“Lufta tragjedi”, trajneri Longo flet me tifozët: Imagjinoni Taipin me pushkë në dorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2022 | 22:13

“Lufta tragjedi”, trajneri Longo flet me tifozët: Imagjinoni Taipin me pushkë në dorë

Situata te Kukësi nuk është shumë e qetë pas rezultateve të fundit, ku humbja ndaj Laçit dhe barazimi më i fundit me Teutën ka bërë që ekipi të humbasë disi terren me kreun, teksa arritja e Tiranës në krye për momentin duket një mision i pamundur. Megjithatë, është vetë trajneri Diego Longo që nuk kërkon të bëjë dramë situatën, por kërkon mbështetje për këtë grup që stërvit.

Longo

Këto deklarata italiani i bëri në kuadër të përgjigjes që i ktheu një tifozi kuksian që shkruante i shqetësuar për situatën në ekip, ndërkohë që tekniku pati hedhur pak ditë më parë në profilin e tij një foto në shenjë solidariteti për Ukrainën, në të cilën ai ka trajnuar më parë.

Tifozi i jep këshilla se si duhet të luajë Kukësi për të marrë rezultatet, duke i sugjeruar disa ndryshime në skuadër, por italiani i bën një pasqyrë të qartë situatës me kontigjentin e lojtarëve.

TRAJNERI – Teksa ndalet te skuadra e tij, italiani nuk kërkon alibi për atë që po ndodh, por e konsideron si përgjegjësi. “Meqenëse ra fjala për Kukësin, askush nuk e vuri re ku në vend që të flas për alibi, preferoj të flas për përgjegjësi. Në vend që të ankohet, grupi është mësuar të punojë seriozisht”, u shpreh italiani. Sa i përket grupit, ai pohon se asnjëherë nuk e ka pasur atë të plotë, ndërsa afrimeve të reja u duhet dhënë kohë.

“Ka dy muaj që nuk kam Puntus dhe Milunoviç për shkak të lëndimeve, COVID-19 apo problemeve të tjera. Feizhao u lëndua dhe po përmirësohet vetëm tani. Afrimet e reja, si gjithmonë, kanë nevojë për një periudhë adaptimi, por janë shumë të mirë dhe të dobishëm”, pohoi Longo. Në fund, tekniku kërkon të mos harrojnë se deri ku kanë arritur dhe cilat skuadra kanë lënë poshtë vetes, duke i bërë krahasimin me një sezon më parë.

“Sidoqoftë, kemi shënuar pikë të njëjta në dy xhirot e para. Jemi të tretët, sipër skuadrave që pak muaj më parë kishin 20 pikë më shumë se Kukësi. Jemi të parët që nuk flemë kur nuk fitojmë, por ky grup nuk meriton asgjë tjetër veçse mbështetje dhe respekt për sezonin që po zhvillojnë”, mbyll reagimin e tij Longo, i cili zgjedh shpesh rrjetet sociale dhe komunikimin direkt me tifozët për të sqaruar situatën që po kalon skuadra. Vihet re optimizmi i tij i vazhdueshëm, duke i mëshuar faktit që pavarësisht çedimit në ndonjë ndeshje, skuadra vijon të jetë brenda objektivave.

271608567_2815169398628389_3453094799480057882_n

SOLIDARITETI – Longo u ndal edhe te mbështetja e tij morale ndaj Ukrainës, duke e konsideruar një tragjedi atë që po ndodh, në vendin ku ai para pak muajsh ishte aty. “Situata e Ukrainës për mua nuk është çështje solidariteti, sepse kam shumë miq dhe djem që i kam stërvitur deri para disa muajsh. Imagjinoni sikur nesër të shihnim Sulën dhe Taipin duke ikur me pushkë në duar për të mbrojtur familjen. Kjo është një tragjedi”, u shpreh italiani rreth kësaj situate.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"