KATEGORIA E DYTË/ Devolli do të presë kryesuesit e Maliqit, Tërbuni merr pikë të çmuar ndaj Shkumbinit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2021 | 19:31

KATEGORIA E DYTË/ Devolli do të presë kryesuesit e Maliqit, Tërbuni merr pikë të çmuar ndaj Shkumbinit

kategoria_dyte_cover

DEVOLLI

Devolli do të ndeshet këtë javë me kryesuesin e Grupit B. Pas dy barazimeve radhazi në transfertë, po përgatiten me intensitet për takimin e shtëpisë. Ata e konsiderojnë përballjen me Maliqin si një “play off” të parakohshëm, në të cilin do të hyjnë vetëm për fitore. Fazën e parë dy ekipet janë ndeshur në aneksin “Skënderbeu”, aty ku Maliqi ka luajtur të gjitha takimet. Në këtë fushë devollinjtë kanë marrë një barazim me vlerë dhe të njëjtën gjë do të tentojnë edhe tani. Skuadra e Trifon Merakut pret që të ruajë vendin e 5-të. THANAS GJATA

GRAMSHI

Gramshi ka barazuar pa gola me Luzin, duke lënë dy pikë në fushën e vetë. Mesfushori Mikel Goga shpreh keqardhje për këtë rezultat, e megjithatë paralajmëron kthesën me Klosin. “Lamë dy pikë të çmuara, të shtunën nuk mundëm të fitonim dot. Kjo më ka mërzitur shumë, por nuk duhet ta bëjmë dramë. Kemi ende takime përpara. Shpresojmë që ndaj Klosit të zhbllokohemi, për të larë barazimin fatal. Kështu që, ndaj veriorëve do hyjmë në fushë vetëm për tri pikë, për ta bërë realitet objektivin që kemi”, u shpreh Goga. MARIGLEN MIRAKA

TËRBUNI

Tërbuni mori një pikë të çmuar me Shkumbinin, por tashmë pret vetëm fitoren. Këtë javë luajnë në shtëpi, ndërsa presin Internacionalin. Gjatë një bisede për gazetën, drejtori sportiv Viktor Gjoni thotë: “Ishim përgatitur fort për të mos dalë pa pikë nga fusha e Peqinit. Me lojën që bëmë meritonim fitoren, por na u anulua një gol nga kryesori Dyrmishi me pa të drejtë. Në stadium kishin hyrë mbi 300 tifozë, krejtësisht e ndaluar në këtë kohë pandemie. Tashmë ne do të shohim përpara e të gjejmë fitoren me Internacionalin”. DITMIR PEMA

GRAMOZI

Gramozi mundi Përmetin, por tashmë pret vazhdimësi. Kjo javë i çon në transfertë, ndërsa do të matin forcat me Delvinën. Kristi Aliko, që ra në sy për performancën e tij, për “Panorama Sport” thotë: “Kemi zhvilluar një lojë sulmuese gjatë 90 minutave. Krijuam shumë raste, aq sa mund të shënonim edhe 5 gola. Shpresoj që të fitojmë edhe në Delvinë. Një plus më shumë për fazën e dytë është edhe afrimi i mesfushorit brazilian Da Silva. Me paraqitjen e tij ai ka ndihmuar që të marrim 7 pikë në tri takimet e fundit”. KOÇO LILO

SKRAPARI

Skrapari regjistroi fitoren e parë në kampionat, duke mundur 3-2 Këlcyrën. Kishin që nga korriku i 2020-ës që e prisnin këtë moment dhe më në fund erdhi. Duket se duhet të dënohej stadiumi nga Komisioni i Disiplinës dhe të zhvendoseshin në Berat, që të vinte kthesa e madhe. Këtë javë skuadra udhëton në Përmet dhe objektivi është trepikëshi. E vështirë do të jetë, megjithatë nuk kanë në plan që të dorëzohen. Skraparllinjve u janë ringjallur shpresat për mbijetesë, por që misioni të bëhet realitet, duhet vazhdimësi. ARBEN ÇEPANI

NAFTËTARI

Naftëtari u ndal në Memaliaj. Pas fitoreve me Labërinë dhe Albpetrolin, kuçovarët “ngecën” te barazimi. Megjithatë, skuadra ka ruajtur të njëjtat pozita dhe kjo i jep një lloj qetësie. Skuadra vuajti mungesat e disa futbollistëve titullarë në atë 90-minutësh, ku veçohet ajo e mesfushorit me përvojë Ardian Gega, që njëkohësisht është edhe zv.trajner (i pezulluar nga Disiplina për 6 ndeshje). Këtë javë luajnë në transfertë me Këlcyrën dhe qëllimi do të jetë vetëm një, rikthimi te triumfi. ARBEN ÇEPANI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"