LAJME SHKURT | KATEGORIA E DYTË/ Pashja: Kundërshtari meriton respekt; Pepa: Synojmë çdo ndeshje pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2021 | 12:41

LAJME SHKURT | KATEGORIA E DYTË/ Pashja: Kundërshtari meriton respekt; Pepa: Synojmë çdo ndeshje pikët

LAJME SHKURT NGA KATEGORIA E DYTË, EKSKLUZIVISHT PËR “PANORAMA SPORT”:

kategoria_dyte_cover

SHKUMBINI

Shkumbini do të udhëtojë sot në Luz, për të matur forcat me vendësit. Lorenc Pashaj e parashikon një përballje të vështirë, por të kalueshme. “Është ndeshja e radhës, që duhet kaluar me sukses. Për vetë objektivat që kemi, në Luz luajmë për fitore. Nuk kam mungesa dhe kjo më jep akoma më shumë mundësi për të përzgjedhur formacionin. Kundërshtari meriton respekt dhe vlerësim, por në fushë do të zbresim vetëm për maksimumin. Rrugë tjetër nuk kemi”, tha për gazetën trajneri, që në të shkuarën ka drejtuar edhe kavajasit.  FATMIR AHMETI

ILIRIA

Humbja e fundit në shtëpi ka sjellë pakënaqësi tek Iliria dhe sidomos për formën se si erdhi. Megjithatë, sot fushë-krujasit do të luajnë me Klosin në transfertë (në Kamzë konkretisht) dhe do të kërkojnë që të bëjnë kthesën. Kapiteni Ded Noka shkurtimisht për gazetën është shprehur: “Morëm një humbje të pamerituar me Luzin, por ky është futbolli. Përpara kemi një tjetër sfidë delikate, që meriton vlerësim. Pavarësisht renditjes që ka kundërshtari, ne duhet të kemi shumë kujdes. Duhet të japim maksimumin për të marrë pikët”. BUJAR BALLIU

NAFTËTARI

Naftëtari udhëton sot në Tepelenë, atje ku do të përballet me Delvinën. Optimizmi nuk mungon dhe qëllimi mbetet i qartë, të marrin pikët e plota. I këtij mendimi është edhe mesfushorit Azus Pepa, që për gazetën thotë: “Ne synojmë në çdo takim pikët maksimale, ndaj as Delvina nuk bën përjashtim. Mund të konsiderohemi disi të favorizuar pasi do të luajmë në fushë asnjanëse, por gjithsesi përqendrimi duhet të jetë maksimal. Delvina mbetet kundërshtar i vështirë, por do bëjmë gjithçka për të siguruar fitoren”. ARBEN ÇEPANI

LABËRIA

Ervis Kasaj kërkon Kategorinë e Parë me Labërinë. Ish-lojtari i Bylisit, Vorës dhe Butrintit, në një bisedë për “Panorama Sport” thotë se çdo ndeshje është si finale dhe se ekipi nuk do të bëjë më hapa fals. “Grupi i futbollistëve gëzon formë shumë të mirë dhe jemi të motivuar për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Jemi karikuar për të vazhduar rrugëtimin tonë për në Kategorinë e Parë. Nesër luajmë me Këlcyrën dhe është në një fushë të vështirëm, ndaj jemi të përqendruar. Është si finale, ndaj gabimet ndalohen”, tha 22-vjeçari. ERMAL SIKA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"