Lushnja, 7 vite pa fitore me ballshiotët. Ruço: Kësaj here do të jetë histori ndryshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 18:37

Lushnja, 7 vite pa fitore me ballshiotët. Ruço: Kësaj here do të jetë histori ndryshe

Kampionati ka një garë dyshe për kreun, ndaj stadiumi “Roza Haxhiu” është në qendër të vëmendjes për këtë javë. Lushnja do të presë Bylisin në një atmosferë entuziaste.

ruco magani lushnja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani është në fazën përmbyllëse të përgatitjeve dhe duan një fitore më Bylisin, pasi mungon prej një kohe të gjatë. Në prag të kësaj sfide, mbrojtësi Ledion Ruço, për “Panorama Sport” u shpreh: “Është një ndeshje që po përgatitet shumë mirë nga ana jonë. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë, edhe atmosfera është pozitive.

Pritet një ndeshje shumë e bukur dhe të gjithë e dinë shumë mirë se çfarë sfide është. Bylisi na ka mundur në fushën tonë në fazën e dytë, por këtë herë do të jetë ndryshe. Do të jetë tjetër ndeshje, pasi na duhet fitorja për të shkuar drejt objektivit. Lushnja në çdo fushë synon fitoren, por në shtëpi e kemi detyrim dhe shpresoj që do t’ia arrijmë”. Lushnja nuk fiton me Bylisin që nga 14 maji i 2017-ës, kur skuadra drejtohej nga Artan Bano, asokohe fitoi 1-0 me golin e Fatjon Sefës dhe kalonte në Kategorinë Superiore.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"