Magani: Gjika miku im, por sot fiton Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2014 | 10:42

Magani: Gjika miku im, por sot fiton Tirana

MaganiPër Gugash Maganin do të jetë një duel special. Përballet me ish-skuadrën dhe miqtë e tij, në veçanti me kryebashkiakun Shpëtim Gjika. Nuk e mohon se ndjen nostalgji për Vlorën, por sqaron se Tirana e tij udhëton për pikë, e madje në ato 90 minuta do t’i harrojë edhe shokët. Në një intervistë të dhënë në prag të kësaj sfide, trajneri i bardhebluve analizon gjendjen e skuadrës, rrëfen dilemat dhe sqaron objektivat.
Shkoni në Vlorë, atje ku përballeni me të shkuarën. Si do e përjetojë Magani këtë transfertë?
Është pa dyshim një sfidë e veçantë, pasi veç faktit që përballen dy skuadra që kanë rivalizuar njëra-tjetrën tradicionalisht, do të luaj kundër ish-skuadrës. Dhe më duhet të tregohem i sinqertë në këtë pikë, kam nostalgji për Vlorën.
Shkoni për fitore?
Nuk mund të bëj dot parashikime, megjithatë fakti që të dyja skuadrat janë në gjendje jo të mirë në renditje, na detyron që të fitojmë. Rrezikojmë seriozisht, madje ne më shumë se vlonjatët. Prandaj do bëjmë të pamundurën që t’ia dalim, pse jo edhe të dhurojmë spektakël.
Nëse para një muaji ishit thuajse të rënë, tashmë a mund të flitet edhe për ndryshim objektivash?
Jemi deri diku më të qetë se para një muaji në fakt, megjithatë vazhdojmë të jemi në rrezik, por duhet pranuar që tani Tirana ka nisur të marrë “serum”. Falë rezultateve, donatorëve dhe kryesisht tifozëve, ne kemi hedhur një hap të madh për të dalë nga ajo gjendje.
Pse është Magani gjithnjë i pakënaqur nga lojtarët, edhe kur fitoni?
Do jem i kënaqur vetëm kur të shpëtojmë zyrtarisht dhe të dalim nga kjo gjendje. Ky është objektivi ynë për momentin, mbijetesa, edhe pse flitet për Europën. Ky është misioni ynë, duke ia dalë ne fitojmë dy tituj kampionë.
Realisht nuk mendoni për Europë, pasi diferencat janë të vogla?
Nuk e mendoj për asnjë moment një gjë të tillë, sepse jemi në garë për mbijetesë.
Si është gjendja e skuadrës në këtë ndeshje?
Në kompleks mirë, s’kemi mungesa, Kemi vuajtur vetëm paksa gripin, por pa rrezik.
Marrëdhënia me Gjikën si vazhdon?
Gjika është mik i imi shumë i mirë edhe jashtë futbollit. Në Vlorë e kam kaluar mjaft mirë, këtë marrëdhënie kam pasur edhe me tifozët. Ai ka deklaruar se më ka për zemër edhe në lojë, ndërsa unë i them që do e kem para dhe pas ndeshjes, ndërsa në 90 minuta do e kem armik (qesh).
Kush e fiton duelin I.Lika-Dushku?
Është një duel interesant, pasi janë dy lojtarë kyç të të dyja skuadrave. Kanë qenë bashkë te Tirana dhe për një kohë të shkurtër në Vlorë, ndërsa sot janë kundërshtarë. Besoj dhe shpresoj që ta fitojë Ilioni këtë duel.
Po dueli G.Lika-Morina?
Edhe ky është duel interesant, tepër i luftuar. Në lojë do ketë “fair-play” dhe do fitojë futbolli i bukur.
Keni përgatitur ndonjë mbulim të veçantë për Gilmanin, apo e llogarisni si një nga 11 lojtarët e tjerë në fushë?
Skuadra mbron kur nuk ka topin dhe sulmon kur e disponon atë. Kjo është filozofia jonë.
Ndikumana do të jetë në fushë ndaj Flamurtarit?
Lojtari ishte me grip në fakt, ndaj mungoi në stërvitje. Sot (dje) u kthye, megjithatë nuk e kam vendosur ende.
Po Kahata a do të jetë titullar, apo do e nisë nga stoli?
Do e nisë nga stoli. Dilema të tjera nuk kam, gjithçka është gati.

Donatorët, 10 mln lekë për “kokën” e Flamurtarit
Tirana do të marrë një shpërblim prej 10 milionë lekësh në rast se fiton ndeshjen në Vlorë. Një gjë e tillë iu komunikua pikërisht dje futbollistëve nga vetë donatori Refik Halili, i cili ishte i pranishëm në stërvitje. Para se të niste kjo seancë, ai u ka premtuar lojtarëve këtë shpërblim të majmë, por u ka thënë se nëse arrihet objektivi shuma edhe mund të rritet. Megjithatë, garancia forcohet, pasi sponsori ua dorëzoi që dje këto para drejtuesve. Pra, paratë momentalisht janë në duart e krerëve të klubit, dhe vetëm pasi të përfundojë 90- minutëshi në Vlorë, ekipi do mund t’i marrë. Sidoqoftë, Tirana fillimisht duhet që të realizojë objektivin, pra të marrë pikët e plota ndaj një rivali të vështirë si Flamurtari. Donatorët e kanë kthyer në “traditë” pjesën e shpërblimeve, duke qenë se pas çdo ndeshjeje të rëndësishme nuk kanë munguar as shpërblimet. Ky fakt i ka motivuar më shumë lojtarët, të cilët do tentojnë fitoren jo vetëm për të përmirësuar gjendjen në renditje, por edhe për të mbushur xhepat.

Ekipi ndoqi Kastrioti-Besa dhe më pas u nis në Vlorë
Tirana ka pasur një axhendë të mirëprogramuar gjatë ditës së djeshme. Në orën 12:30 u zhvillua seanca e fundit përgatitore para Flamurtarit, ku stafi teknik dha këshillat e fundit. Stërvitja zgjati afro 60 minuta dhe menjëherë më pas të gjithë u spostuan në lokalin që ndodhet pranë fushave të kompleksit “Skënder Halili”, ku ndoqën së bashku përballjen Kastrioti-Teuta, e cila përfundoi në barazim. Pasi përfundoi takimi, në orën 16:00 morën autobusin drejt Vlorës, ku u grumbulluan për të kaluar natën. Ekipi ka shfaqur optimizëm, i cili u shoqërua edhe me batuta. Të gjithë kanë bindjen se sot në orën 17:00 do të dalin me pikët e plota nga stadiumi “Flamurtari”.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"