LIGA UNIKE/ Start me dominim dardan, Trepça “asfalton” Kamzën, Ylli shumë i fortë për Tiranën (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 10:10

LIGA UNIKE/ Start me dominim dardan, Trepça “asfalton” Kamzën, Ylli shumë i fortë për Tiranën (VIDEO)

Në një atmosferë fes tive në pallatin e sportit “Flamurtari” në Vlorë ka nisur dje Liga Unike Lajthiza për edicionin e vitit 2024. Aktiviteti mbarëkombëtar i basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova po zhvillohet me formatin “Final 8” në qytetin e bukur bregdetar. Ekipet pjesëmarrëse janë Tirana, Besëlidhja, Teuta dhe Kamza nga Shqipëria, si dhe Peja, Ylli, Prishtina dhe Trepça nga Kosova.

liga unike 2

“Final 8” të Ligës Unike Lajthiza u çelën me një ceremoni zyrtare. Jo vetëm sport, por edhe festë në hapjen e madhe, me këngëtarë dhe artistë të ftuar. Fillimisht dy vajza basketbolliste të Flamurtarit vendosën trofeun që do t’i jepet të dielën ekipit fitues, në mesin e fushës. Fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, performuan për publikun dhe më pas dolën me radhë në parket të gjitha skuadrat pjesëmarrëse.

VIDEO PREZANTIMI

Pas rreshtimit të ekipeve nisi nderimi i himnit të flamurit të Kosovës dhe më pas himni i Shqipërisë. Përpara publikut vlonjatë dhe jo vetëm, dolën më pas për të përshëndetur kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, përfaqësues të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe presidenti i “Lajthiza”, Hajri Elezaj. Ky i fundit theksoi se Vlora e meriton një aktivitet të tillë.

VIDEO HIMNI

Për kontributin e tyre për zhvillimin e sportit në Vlorë, FSHB-ja ka vlerësuar me trofeun “Mirënjohje”, kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, presidentin e “Lajthiza”, Hajri Elezaj, si dhe Davorin Nakiç, menaxheri i arbitrave të FIBA-s Europë.

NDESHJET – Dita e parë e aktivitetit nuk dhuroi surpriza, teksa u konfirmua superfuqia absolute e skuadrave kosovare në raport me ekipet shqiptare. Me buxhetet shumë më të mëdha, klubet dardane kanë diferenca në kualitet dhe organizim me ekipet shqiptare. Kështu, në dy çerekfinalet e luajtura dje, Trepça dhe Golden Eagle Ylli morën fitore të thellë përkatësisht kundër Kamzës dhe Tiranës.

Takimi i parë i ditës ishte ai ndërmjet Trepçës dhe Kamzës, një përballje pa histori e dominuar në të katërta periodat nga ekipi mitrovicas. Trepça triumfoi me rezultatin e thellë 90-46 (25-13, 22-9, 23- 9, 20-15) kundër një Kamze të pafuqishme për të përballuar ritmin e kundërshtarit. Pesë lojtarë të Trepçës shënuan mbi 10 pikë, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte Darnell Edge me 16 pikë, 3 kërcime dhe 7 asistime. Për Kamzën spikati Neema Namdar me 15 pikë dhe 4 kërcime. Kështu Trepça u bë skuadra e parë gjysmëfinalsite dhe do të ketë përballë skuadrën fituese nga çifti Besëlidhja – Sigal Prishtina (sot ora 19:00).

Në ndeshjen e mbrëmjes në parket zbritën Tirana Neptun dhe Golden Eagle Ylli. Ekipi nga Suhareka fitoi me rezultatin e thellë 56-92 (25-21, 9-31, 8-30, 14-10). Tirana e filloi më mirë ndeshjen, duke luajtur me entuziazëm, për të fituar periodën e parë me 4 pikë. Por më pas Ylli shpërtheu duke i mbyllur llogaritë në dy periodat e radhës, teksa dominoi në çdo aspekt, me çerekun e fundit që u luajt vetëm për statistikë. Alonso Verge Jr “flirtoi” me tripletën dyshifrore, duke regjistruar 27 pikë, 9 kërcime dhe 9 asistime për të merituar vlerësimin MVP. Ndërsa te Tirana më të mirët ishin Endrit Hysenagolli me 10 pikë e 12 kërcime si dhe Gerald Davis me 19 pikë. Ylli tashmë do të mësojë skuadrën që do të ketë përballë në gjysmëfinale, ekip që do të dalë nga sfida e sotme ndërmjet Pejës dhe Teutës në orën 16:00.

1

2

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"