse nuk do të kisha besuar, tani nuk do isha te Tirana.
Mbeten edhe dy ndeshje për 2013-tën, çfarë prisni kundër Skënderbeut dhe Teutës?
Sinjalet që morëm sot ishin pozitive. Do provojmë fitoren ndaj Skënderbeut, ashtu edhe ndaj Teutës.

Cota Mirel“U zhbllokova më në fund, goli vetëm për tifozët”
Mirel Çota gjen më në fund golin. Pikërisht kundër Vllaznisë, lojtari i dha fund “shterpësisë” para porte dhe i shtoi kështu një pikë Tiranës. Ky rezultat nuk i nxjerr nga kriza bardheblutë, por u jep shpresë për vazhdimësinë. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” sulmuesi tha: “Kisha aq shumë javë që mezi prisja të shënoja, edhe me të drejtë jam kritikuar. Por kur do, goli vjen dhe sot (dje) ishte dita. E ndjeva entuziazmin e madh të tifozëve tanë, të cilët kanë muaj që vuajnë. Ajo pjesë më emocionoi dhe lumturoi njëherësh. Goli shkon vetëm për tifozët. Janë ata që na kanë ndenjur pranë, edhe kur ne i kemi zhgënjyer. Në fakt, rezultatet tona kanë qenë ndër më të këqijat. Kjo pikë e marrë mund të jetë një sinjal i kthesës sonë dhe na shton më shumë moralin për dy ndeshjet e mbetura për 2013-ën. Mund të kishim fituar në fakt, por tentativat e shumta që patëm, nuk u konkretizuan. Në kushtet që jemi, ky barazim mund të quhet pozitiv, ndonëse nuk na nxjerrë nga kriza. Kanë mbetur edhe dy ndeshje, në Korçë dhe me Teutën, prej të cilave presim 6 pikë”.

Alpin Gallo, trajneri i U-17 së
Tiranës Alpin Gallo është emëruar trajneri i ekipit U-17 të akademisë së Tiranës. Ish-tekniku i skuadrës bardheblu, i cili vetëm pak ditë më parë dha dorëheqjen nga ajo detyrë, do mbetet sërish brenda familjes. Këtë herë në një tjetër pozicion, si numri një i skuadrës së të rinjve. Kujtojmë që Gallo disa ditë pas humbjes së pësuar në Kukës dhe vetëm dy ditë para ndeshjes me Lushnjën mori vendimin që të largohej nga pankina e kryeqytetasve, ndonëse kjo lëvizje e tij nuk u prit edhe aq mirë nga drejtuesit. Por pasi ka kaluar mbi një javë, ai ka marrë këtë post, i cili mbahej më parë prej Luan Senglës.
ADELA MERKO





www.minuta90.com