Liga Ballkanike / Tirana fantastike, mund Trepçen në debutim

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 11, 2016 | 10:25

Liga Ballkanike / Tirana fantastike, mund Trepçen në debutim

“Tirona, fitoni për ne!”. Thirrja e tifozëve bardheblu në tribunë është ekzekutuar në mënyrën më të mirë nga lojtarët në parket, teksa dje Tirana në basketboll për meshkuj ka debutuar me fitore në ndeshjen e parë të Ligës Ballkanike duke mundur me rezultatin 78-66 ekipin kosovar të Trepçes. Ky është suksesi i parë i një skuadre shqiptare në këtë aktivitet, pasi kujtojmë se vetëm një sezon më parë, Vllaznia nuk arriti dot të fitonte asnjë takim.

Paraqitja e bardhebluve mund të përmblidhet vetëm me një fjalë “fantastike”. Të besuarit e trajnerit Slobodan Petrovski dominuan nga fillimi deri në fund duke marrë një rezultat të merituar. Protagonist ishte Endrit Hysenagolli, i cili realizoi 25 pikë, mirëpo duhet t’i “ulim kapelën” edhe kapitenit Erkand Karaji, i transformuar kur vesh fanellën bardheblu. Një paraqitje shumë të mirë bënë edhe dy amerikanët, Manuel Xhonson me 21 pikë dhe organizatori Grifin Rame, i cili shënoi 11 pikë.

Tirana basket Ballkanliga

Ndeshja

Dëshirën e madhe për të fituar bardheblutë e tregojnë që në start. Rame shënoi tri pikët e para për Tiranën në Ligën Ballkanike, teksa perioda e parë e ndeshjes ka qenë në ekuilibër të plotë. Pas tre minutash lojë vjen kolapsi i parë, por nuk janë ekipet në fushë, por sekretaria, e cila katranos vënien e pikëve duke i detyruar gjyqtarët që të ndërprisnin sfidën për disa minuta. Fragmenti i parë i lojës përfundon në barazim 22-22.

Në çerekun e dytë janë bardheblutë ata që kanë komandën, duke u shkëputur deri në 10 pikë, 36-26. Por miqtë nga Kosova nuk heqin dorë, rikuperojnë dhe i ngushtojnë ‘ sërish shifrat, ndaj pjesa e parë mbyllet 43-39. Në të dytën janë sërish bardheblutë më kërkues duke krijuar një avantazh prej 11 pikësh. Petrovski në këtë pjesë hedh në parket Karajin dhe i shpaguan më së miri besimin e trajnerit, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer. Tirana ruan ritmin edhe në periodën e tretë, kontrollon mirë lojën dhe udhëheq 62-55.

Edhe në 10- minutëshin e fundit, bardheblutë administrojnë avantazhin, qarkullojnë topin e zgjasin aksionet sulmuese, duke përballuar presionin e Trepçës, që rivalizon, por dorëzohet në fund. Tirana fiton me meritë 78-66 dhe merr dy pikët e para në grup. Skuadra bardheblu ndodhet në Grupin B ku, përveç Trepçës, rivalja e djeshme, janë edhe Feni Industries e Karpos Sokoli nga Maqedonia e Sutjeska nga Mali i Zi.

Tirana-Trepca basket

Petrovski i bindur: Tirana është superskuadër

Trajneri i Tiranës, Slobodan Petrovski, “fryn gjoksin” pas fitores së djeshme kundër Trepçes, ndeshje e vlefshme për Grupin B në Ligën Ballkanike. Gjatë një prononcimi për gazetën, maqedonasi tha: “Jam shumë i lumtur, pasi kemi punuar shumë për ta përgatitur këtë ndeshje dhe ia arritëm qëllimit. Sigurisht nuk duhet të kënaqemi me pak, pasi kemi akoma shumë punë për të bërë dhe këtë ndeshje do ta monitorojmë me kujdes për të kuptuar gabimet e bëra dhe për t’i ndrequr ato gjatë rrugës”.

Më tej tekniku bardheblu tha: “Kam në dispozicion një ekip shumë cilësor që sivjet do mund të bëjë një ecuri shumë të mirë në Ligën Ballkanike dhe në kampionat. Tirana ka në organikën e saj 11 lojtarë që janë gati për të përballur sezonin dhe niveli në skuadër është shumë i lartë”. I pyetur për lojtarin më të mirë të ndeshjes, Petrovski tha: “Karaji dhe Hysenagolli. E kanë interpretuar sfidën në mënyrën më të mirë”.

Slobodan Petrovski

Karaji: E kisha ëndërruar një debutim të tillë

Teksa e shikon si lëviz në parket, duket se koha nuk ka kaluar kurrë. Kapiteni i Tiranës, Erkand Karaji, pas “emigrimit” katërvjeçar është rikthyer sërish te bardheblutë dhe e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme duke emocionuar sërish nostalgjikët e “Tiranës së madhe”, skuadrës që fitoi 5 vite radhazi kampionatin:

“Debutimi ishte siç e ëndërroja, – tha ai në përfundim të ndeshjes. – Jam shumë i lumtur për këtë fitore dhe objektivi ynë është të shkojmë sa më larg në Ligën Ballkanike. Elozhet e trajnerit? Unë po punoj shumë për të dhënë më të mirën time në parket, por sot është e kotë të flasim për emra të përveçëm, pasi kemi fituar si skuadër dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim”.

Erkand Karaji

Hysenagolli: U riktheva për trofe

Endrit Hysenagolli ka qenë protagonisti kryesor në suksesin e Tiranës përballë Trepçes, teksa me 25 pikë e realizuar ka ndihmuar bardheblutë të fitojnë ndeshjen e parë në Ligën Ballkanike: “Jam shumë i lumtur për këtë rezultat, pasi te Tirana jam rikthyer për trofe dhe kam besim se mund të kualifikohet për në fazën e ardhshme të Ligës Ballkanike”. Më tej, ai shtoi: “Sot (dje) e interpretuam ndeshjen në mënyrën më të mirë dhe kjo fitore na shton më shumë besimin në forcat tona”, tha ai.

Endrit Hysenagolli

Ceremonia ngriti siparin në Tiranë

Në praninë e presidentit të Ligës Ballkanike, Shai Striks, presidentit të FSHB-së, Avni Ponari, dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, edicioni 2016/2017 i Ligës së Ballkanike e ngriti siparin dje, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ku u zhvillua edhe ceremonia që çel aktivitetin.

Vëmendja e sportdashësve ishte e madhe, teksa mbi 1000 veta kanë qenë të pranishëm dje në “Asllan Rusi” për të ndjekur debutimin e bardhebluve në Ligën Ballkanike. Në fund, kryebashkiaku Veliaj festoi me tifozët e Tiranës suksesin e parë të bardhebluve në Ligën Ballkanike.

LEAR MAÇI





www.minuta90.com