Laçi për “hakmarrje” ndaj Bylisit, kurbinasit kanë një lajm të mirë për tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 11:40

Laçi për “hakmarrje” ndaj Bylisit, kurbinasit kanë një lajm të mirë për tifozët

Laçi i trajnerit Armando Cungo ndodhet në një pozitë të favorshme, pasi në dy javët e fundit ka shfrytëzuar kalendarin duke marrë pikët e plota ndaj dy skuadrave të fundit, Flamurtarit dhe Luftëtarit. Sot kurbinasit kanë një provë force, e cila ka vlera të dyfishta për të besuarit e trajnerit Cungu.shehu laci

Ndaj Bylisit luhet në shtëpi dhe si fillim shikohet si një mundësi për të marrë “hak” ndaj ballshiotëve që i eliminuan nga Kupa e Shqipërisë. Por trepikëshi kërkohet sot më shumë për të krijuar një vazhdimësi rezultatesh, në mënyrë që të mbeten në luftën për sigurimin e një bilete për në Kupat e Europës.

Trajneri Cungu ka edhe një avantazh tjetër në këtë takim, pasi do ta ketë grupin më të plotë se kurrë në javët e fundit. Rudolf Turkaj rikthehet nga pezullimi, kështu që formacioni merr trajtën normale dhe problemi i vetëm mbetet braziliani Teko, i cili mungon prej disa javësh për arsye dëmtimi.

Duke ditur rëndësinë e këtij takimi, klubi ka ndryshuar mendim duke e bërë hyrjen falas për tifozët në tribunën përballë, ndërsa hyrja në tribunën qendrore do të jetë me biletë. Klubi u ka bërë thirrje qytetarëve laçianë që të jenë sa më të shumtë sot në stadium në mbështetje të ekipit, në mënyrë që të marrin maksimumin ndaj Bylisit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"