Lena: Të ruhet grupi, fitojmë trofe. Kuqi rinovon edhe një sezon me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2012 | 14:32

Lena: Të ruhet grupi, fitojmë trofe. Kuqi rinovon edhe një sezon me Flamurtarin

‘Flamurtari duhet të ruajë kontingjentin aktual”. Në kulmin e largimeve dhe afrimeve tek ekipi vlonjat, një nga titullarët e Flamurtarit që firmosi i pari, shqiptaro-maqedonasi Nijaz Lena, jep një mesazh të qartë për drejtuesit: Të bëjnë kujdes me kontingjentin! Në një bisedë me “Panorama Sport”, Lena shpreson se ky do të jetë sezoni i sukseseve për Flamurtarin por, sipas tij, kjo nëse do të ruhet grupi aktual, ai i Ligës së Evropës. “Ky besoj se do të jetë sezoni i Flamurtarit. Ne jemi të etur për të fituar. Besoj mjaft në një paraqitje dinjitoze në sezonin e ri, por mendoj se gjërat do të ecin mirë vetëm nëse do të mund të ruhet kontingjenti aktual i lojtarëve. Nëse kjo do të arrihet, atëherë Flamurtari do të jetë pretendent edhe për trofe. Duhet të fitojmë për qytetin dhe për presidentin tonë, Shpëtim Gjika”. Ky është edhe mesazhi që ka dhënë Lena për drejtuesit vlonjatë në një kohë kur është duke u zhvilluar merkatoja e verës, e pikërisht në kulmin e saj. Ndërsa gjendet për momentin me familjen e tij me pushime në Strugë, Lena nuk ka fshehur edhe njëherë kënaqësinë e tij që është sërish pjesë e Flamurtarit edhe për një edicion tjetër. “Unë do të jap kontributin tim, ashtu sikundër bëra edhe gjatë kësaj periudhe, që Flamurtari të marrë vendin që meriton. Duhet ta ngremë këtë skuadër edhe më lartë dhe kjo do të arrihet nga të gjithë ne dhe në këtë pikë kontributi im nuk do t’i mungojë asnjëherë”, – përfundoi mesfushori Lena, i cili pas largimit të Sakajt pritet të jetë ai kapiteni i vlonjatëve.
Rinovon Kuqi – Taulant Kuqi takon drejtuesit e klubit dhe arrin me ta akordin, të paktën edhe një vit tjetër. Drejtuesit e klubit shprehen të kënaqur që mundën ta arrijnë sërish marrëveshjen me futbollistin vlonjat. Nga ana tjetër, edhe Taulant Kuqi nuk e fsheh entuziazmin. “Flamurtari duhet të jetë pretendet këtë sezon. Ne do të bëjmë përpjekjet tona që të arrihen objektivat kryesorë të klubit, të marrim të paktën një trofe. Jam i lumtur që sot (dje) rinovova me Flamurtarin. Ky ekip meriton më shumë se çfarë arriti sezonin e kaluar. Mendoj se me forcën e të gjithëve do të arrijmë t’i bëjmë realitet objektivat që na janë vënë. Në fakt, nuk ka kohë për të humbur, me të nisur stërvitjen ne duhet të mendojmë menjëherë për sezonin e ri. Flamurtari kërkon një vend tjetër në renditje, por edhe një trofe. Me këtë grup besoj se gjithçka është e mundur”, – përfundon Kuqi.

Synohet edhe një sulmues
Pas largimit të Pero Pejiçit, duket emergjent afrimi i një tjetër lojtari në repartin ofensiv. Gjasat janë që ai të jetë i huaj, por nuk përjashtohet mundësia e ardhjes së një lojtari vendës. Vetë trajneri Muça ka pranuar se i duhet edhe një blerje në sulm, pasi në këtë mënyrë mund të rritej edhe konkurrenca në këtë repart. Aktualisht Flamurtari ka në përbërje dy sulmues të mirëfilltë si Migen Memelli dhe Brunild Pepa. Të dy iu bashkuan skuadrës gjatë merkatos së verës. “Divorci” pas ndeshjeve në Evropë me Pejiçin ndryshoi planet e klubit, teksa më parë e kishte mbledhur mendjen me sulmin.

Firmosin shtatë të rinj
Shtatë të rinj të Flamurtarit, që vijnë nga ekipet e moshave, kanë hedhur dje firmat në kontratë me klubin. Burime nga skuadra e Flamurtarit bëjnë me dije se tashmë është mbyllur gjithçka me lojtarët e rinj vlonjatë. Klubi ka arritur akordin me Borakun, Bregun, Nelajn, Qejvanin, Idrizin, Xhelilin, Bishën. Nga ana tjetër, edhe vetë trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, u shpreh i kënaqur në lidhje me arritjen e kësaj marrëveshje të fundit. Sipas kreut të pankinës vlonjate, tashmë do t’u jepet mundësia edhe këtyre të rinjve që të kontribuojnë te Flamurtari në sezonin e ardhshëm sportiv.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"