Labinoti i Elbasanit 1984 dhe Bujar Gogunja “1037”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2015 | 9:03

Labinoti i Elbasanit 1984 dhe Bujar Gogunja “1037”

Besnik Dizdari

Nga BESNIK DIZDARI

* Rasti i bujshëm i 1984-ës: skuadra e Elbasanit – e vetme kundër të gjithëve
* Hap mbas hapi e gjithë historia sensacionale e kampionatit 1984
* Historia e rekordit të paarritshëm të portierit Gogunja e 1037 minutave rresht pa gol

1.

Çudi e madhe vërtet! Të kujtosh këte ngjarje në ditë të vështira të një skuadre, si këto të KS Elbasanit 2015, alias Labinoti i dikurshëm! E shkas m’u bë Bujar Gogunja – portieri i madh shqiptar – i mbuluar me një heshtje disi të largët, ngaqë ne jemi shumë “aktualë” dhe harrojmë fort. Ose nuk harrojmë kur për kushedi ç’arsye, shkruajmë jo duke pas synim kryesor shpalosjen e historisë së vërtetë, por ngaqë duam t’i bëjmë qejfin dikujt. Mirëpo, kështu e cenojmë gazetarinë e vërtetë. Historia e Bujar Gogunjës nuk është e veçueme.

Është e lidhur me një skuadër, e cila qe detyruar që për 33 vjet të tana (1957-1990) të merrte emrin e një fshati pak kilometra larg tij, thjesht sepse ai fshat ishte epiqendër e një mbledhjeje vendimtare të Partisë Komuniste Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, po dhe të shndërrimit të çetave partizane në Ushtri Nacional Çlirimtare. Ndonëse qyteti me emrin Elbasan, përherë ka qenë përfaqësuesja e një qendre të rëndë- sishme të zhvillimit të futbollit në Shqipëri.

Nga Kont Urani, SK Elbasani apo Bashkimi Elbasanas e Puna e Elbasanit dhe deri te Labinoti, për ne është një histori e bukur, e pasur dhe me plot ngjarje të paharrueshme themelimi e vazhdimësie. Mirëpo, fati e desh që pikërisht me emrin gjeopolitik “Labinoti”, skuadra e Elbasanit të arrijë më 1984 suksesin unik të saj, duke u bërë për herë të parë kampione e Shqipërisë edhe për nderin e Kont Uranit, Bashkimit dhe Punës… Ngjarja për historinë tonë është e jashtëzakonshme dhe ajo hyn në tri ngjarjet më të bujshme në vetë historinë e kampionateve të Shqipërisë.

E para është ajo e 17 Nëntorit të Tiranës – kampione më 1965, duke thyer mbas Luftës sundimin 20-vjeçar të PartizanDinamos. Ngjarja e dytë është ajo që shfaqet nën emrin e Vllaznisë së Shkodrës – kampione kombëtare më 1972, duke thyer sundimin 25-vjeçar të kryeqytetit. Ngjarja e tretë është kjo e Labinotit të Elbasanit, jo thjesht sepse u bë skuadra e dytë mbas Vllaznisë që triumfon në duelin e ashpër me kryeqytetin. Po sepse pikërisht më 1984, një nga vitet më të shkëlqyera të futbollit shqiptar, Labinoti i Elbasanit, edhe pse nuk ftohet assesi për të bërë pjesë në ngjarjet ndërkombëtare të mëdha të atij viti, përderisa asnjë futbollist i tij nuk thirret, ai ia arrin të mposhtë të gjithë skuadrat e Shqipërisë.

Dhe ajo që suksesin e Labinotit dhe të Bujar Gogunjës e ngre shumë lart, është fakti se suksesi i bujshëm elbasanas u arrit në një nga kampionatet më të fortë në historinë e Shqipërisë. Madje, në një stinë futbolli që e vendosi Shqipërinë në anale europiane. Dhe, për të kujtuar se çka qe viti 1984, veçojmë Kombëtaren, e cila mbas 2-2 në Poloni dhe 2-0 me Belgjikën në Tiranë, papritmas u bë mëtuese për të shkuar në Fundoret (Finalet) e Kupës së Botës në Meksikë dhe se stina 1983-’84, e sunduar prej Labinotit të Elbasanit, krijoi Shpresën e Shqipërisë në 8-she të Europës kundër Gjermanisë, Austrisë e Turqisë dhe në fund edhe të Italisë, pa asnjë thirrje për skuadrën e Elbasanit.

Lojtarët e Labinotit qenë krejt jashtë, si një ishull, si një kundërshtar, si një i izoluar, i cili i vetëm kishte vendosur të luftonte kundër të gjithëve. Dy trajnerë ende pa shumë reputacion asokohe, por figura të shquara të futbollit të Elbasanit dhe atij kombëtar, Frederik Jorgaqi dhe Dashamir Stringa, në heshtje e modesti shembullore, nisën kësisoj, në ditën e diel të 28 gushtit 1983, më të madhen aventurë të jetës së tyre dhe të futbollit të qytetit të tyre.

2.

Ka qenë 28 gusht 1983, java e parë e kampionatit, i cili padrejtë- sisht quhej i 38-ti, në një kohë që ishte i 45-ti, dhe Labinoti-Traktori i Lushnjës 3-0 me gola të Lunikut dhe të Popës, si dhe të vetëgolit të Muzakës së Traktorit. Dhe, papritmas, Labinoti në krye të Renditjes qysh në këtë javë të parë! Askush nuk mendonte ndërkaq, se sa fatal do të ishte ky kryesim simbolik, sidomos për skuadrat e kryeqytetit. Kjo do të ishte pikërisht skuadra, e cila, mbas 9 muajve, do të kurorë- zohej kampione e Shqipërisë, çka atë ditë gushti askujt nuk i shkonte ndër mend…

Me cilësinë e kryeredaktorit të gazetës “Sporti popullor” (që më mbas e shndërrova “Sporti Shqiptar”) – një nga tetë gazetat kombëtare të Regjimit, në editorialin e kampionatit, që asokohe i thosha “Dukuri të Javës”, pata shkruar këto radhë, të cilat sot, mbas 32 vjetëve, më pëlqen t’i përcaktoj si emblematike: “… Megjithate në krye të Renditjes është “Labinoti”. Kishte pritur gati pesë vjet për t’u ngjitur në këte pozitë. Për herë të fundit kishte qenë në krye, më 19 nëntor 1978 kur pati mundur 1-0 pikërisht Traktorin në Elbasan.

Edhe tani po fiton me te, veçse 3-0. Pesë vjet duke pritur për një çast të tillë “të lumtur”! Po përse të jetë një çast dhe jo vazhdimësi? Labinoti kërkon të shohë larg…” A kam të drejtë ta konsideroj këte kalim, si parashikues po aq fatal të ngjarjes së madhe, kur paskam përcaktuar “vazhdimësinë” dhe “vështrimin larg” të skuadrës së Elbasanit? Reportazhi i ndeshjes së parë për çudi mban firmën e një poeti të qytetit, Musa Vyshka, në përpjekjet e redaksisë për të afruar penda të një stili e kulture tjetër në “Sporti popullor”, biri i të cilit, i riu Gjergj Vyshka, sot i ka hyrë pikërisht rrugës së gazetarisë sportive. E firmosur kësisoj nga Vyshka “senior”, nuk ma merr mendja se poeti i shquar elbasanas do të ketë parashikuar titullin e kampionit për Labinotin kryesues të parë. Sepse, mbas shtatë ditëve, Flamurtari i Petro Rucit, Kreshnik Çipit, Rrapo Tahos, Latif Gjondedës, Edmond Liçajt, Alfred Zijait, Pandeli Xhahos, Vasil Rucit dhe Agim Bubeqit dhe i drejtuar nga i pashlyeshmi Agron Sulaj, u dhuron një 3-0 të papërmbajtshëm në Vlorë elbasanasve dhe brenda javës Labinoti zbret nga vendi i parë në të shtatin. Ishte një 11-sh i ndryshuar në këte ndeshje, krejt i ri madje: 21 vjeç mosha mesatare! Kështu, Labinoti harrohet me shpejtësinë e harrimit të ëndrrave: mbrenda shtatë ditëve, duke zhvleftësuar për çastin edhe parashikimin tim emblematik.

Në javën 3, elbasanasit fitojnë me vështirësi 1- 0 me golin e Mitrollarit mbas një gjykimi të shkëlqyer të gjyqtarit debutues Mehmet Spahiu, sot një veprimtar i futbollit dhe pedagog i tij. E, në javën 4, rishfaqet po Mitrollari teksa lëshon predhën tjetër të tij nga rreth 25 metra larg dhe 1-0 Labinoti- Lokomotiva e një 11-shi të shkëlqyer me dy vëllezërit Ballgjini në krye. Mandej, në javën 5, Labinoti i dorëzohet 2-0 në Tiranë 17 Nëntorit, bie në vendin e 7-të, fiton 2-0 me Skënderbeun në Elbasan në javën 6 dhe prapë goli i Mitrollarit që nuk mungon. Nuk bën përshtypje të fortë as kjo. Kështu, si pa zhurmë, mbërrijmë te 16 tetori 1983, për rastësi datë e 75-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, që në Shqipëri merr përmasa gjigante.

Po për përkim është edhe dita historike e Labinotit të Elbasanit. Ngjarja gjen skenën e vet pikërisht në Tiranë: Dinamo-Labinoti 1- 2! E nënshkruar prej treshes së guximshme të gjyqtarëve po nga kryeqyteti: P.Kotherja-U.ZajmiR.Demetja! Kjo është fitorja sensacionale. Kjo është ajo, dita fatale për tri skuadrat e kryeqytetit, të cilat në atë vit 1983 mëtonin titullin, duke menduar para kohe se gjithçka do të ishte çështje e mbrendshme e tyre. Labinoti kalon në epërsi me vetëgolin e Ndreut, thellon me Lunikun dhe Dinamo ka vetëm një gol ngushëllues në të 90′ prej një 11- metërshi të shndërruar nga Demollari.

Gjithë gjykimi teknik i fitores së madhe gjendet në shkrimin e “Sportit popullor” me autor, as më pak e as më shumë, por gazetarin tonë të paharrueshëm Veli Rada, për fatalitet, sot i sapo ndarë nga jeta, në kulmin e radiokronikës së tij, po herë pas here edhe me shkrime në “Sporti popullor”, gazetë që e pakta prej më se dy vjetësh kishte grumbulluar “nacionalen” e gazetarëve. Të cilën e nxjerr në fush- ën e krijimit në numrin e tij të çdo të marte. Shkruan Rada: “… Mbrojtja elbasanase mbetet pika më e fortë dhe kjo edhe për faktin se në takimin e së dielës pati shumë punë në dialogun e gjatë me sulmin dinamovit, duke dalë pothuajse gjithmonë fituese, si rezultat i qetësisë në veprime dhe i luftës së fortë për topin e parë.

Ky repart me Gogunjën e shquar, me Lleshin e Deliun, u pëlqye dhe u duartrokit nga sportdashësit”. Kaq. Eshtë vërtet e çuditshme, po fati i kampionatit vendoset bash në këte ditë kur Labinoti i Elbasanit merr kryesimin dhe nuk do ta lëshojë më deri në ditën e 20 majit 1984, ditë kur do të konsakrohet kampion i Shqipërisë! Çka do të thotë 20 javë rresht në krye – një rekord i kohës!

Dhe në atë ditë të 16 tetorit 1983, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë që për Partinë ishte i 38-ti dhe për historinë i 45-ti, nis odisenë e skuadrës së Elbasanit, nis trimëria e saj për të mposhtur 17 Nëntorin, Partizanin, Dinamon, po dhe Flamurtarin, Vllazninë e Lokomotivën në një nga kampionatet më të baraspeshuar që njeh historia e futbollit shqiptar. Sfida kundër një opinioni, lufta kundër kreut të BFSSH-së, të cilin çuditërisht do ta kishte kundërshtar për të mbërritur suksesin e madh, qysh nga kjo ditë do të përshkoheshin në një rrugë të gjatë, të mundimshme, të një sakrifice, veçse po kaq dhe të palëkundshme. Labinoti ishte si një luftëtar i vetëm, i rrethuar nga të gjitha anët, por që duke u mbështetur në rrahjet impulsive të zemrës së tij të pandalshme, sfidon gjithçka.

3.

Dhe prapë vijmë te një përcaktim mbase edhe më emblematik se sa ai i editorialit tim të javës së parë. Eshtë një intervistë me trajnerin elbasanas Frederik Jorgaqi, të paharrueshmin tonë madhështor që fati i pamëshirshëm e ndau para kohe nga jeta, botuar më 18 tetor, i cili mbasi me modesti thotë se “objektivi ynë kryesor është renditja mbrenda vendit të gjashtë”, përfundon me këte dëshirë – parashikim, çka vetvetiu kundërshton thënien e parë: “… Do të jetë një gjë shumë e bukur sikur kampion në këte sezon të shpallet një ekip që s’e ka fituar asnjëherë titullin”. A i kishte shkuar ndër mënd Jorgaqit, atë ditë të 18 tetorit 1983, se ky ekip do të ishte pikërisht Labinoti që drejtonte ai, të cilin ai e përcakton po atë ditë me një saktësi po aq fatale kur deklaron:

“Përvoja e Gogunjës, Lleshit, Deliut, Mitrollarit e tjerë, merr ngjyra të reja, vlera të veçanta kur kanë përkrah vrullin e Arapit, Ramës, Tafanit, Lunikut, Staçenit, Agalliut, Asllanit, e tjerë. Padashur kishte rreshtuar kampionët e Shqipërisë. Frederik Jorgaqi tashmâ e kishte nisur misionin e tij historik. Ky njeri, që kishte përfshirë në biografinë e tij protagonizmin në 11-shin që kishte eliminuar Gjermaninë e Helmut Shenit më 1967, ky djalë serioz, i pafjalë, futbollist i përmasave historike, në të vërtetë, atë ditë të 16 tetorit 1983, kishte nisur ndalimin në vend të një historie për krijimin e një historie tjetër: t’i dhuronte Elbasanit të tij sportiv një titull të paparashikuar futbolli. Labinoti shkonte kështu drejt këtij titulli, kur ende nuk kishte nxjerrë në fushën e betejës armën e tij të fshehtë.

Po cila do të ishte kjo armë e fshehtë?… Kryesimi i Labinotit pas javës 7, përbën çastin e kthesës së madhe të ecurisë së kampionatit. Një javë më vonë, më 23 tetor 1983, Labinoti vuan në ndeshjen me 31 Korrikun e Burrelit dhe fitorja është vetëm 1- 0 me golin e Tafanit. Kjo është java kur skuadra e Elbasanit kalon në 2 pikë në epërsi, sepse Flamurtari ka një 0-0 në Vlorë me Tomorin dhe ajo çka është më e rëndësishme, ndeshja 17 Nëntori-Dinamo është po ashtu 0-0. Ky është çasti kur tashmà nis shqetësimi i madh për Labinotin. Gazetari Ahmet Shqarri, në komentin e javës në “Sporti popullor”, thotë në mënyrë lakonike: “Eshtë Labinoti që kryeson.

Dhe kjo është aq nxitëse për këte skuadër luftarake…” Në të vërtetë, kjo është dita e startit të madh: kalimi në epërsi të qartë pikësh i elbasanasve. Kështu mbërrihet te ndeshja e madhe për kohën, ajo Vllaznia-Labinoti, ose ndryshe “Kampionët përballë pretendentëve”, siç përcakton gazetari Ymer Striniqi, autor i një komenti ku dalin qartë vlerat e 11-shit elbasanas. Vllaznia, e cila ishte vërtet kampione në fuqi, kishte një skuadër sërish pretenduese me Hysen Dedjen, Ferid Ragamin, Astrit Hafizin, Luan Vukatanën, Fatbardh Jerën – firma të mëdha të futbollit shqiptar të kohës. Por është një 1-1 i merituar i miqve në një stadium “Vojo Kushi”, siç quhej asokohe, me plot 12.000 shikues. Protagonisti dihej: portieri Bujar Gogunja dhe kundërsulmi i shpejtë elbasanas, që kësaj here gjen shprehjen e vet te goli i rrufeshëm i Roland Agalliut në 45′ – i vetmi kryeqytetas në 11-shin mik – mbas kryesimit të Vllaznisë, por me një vetgol të Arapit! Dhe mû kjo do të ishte arma e fshehtë e këtij Labinoti: portieri Bujar Gogunja, 27 vjeç, vetëm 177 cm i lartë.

Pas kaq vitesh Shqipëria ka në kampionatin e vet një portier jo shtatlartë – protagonist i një elasticiteti, parashikueshmërie, intuite, akrobacie, organizator i shkëlqyeshëm i një mbrojtjeje: Bujar Gogunja, i cili po bëhej gati të ndërmerrte përvetësimin e një rekordi që do të hynte në analet e historisë së futbollit botëror. Duhej pritur edhe pak, ndonëse tashmâ arma e fshehtë e Elbasanit ishte bërë e njohur: portieri i pathyeshëm. Ka qenë 30 tetor 1983 dhe ndërsa 17 Nëntori barazon 1-1 në Burrel e Partizani e Lokomotiva fitojnë përkatësisht 1-0 e 4-2 ndaj Traktorit dhe Luftëtarit, largësia ngushtohet në vetëm 1 pikë të kryesuesve me Elbasanin. Dhe është vërtet e çuditshme, po Labinoti do të ketë një fat të rrallë gjatë këtij Kampionati. Do të jetë skuadra që do të dijë të përfitojë më fort se askush nga baraspesha e padëgjuar e kësaj gara datuar 1983-84. Ai rrëmben fitore të ngushta rregullisht, ndërkohë që e pakta pesë mëtues (pretendentë) të tjerë, duke filluar nga Partizani, 17 Nëntori, Dinamo e deri te Flamurtari e Lokomotiva, gjithmonë do të kenë lënie pikësh midis vedi, në ditë të fitoreve të elbasanasve.

besnik4.

Java 10 është tipike në këte grafik. Ka qenë 3 nëntor 1983. Dhe ndërsa Labinoti fiton 2-0 me Tomorin, ndjekësit të gjithë lënë pikë: Dinamo – Lokomotiva 3-3, 17 Nëntori – Vllaznia 1-0, Flamurtari – Partizani 0-0. Dhe sërish + 2 pikë për kryesuesit nga Elbasani. Kështu vijmë te java 11, e cila ka gjithë pamjen groteske të çudive të futbollit. Labinoti humbet 0-1 në Kavajë prej golit të Idrizit në të 55′ dhe u tha se kjo humbje erdhi thjesht prej ndërprerjes së kampionatit, për shkak të ndeshjeve të mëdha të Kombëtares dhe Shpresës në Gjermani, 1-2 dhe 1-1, ndeshjet më historike ndoshta të Kombëtares së Shqipërisë që sjellin edhe kualifikimin e 21-vjeçarëve të Ramazan Ragamit e Petraq Ikonomit në 8 më të mirat e Europës.

Asnjë lojtar i Elbasanit nuk përfshihet në këto formacione shqiptare, çka do të thotë as Ferdinand Lleshi, as Luan Deliu dhe as Ardian Popa, të cilët përbënin një treshe të shkëlqyer të stinës, kur dihej madje, se Lleshit dhe Popës, Loro Boriçi ua kishte blatuar fanellën e Kombëtares qysh më 1981! E në këte rikthim kampionati, pas një ndërprerje 24 ditësh, Labinoti shkon e humbet 1-0 në Kavajë. Duket se kjo ishte java më e keqe e tij. Por kjo është dhe java fatale për gjithë mëtuesit e tjerë. Vështroni se çka ngjet: Vllaznia humbet në Shkodër 1-2 me Skënderbeun, 17 Nëntori barazon 0-0 në Berat, dhe çka është më e rëndësishmja, Partizani humbet 0-3 brenda në Tiranë prej Naftëtarit të Qytetit Stalin!

Në një kohë që në 11-shen e Partizanit ishin jo pak, por plot pesë protagonistë të dramës 1-2 të Srabrucken-it me Gjermaninë: Musta, Eksarko, Hametaj, Tomori, Lika! Ngjarja është e paprecedentë për gjithë kampionatet shqiptare dhe ajo hyn ndër sensacionet më të mëdha të tyre. Kjo ka qenë dita e një “show” të paparë të Aleksandër Koçit dhe të Agim Metës, sidomos e të parit, një xhongler i topit – autorë të tre golave të një interpretimi të rrallë. Regjia e lojës ishte e trajnerit Fiqiri Duro, pa dyshim kujtimi më i madh i jetës së tij sportive: Naftëtari 3-0 Partizanit në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”! Nuk mund të harrohet! Dhe Labinoti që mbetet në krye. Nuk do të humbiste më deri në jav- ën e fundit të kampionatit. Ky kishte për të qenë rekordi i Elbasanit, i mbështetur në një rekord vetjak (individual) ndërkombëtar që do të mbante emrin e Bujar Gogunjës. E, fati është i kryesuesit të papërkulur, edhe në javën 12, më 4 dhjetor 1983. Ai barazon 1-1 në Elbasan me Partizanin, por vështroni se çka bëjnë ndërkaq, kundërshtarët e tij, të cilët humbasin të gjithë pikë të çmueshme, me në krye humbjen e bujshme 1-0 të Lokomotivës së Durrësit në Burrel me 31 Korrikun, për shkak të golit që rrallë mungon për matjanët: të Dali Farukut në të 36′, duke e zbritur përfundimisht skuadrën durrsake nga vendi i dytë për krejt kampionatin. Kështu pra: Dinamo – Vllaznia 1-1, 17 Nëntori – Besa 1-1, Flamurtari – Traktori 0-0! Si t’i kishte rregulluar me dorë vetë Labinoti.

Ndeshja e tij me Partizanin ka përcaktimin më të mençur te kronika e gazetarit Sefedin Allkja, i cili shkruan: “Labinoti humbi pikën e parë dhe pësoi golin e parë në fushën e tij, por nuk humbi kryesimin e tabelës së renditjes, duke ruajtur njëkohësisht dhe autoritetin e tij pas atij barazimi dramatik me Partizanin”. Komentet e tjera do të ishin të tepërta. Ironia e fatit për mëtuesit vazhdon thuajse identike edhe një javë më pas. Përsëri Labinoti lë pikë, 1-1 në Gjirokastër me Luftëtarin e Sefedin Brahos e të Astrit Bonit, vepra më e pashlyeshme e trajnerit Hito Hitaj. Po vështroni ndërkaq se çka u ndodh të tjerëve: Vllaznia – 31 Korriku 0-1! Tomori – Dinamo 0-0! Besa – Skënderbeu 1-0! Partizani – 17 Nëntori 0-0! Lokomotiva – Flamurtari 0-0!

5.

Kur mbërrin 11 dhjetori 1983 dukej sikur ndodheshim para një force hipnotizuese të Labinotit, të cilit kurrsesi nuk i tronditej vendi i parë! Elbasani është “kampion i vjeshtës”! Kjo ka qenë dita kur tashmâ, skuadra e Elbasanit ishte shndërruar në e frikshme, ose më qartë në e padorëzueshme. Kjo ishte dita kur në kancelaritë e kreut të BFSSH-së, armike e çdo ngritje krye të futbollit jashtë kryeqytetit, ngjallte jo më alergji, por nervozizëm, shpesh dhe malinj. Ky 11 dhjetor 1983 i titullit simbolik, në të vërtetë ishte themeli i titullit të madh të pranverës.

Labinoti nuk do të ndalej më. Portretizimi që i bën kësaj kampioneje të ardhshme shkrimtari Teodor Laço, të cilin e kisha ftuar në “Sporti popullor” për përmbyllësen e periudhës (fazës) së parë, është një nga bukuritë e gazetarisë sonë sportive: “Kemi një kampione me kurorë, – shkruan Laço, – po me ambicie të mëdha. Oreksi vjen duke ngrënë. ‘Përderisa kam fituar një kupë, përse të mos fitoj një kampionat?’, thotë Labinoti. Ai ka qenë edhe tjetër herë kockë e fortë. Por kocka bluhej. Tani ajo është çimentuar më mirë. Kulmin e pati në pesë javët e mesit kur mori 9 pikë në 5 ndeshje.

Afrimi i dimrit sikur e bëri të mërdhijë pak: vetëm dy pikë në tri ndeshje. Ekipit filluan t’i bëjnë sfidën që u bëhet “të mëdhenjve”, paçka se nga radhët e tij s’ka asnjë titullar të ekipeve kombëtare. I vjen pak çudi nga kjo, por nuk e prish terezinë sepse i shikon të tjerët nga selvitë e Namazgjasë. Sidoqoftë, selvitë nuk janë ende oxhakë të metalurgjikut. Do të ngjitet deri aty?… Forcat i ka. Ekipi i sotëm, forcës dhe sedrës së vjetër i ka shtuar mendimin. Lojë racionale jashtë fushës, lojë entuziaste e agresive brenda. Si short, faza e dytë duket pak më e vështirë, por ai ka moralin që të jep lartësia”. Ky portretizim-parashikim prej penës së një shkrimtari, njohës dhe ndjekës i mirë i futbollit, shkon përtej emblemës. 10 vjet më vonë ky njeri, shkrimtari Teodor Laço, do të bëhej pikërisht ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në demokraci, duke u marrë jo pak edhe me futbollin, çka në atë stinë ourelliane “1983-1984” as që mund ta ketë imagjinuar.

Ajo që ai po mendonte në atë dhjetor të ftohtë të regjimit, ishte një parashikim për Labinotin e Elbasanit – kampion të mundshëm të Shqipërisë. Ai thoshte ate që ende nuk guxonte ta thoshte po atë ditë vetë trajneri elbasanas, Frederik Jorgaqi: “Ende na mbetet për të bërë lojën sulmuese”. Po Jorgaqi kishte qenë një mbrojtës i madh. Kurrë nuk do ta bënte sulmuese skuadrën e tij.

Do ta bënte një mbrojtëse të pakalueshme dhe një kundërsulmuese të shkëlqyeshme të një taktike. Madje e kishte bërë. Skuadra e Elbasanit kishte sunduar stinën sportive shqiptare në një nga vitet më të veçantë sportivë të saj. Emanuela Kola ishte shpallur Kampione e Europës në qitje për të rejat. Pavlina Evro – Nënkampione e Europës në 1500 metra për të reja. Shpresa e Shqipërisë në futboll kishte hyrë në 8 më të mirat e Europës. Partizani për herë të parë ishte midis 12 më të fortave të Europës në basketboll… E megjithate, në këte dhjetor 1983, të dukej se më tepër po flitej.

(Kjo pjesë ka qenë e botuar në 12 mars)

Vazhdimi:

6.

Teksa risjell këtu këtë kapitull të rrallë të librit të madh të kampionateve të Shqipërisë, tek shoh skuadrën e sotme të Elbasanit në rropatjet e saj për t’i shpëtuar rënies, habitem edhe më fort se çka bërë kjo skuadër në vitin e largët 1984, pa dyshim në një nga kampionatet më të bukur, më të fortë, më mbresëlënës të Shqipërisë. Sa kapriçioze është vërtet historia! Thonë se shkruhet më vonë, mirëpo në mënyrën e parë të saj ajo shkruhet edhe kur ndodh. Kështu ngjet me rastin e bujshëm të Labinotit të Elbasanit 1984.

Nuk gaboj kur them, ndonëse kjo skuadër do të shpallet aq bukur kampione e Shqipërisë edhe më 2006, “1984- tra” është vërtet i pakrahasueshëm. E kur kujtoj mandej se çka mund t’i ngjasë kësaj skuadre në këtë vit 2015, kur kujtoj se në katër vitet e fundit tri herë rresht ka qenë skuadër e Kategorisë së Dytë (ajo që vazhdohet me kryefortësi të quhet johistorikisht Kategori e Parë), vetvetiu më përzihet nostalgjia me trishtimin. Dhe dua t’i largohem këtij të fundit, duke kujtuar mrekullinë sfiduese 1984. Edhe me dëshirën e fortë për t’i kujtuar brezit të ri, se në Shqipërinë diktatoriale aq shtypëse, ka pas edhe djem e skuadra sportive që ia lehtësonin sado pak jetën e vështirë këtij populli. Labinoti i Elbasanit i vitit 1984 qe një prej tyre… …Dhe më duhet të shkoj te 12 shkurti 1984, kur duhej të përjetohej një dramë e vogël për elbasanasit.

Ata eliminohen nga Kupa e Shqipërisë qysh në 1/8-at e fundoreve, duke u bërë viktimë e një skuadre modeste siç ishte Besëlidhja e Lezhës, asokohe skuadër e Kategorisë së Dytë! Barazim 0-0 në Lezhë dhe humbje 1-2 pikërisht në Elbasan! Sidoqoftë, ishte Besëlidhja e Feim Ramës – legjendë për të. Askush nuk mund ta mendonte megjithatë se, mbas asaj periudhe të shkëlqyeshme të kampionatit, kryesuesja e tij do t’i dorëzohej kësisoj një skuadre të Kategorisë së Dytë. Shkrimtari Pëllumb Kulla e përcakton kështu me humor në esenë e tij për Kupën: “Urojmë elbasanasit… Ç’t’i bësh më!… Kampionë të vjeshtës! Kampionë të vjeshtës, po … tani është mesi i dimrit!” E si do ta kalonte përmes të ftohtit të janarit 1984, skuadra e Elbasanit, këtë traumë të papritur? Kundërshtarët u shfaqën menjëherë në skenë. U tha pa mëshirë: “Ky është Labinoti. Kaq e kishte!”. Dhe unë, në shkrimin analitik të 14 shkurtit, me fillimin e kampionatit, me titull “Stili i Kampionatit”, vë këtë fjali të parë: “Tjetër kupa, tjetër kampionati”, duke i dhënë fund, të paktën në shtyp, jehonës së pakëndshme të eliminimit të Labinotit nga Kupa.

Dhe vazhdoja pa mëdyshje: “… Tani është ‘Labinoti’ ai që ndihet me të gjithë atributet, zot shtëpie. Për të 9-ën herë kryeson kampionatin. Nuk mund të jetë rastësi. Në të vërtetë është zotësi, madje jo e vogël”. Shpejt u pa se eliminimi nga Kupa nuk ishte asgjë tjetër veçse rrjedhojë e një euforie të çastit. Dhe 2-0 në Lushnjë falë golave të Mitrollarit dhe Begës të sapoardhur nga skuadrat jashtë qytetit të Elbasanit, së bashku me Branicën, po mbrenda rrethit të tij – lojtarë mjaft të mirë, të panjohur – ardhja e të cilëve nuk ngjallte asnjë pakënaqësi nga rivalët. Nuk i njihnin dhe nuk arrinin të kuptonin se me ta Labinoti kishte zgjeruar petalet e “lules” së tij plot aromë.

Trajnerët Jorgaqi dhe Stringa në heshtje, tashmâ po merrnin masat e duhura. Rruga drejt titullit po shkurtohej me shpejtësi dhe në këtë Javë 14, mbas ngjarjeve gjithmonë tronditëse për ndjekësit e Labinotit, ky e sheh veten sërish 2 pikë përpara. Ndikimi i ndeshjeve Luftëtari-17 Nëntori 1-1, Partizani-Skënderbeu 0-0, Besa-Dinamo 1-0 dhe Vllaznia-Lokomotiva 1-0, punonin vetëm për forcimin e pozitës së skuadrës së Elbasanit. Si puna e fitores së paradoditshme të Partizanit ndaj SK Tiranës, që aq fort i shkoi për shtat Skënderbeut dhe Kukësit në këtë 2015 Dhe, mbas një jave, 1-0 në Elbasan me Flamurtarin. Dhe përsëri debutuesi Bega, çast kur Labinoti-17 Nëntori shndërrohet në duelin e kampionatit.

Untitled7.

Mû në këtë çast pra kishte nisur rekordi i madh i portierit Bujar Gogunja që do ta çojë atë te 1037 minuta lojë pa pësuar gol. Ky fillim daton pikërisht në Javën 14, më 12 shkurt 1984, dhe kështu për bukur 11 ndeshje rresht, porta e Elbasanit nuk do të prekej prej askujt dhe portieri Gogunja do të harrojë se mbas shpine ka një rrjetë. Ky do të ishte portieri i pakalueshëm, i paprekshëm, i pamposhtur madje, për tre muaj me radhë: 11 ndeshje, 1037 minuta lojë dhe çdo javë mbrapa germave “L-a-b-i-n-o-t-i” do të ketë një “zero” tronditëse për krejt opinionin e një kampionati. Asnjëherë kjo shifër nuk kishte marrë rëndësi më të madhe se në këtë vit 1984 për futbollin shqiptar.

Tashmâ, më fort do të flitej për atë se, cili do të ishte futbollisti që do të mund të prekte një herë të vetme këtë rrjetë që ishte betonuar, se sa të pushtohesh kreu elbasanas i Renditjes prej një skuadre tjetër. Ndonëse gara ishte tejet e fortë dhe gjithmonë e ngushtë në largësi. Dhe pikërisht për shkak të kësaj gare të fortë, të ashpër, pa kompromis që udhëtonte për te titulli kampion rriteshin vlerat e “heroizmit” të Bujar Gogunjës. Sepse në atë 1984 nuk ka qenë si sot pra, si ky kampionat i vitit 2015 ku më shumë se gjysma e skuadrave, madje qysh në gjysmë të kampionatit, kanë dalë jashtë garës dhe thuajse nuk luajnë asnjë rol sado pak përcaktues. Do të shihni në fund të këtij shkrimi Renditjen e kampionatit 1984 dhe do të kuptoni se sa larg jemi edhe me një kampionat të 30 viteve më parë. Më 1984 edhe skuadra që ka zënë vendin e fundit, të 14-in, që është 31 Korriku i Burrelit, ka plot 7 fitore!

Që do të thotë se skuadra e 14-të e Shqipërisë 1984 ka më shumë fitore se skuadrat e 8-të, e 9-të dhe e 10-të e kampionatit të vitit 2015! Ndërkaq, ajo kishte vetëm 5 pikë më pak se skuadra që zuri vendin e pestë, që ishte Lokomotiva e Durrësit. Dhe vetëm në 26 javë kampionat! Jo sa ky i paarsyeshmi i vitit 2015 me 36 javë e përsëritje kaq monotone ndeshjesh. Pa shkuar te drama: plot 7 skuadra të atij kampionati 1984 sot nuk janë pjesëmarrëse të kampionatit kombëtar 2015. Dhe jo dokushdo, por skuadrat me emrat e mëdhenj për ne si Dinamo e Tiranës, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës apo Traktori i Lushnjës… E kemi prishur keqas kampionatin e Shqipërisë në këtë 2015. Aq më tepër, kur kujton se mund të na ikin Elbasani e Fieri, për të mos shkuar te Teuta e Durrësit!… I kthehemi vitit 1984. Java 16 ishte një tjetër konfirmim i asaj çka kishte vendosur fati i madh i kampionatit.

Skema, për çudi, ishte po ajo: thuajse çdo javë skuadrat rivale të elbasanasve, do të linin pikë, pa guxuar asnjëherë të lëkundnin kryesimin e tij. Kështu, në këtë ditë kemi Flamurtari-17 Nëntori 1-1, Luftëtari-Dinamo 1-0, Traktori-Skënderbeu 2-0 dhe Tomori-Lokomotiva 2-0. Siç shihet, humbasin pikë 17 Nëntori dhe Lokomotiva – dy ndër më të afërtit. Dhe Elbasani, që fiton me rregullsi të habitshme, tashmâ, pa pësuar assesi gola! Kjo ishte forca e tij e paqortueshme. Ai fiton si përherë ngushtësisht, kësaj radhe 1-0 në Qytetin Stalin dhe Bega vazhdon të shënojë pa u tronditur prej asnjë fushe dhe prej asnjë skuadre.

Ky ishte zbulimi më i ri i skuadrës së re të Elbasanit. Dhe Labinoti +3 pikë përpara! Prova e fortë do të ishte mbas shtatë ditëve: në Durrës Lokomotiva-Labinoti. Është 0-0. Nuk ishte një dramë. Të mos harrojmë se atëherë midis fitores dhe barazimit qëndronte 1 pikë e vetme ndryshim, jo si sot me mënyrën e 3-pikëshit për fitore, çka do të thotë tri herë më tepër nga çfarë të jep barazimi. Ndeshja e Durrësit është ndër më të bukurat e kampionatit. Edhe në këmbë nuk ka vende për t’u ulur në stadiumin që sot, për javë i boshatisur, quhet “Niko Dovana”. Elbasanasit përfitojnë një barazim dramatik pa pësuar gol dhe përkufizimi që bën gazetari Nexhat Gjuzi, më duket sot e kësaj dite tejet analitik dhe që na ndihmon të kuptojmë se çka qe ky Elbasan i vitit 1984: “Labinoti qëndroi plot frymëzim, – shkruan Gjuzi, – në të njëjtat pozita: i qartë në qëllimin e tij për të luajtur vendosmërisht në çdo pllëmbë të fushës”.

Rasti kishte mbërritur shpejt për të triumfuar mbi ambiciet e një kryeqyteti të tanë. Do të luhej më 18 mars, sepse ka një ndërprerje për ¼-at e Europianit të Shpresave. Është Shqipëria-Italia 0-1, një humbje ngaqë përballë Rampulës, Vignola-s, Mauros, Mancinit e Monelit, Shqipëria do të dorëzohej me dinjitet. “Natyrisht” asnjë futbollist nga Elbasani nuk bën pjesë në këtë ngjarje dhe ja ku mbërrijmë te 18 marsi: Labinoti-17 Nëntori. Dhe është përsëri 0-0. Është një ndeshje e tanë nervash. Për çudi, ajo është ndeshja më sulmuese e Labinotit, madje për 90 minuta të tana. Ndonëse me pak ngjarje dhe me pengesë formën e plotë të portierit Mersini. Në fund, prapë së prapë, gjithçka në të mirë për Elbasanin, i cili ruan dypikëshin larg nga rivali i tij i fuqishëm. Ai ishte një 17 Nëntor vërtet i shkëlqyeshëm: Mersini, Baçi, Hodja, Bimo, Liti, Muça, Mema, Josa, Vila, Minga, Kola – të 11-tët mbajtës të fanellave të ekipeve kombëtare.

Kjo ka qenë dita, kur tashmâ pakkush kishte shpresa se mund të ndalohej nga rruga e sigurt e titullit, ky Elbasan, i cili po ndërronte ecurinë historike të kampionatit të Shqipërisë. Kur mbërrijmë te Java 19, pikërisht ndeshja tjetër vendimtare, ajo Skënderbeu-Labinoti 0-0, madje i treti 0-0 rresht për elbasanasit, me sa duket, fitimi i titullit më fort se tek askush, ndihej te vetë skuadra. Asnjëherë për një kampione të mundshme tri barazime pa gola nuk kishin qenë kaq të rëndësishëm.

Ato kishin ruajtur përsëri largësinë nga rivalët, thuajse si përmes një matësi kompjuterik të sotëm. Dhe atë ditë të 21 marsit 1984, ka në të vërtetë, një ndeshje të madhe për kohën: Lokomotiva-17 Nëntori 2-0 me gola të Hados dhe Himës, kur njëmbëdhjetëshi durrsak, i drejtuar nga trajneri Kristaq Toçi, përbënte një nga Lokomotivat më të forta në histori, për të mos thënë më të fortën (Maliqati, Koka, Engjëlli, Çela, Jani, Oketa, Miha, H.Ballgjini, Hado, Hima, Sh.Ballgjini). Dhe ky përfundim përbënte një nga episodet më vendimtare në të mirë të synimeve të Labinotit. 17 Nëntori lë vendin e dytë për Partizanin. Ndërkaq, të gjithë harronin se llogaritë nuk mund të bëheshin pa portierin e pakalueshëm Bujar Gogunja, i cili qysh prej 555 minutash lojë e ndeshje nuk kishte pësuar asnjë gol! E harronin. Po merrte formë rekordi i madh…

8.

“… Labinoti ndien të fryjë lehtë flladin pranveror të titullit kampion. Pardje dha një provë të re të pretendimit të tij të fortë. Pikërisht në fitoren me një skuadër 13 herë kampione, Dinamon e shquar”. Kështu niste komenti i 10 prillit 1984. Kështu pra, 2-0 ndaj Dinamos në Elbasan, me gola të dyshes unike Mitrollari-Bega, e formuar vetëm me ndeshjet e periudhës së dytë të kampionatit. Personazhi Nr.1 është kapiteni Ferdinand Lleshi: shtyllë mbrojtjeje, mesfushor, organizues, shpirti i skuadrës. Dhe, mbas një jave, vetëm 1-0 në Burrel me gol të Asllanit.

Dhe, për çudi, nuk ishte kjo ngjarja. Ishte një tjetër: fitorja sensacionale e Luftëtarit të Gjirokastrës 5-2 kundër Partizanit në Tiranë. Pikërisht ajo që nuk pritej. Ky ka qenë ndër përfundimet më të rëndësishme që ka gatuar titullin e Labinotit. Tash më thoni: a mund të ndodhë sot që skuadra, e cila zë vendin e 10-të, siç ishte Luftëtari i asokohe, të vinte e të fitonte 5-2 në fushën e skuadrës që kërkon titullin? Vështroni se sa e ndershme që ka qenë gara, e cila sot ka degjeneruar deri aty, saqë Shqipëria është gjithnjë në listën e trukimeve! Ndeshja e Tiranës është vërtet dramatike. Partizani kryeson deri në 2-0, kur ishte minuta e 20-të e ndeshjes dhe gjithçka dukej punë e kryer.

Por pikërisht në këtë çast, ndërhyn trajneri gjirokastrit Hito Hitaj, me një ndër veprimet më të rralla që një trajner ka ndërmarrë gjatë zhvillimit të 90 minutave të një ndeshjeje të kampionateve të Shqipërisë. Ai i ndërron pozicionin lojtarit universal të tij, Astrit Bonit, nga qendërmbrojtës i lirë në qendrën organizuese të mesit të fushës. Dhe këtu përmbyset gjithçka. Astrit Boni shfaqet në ndryshimin e gjithë organizimit të lojës, po dhe si autor i dy golave vendimtarë! Ndërkohë që Sefedin Braho gjithashtu punon për të tjerët, dhe Partizani brenda 60 minutash pëson pesë golat më të famshëm në historinë e vet. Është si një kaskadë: Gj.Kalluci 31′! Boni 57′!, Boni 59′!, Seiti 65′! Gj.Kalluci 73′! Dhe 5-2, rezultati përtej një historie që trondit vetë historinë!

Ishte një Luftëtar i mrekullueshëm, ku befas paraqitej edhe një 18 vjeçar, i cili do të bëhej një nga titullarët më të mëdhenj të Kombëtares së Shqipërisë: i paharrueshmi dhe i pafati Lefter Millo, vetëm 18 vjeç! Ka qenë 15 prill 1984. Për histori 11-shi i Gjirokastrës ishte ky: Lamaj (Çumaku 53′), Liti, Boni, Ciko, H.Braho, Millo, Gj.Kalluci, Shoni (Shameti 22′), Angoni, Seiti, S.Braho. Trajner: Hito Hitaj. Dhe Labinoti 3 pikë larg 17 Nëntorit dhe 4 larg Partizanit. Kur vjen Java 22, fitore 1-0 me Vllazninë – kampione e dorëzuar tashmâ, “Sporti popullor” titullon: “Labinoti – 17 javë kryesues!” Nënvizoja: “E 13-ta fitore e Labinotit, padyshim është ndër më të bukurat. Ajo paralajmëron për suksesin e afërt… Janë çaste të skuadrës së fuqishme, kolektive, harmonioze të Elbasanit, e cila nga java në javë me fitoret e saj bindëse, i afrohet suksesit të madh. Dhe për të 17-tën javë kryesuese.

Dhe pa asnjë gol të pësuar në gjithë fazën e dytë. Dhe Gogunja po shkon drejt thyerjes së një rekordi origjinal të mbi 20 vjetëve të fundit në futbollin tonë: deri tani ka 815 minuta pa iu prekur rrjeta (rekordi i këtyre dekadave i përket Lekbellos së Partizanit që rezistoi më 1981-82, plot 821 minuta pa gol)”. Qysh nga kjo ditë në një farë mënyre, për Labinotin e merrte fuqinë llogaria, mendimi i qetë, racional, qëndresa e madhe, maturia. Titulli i kampionit kishte mbërritur te “porta e kalasë” dhe nuk ishte koha për aventura. Kapiteni universal, Ferdinand Lleshi, është në kulmin e pjekurisë për të drejtuar këtë operacion dramatik tashmâ. Dhe 0-0 që arrihet në Berat me Tomorin, hyn edhe ai në gjithë këtë skemë, kur mendohej një humbje e 17 Nëntorit në Shkodër. Por, kryeqytetasit fitojnë 3-1 dhe as këto shifra nuk e zhvleftësojnë barazimin e Labinotit në fushën e vështirë të Beratit të fortë me Kokolarët, Milen e Kovaçin. Dhe, për të kuptuar se çka ishte ky Tomor i trajnerit Guxim Mukli, mjafton që, mbas shtatë ditëve, të mbërrijmë te Java 24 dhe të regjistrojmë mbrenda në Tiranë 17 NëntoriTomori 1-1! Dhe 3 pikë Labinoti mbi 17 Nëntorin, mbasi ai vetë fiton 1-0 me Besën falë golit të kapitenit Lleshi. Tash edhe matematikisht, përveç 17 Nëntorit, askush tjetër nuk mund ta mbërrijë këtë Elbasan. Ishim kthyer përfundimisht te dueli i vetëm Labinoti-17 Nëntori plot 180 minuta para mbarimit.

Atë ditë të 8 majit 1984 për herë të parë “Sporti popullor” vë titullin e madh: “Titulli kampion – mjaft i afërt për Labinotin”. Beteja e fundit ishte lënë për të marrë zjarr në Tiranë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në një ndeshje me Partizanin, i dalë tashmâ nga lufta për titullin, por i etur për të mbrojtur nderin e kryeqytetit, ndoshta në të vetmin rast të jetës së tij i gatshëm për të ndihmuar “armikun” e përjetshëm, 17 Nëntorin e Tiranës, çka vetë dramaticiteti i ndeshjes do ta vërtetonte. Trajnerët Frederik Jorgaqi e Dashamir Stringa – futbollistë të mëdhenj të kohës së tyre, qytetarë nobël të qytetit të tyre të një kulture – nuk i lejonin gabime vetes. Dhe gjithçka do ta paramendonin më parë në tryezën e punës së tyre intelektuale. Sepse sot duhet të pranojmë që drejtimi i tyre ka qenë i përmasave intelektuale të rralla për historinë e trajningut në Shqipëri, duke mposhtur gjithë klubet që mbanin Kombëtaret e Shqipërisë në atë vit të madh 1984 për futbollin shqiptar (Belgjika, Polonia, Shpresa në 8- she të Europës…). Ajo mund të ketë qenë ndeshja më e bukur e elbasanasve për gjithë kampionatin. Është një 2-1 spektakolar, dramatik, i kthyeshëm, tekniko-taktik. Ndeshja në të vërtetë ka një çast delikat. Labinoti, me golin e Asllanit, kryeson qysh në të 36′, por Partizani nuk épet dhe në të 42′ Tomori e bën 1-1. Mû në këtë minutë të 42-të përfundojnë plot 1037 minuta lojë pa pësuar gol të rekordit famëmadh të Bujar Gogunjës! Rekord i fiksuar edhe prej këmbës së Genci Tomorit.

Por, në pjesën e dytë del në pah karakteri dhe forca e pashtershme e Labinotit të Elbasanit. Është një Labinot i pagabueshëm, më i vendosur se kurrë, më i etur se kurrë. Kishte mbërritur në finishin e garës dhe gjithçka nuk mund të ishte tjetër përveçse një sprint i fuqishëm. Dhe e jep atë përmes protagonistit më konseguent të golave, Zyber Begës në minutën e 72-të. Me këtë njeri, me golin e tij të thjeshtë po aq të milimetruar, do të fitoheshin plot 5 ndeshje nga 13 të periudhës së dytë.

Historia e kampionateve Shqiptare nuk njihte një shënues të kaq pak golave (vetëm 6) dhe të kaq shumë fitoreve vendimtare sa vlera e një titulli kampioni të përcaktuar prej tyre, si në rastin e djaloshit me emrin Zyber Bega, i zbuluar nga rrethinat e Elbasanit. Dhe, qysh nga ky çast i golit të Begës, Partizani i Bejkush Birçes, nuk mundet të bëjë më asgjë, teksa Perlat Musta, meditueshëm, gradualisht po ngurosej në portë, duke admiruar aktin e madh të skuadrës së Elbasanit dhe të portierit të saj Gogunja, i cili pa e ditur, qysh atë ditë kishte hyrë në panteonin e statistikave të portierëve të botës me rekordin e tij. 2-1 ishte i pandalshëm.. “…Dhe titulli që shkon në Elbasan”, siç thoshte titulli i madh me germa kubike i faqes së tretë të gazetës që drejtoja.

Dhe një foto emblematike e Petrit Kumit, ku lojtarët e Elbasanit përshëndesin me dorë publikun e shumtë që kishte ardhur nga Elbasani dhe thuajse mbushte tribunën karshi. Ishte një foto si ato që fiksohen sot në futbollin europian në fund të ndeshjeve, mbase e para e atij lloji në gazetarinë sportive shqiptare. Ajo fokuson me Gogunjën – rekordmenin e madh të 1037 minutave lojë pa pësuar gol. (Shtatë vjet më parë, një Labinoti tjetër me në krye legjendën e futbollit të tij, Mihal Gjikën e famshëm, një ndër mbrojtësit më modernë që ka nxjerrë futbolli shqiptar, protagonisti i madh i ndeshjeve të Torinos dhe të Kombëtares, po kështu përshëndeste publikun e Tiranës, kur mbas eliminimit të Partizanit do të çonte për herë të parë një Kupë të Shqipërisë në Elbasan. Ka qenë 1977. Ky është viti pararendës i Labinotit të Elbasanit – Kampion i Shqipërisë më 1984.).

9.

Po le t’i kthehemi 13 majit 1984, të plot 30 vjetëve e 10 muajve më parë. Historia e Kampionateve të Shqipërisë kishte pësuar një “goditje” të fuqishme. Mbas Skënderbeut të Korçës dhe Vllaznisë së Shkodrës, përsëri, madje vetëm për herë të dytë mbas Luftës së Dytë Botërore, një skuadër qyteti bëhej Kampione e Shqipërisë. Kjo ngjiste për herë të tretë në histori. Labinoti kishte hyrë në Librin e Artë. Mbas një jave kam qenë i ftuar në mbrëmjen e paharrueshme të Elbasanit, çka me pendë e kisha mbështetur më fort se askush, madje shpesh i vetëm, kur kisha parashikuar mundësinë e titullit për te, qysh në javët e para të Kampionatit.

Për muaj më ndiqte përmes shkrimeve miku im i hershëm Bardhyl Narazani, intelektual i shquar i Elbasanit, i cili kishte një kuptim tjetër më tepër historik dhe kulturor për këte eveniment të skuadrës së qytetit të tij, të cilit ai gjithmonë i është përkushtuar, çka për mua përmes tij përngjante në rezonancë me vetë botëkuptimin qytetar elbasanas. E ajo ka qenë mbrëmja e 20 majit 1984, disa orë mbas festës së paharrueshme të stadiumit që sot mban emrin e pakuptimtë “Elbasan Arena”, duke zhdukur po me patëdrejtë emrin e personalitetit të futbollit, sportit e edukimit fizik të Elbasanit, “Ruzhdi Bizhuta”.

Për çudi, ajo do të ishte një humbje e thellë, 0-3 me Luftëtarin e Gjirokastrës, por e duartrokitur nga rreth 15.000 spektatorë, humbja më e rëndë e kampiones së re, e cila atë ditë në Elbasan pritej vetë me buzëqeshje. Historia ishte tronditur për mirë. Dhe pikërisht për hir të historisë, nuk mund të lë pa përmendur tre personazhe, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Fati i Elbasanit e desh që sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të ishte Xhemal Dymylja, përgjegjësi pasionant i Vllaznisë së Shkodrës, kur ajo u bë për herë të parë kampione më 1972, duke tronditur po kështu historinë. Dhe po fati i Elbasanit e desh që kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të ishte Jovan Bardhi, njeriu i cili kishte dhënë për vite një kontribut të jashtëzakonshëm, që 17 Nëntori i Tiranës të trondiste i pari historinë kur theu mitin e PartizanDinamos në vitet ’60. Dhe po fati e desh që kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Elbasanit të ishte një sportist i madh, volejbollisti Hysen Domi, i cili sapo ishte ndarë me parketin e pallatit të sportit, duke lënë mbas një histori të rrallë.

Kjo treshe, edhe pse diku partiake a shtetërore-sportive, them se ka luajtur një rol të madh në këte ngjarje sot e kësaj dite sensacionale, kur mendon se ç’kohë ishte, për historinë e sportit të Elbasanit dhe të futbollit kombëtar. Labinoti i Elbasanit dhe trajnerët e tij, Frederik Jorgaqi e Dashamir Stringa kishin triumfuar. Tash, në mbyllje, duke respektuar vetë kronologjinë e këtij tregimi edhe përmes jehonave të shtypit të kohës, po e përfundoj me këte portretizim të kampionëve të 20 vjetëve më parë, marrë nga shkrimi im “Labinoti – kampioni ynë më i ri” në “Sporti popullor”, natyrisht të politizuar, të atij maji 1984 mbas ndeshjes me Partizanin, sepse për çudi nuk kam se çka t’i shtoj edhe sot mbas 30 e më vjetëve: “… Futbolli ynë ka një kampione të re.

Në librin e nderit të kampionateve të Shqipërisë sapo u shkrua edhe emri i Labinotit të Elbasanit. Kjo është një nga ngjarjet më të spikatura në historinë e kampionateve tona. … E diela e 13 majit 1984 hyri në historinë e sportit elbasanas si një ditë që nuk do të harrohet kurrë. E ndoshta edhe të kampionateve tona ku fituesit e rinj japin një vitalitet, një ritmikë më të fortë cilësie, përhapjeje, rritjeje. …I qetë, i sigurtë, i saktë, i matur, Labinoti ia arriti të konfirmohej kampion i merituar pikërisht në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, madje përmes një fitoreje të paharruar. … I pagabueshmi Gogunja “çuditërisht” e ka parë topin në rrjetën e vet. Është tronditur. E ka parë edhe një herë atë kënd të portës ku pushoi topi, ka mbështetur krahun në shtyllë dhe duke tretur vështrimin larg, në horizontin e sulmit të tij, ka rënë për pak çaste në melankoli. 12 ndeshje pa pësuar gol! Plot 1037 minuta ose 17 orë e 47 minuta lojë! Rekord i rrallë në futboll. Vërtet! Labinoti është një kampione, forca e së cilës qëndron te çarmatosja e plotë e sulmit të të gjitha skuadrave tona. Rreth 170 futbollistë të 13 skuadrave kishin qysh nga 11 dhjetori 1983 që kërkonin të gjenin një gol kampionati në portën e elbasanasve.

I përfaqësoi mbas shumë mundimesh Tomori i Partizanit. Por.. Replikë e miqve nga Elbasani. Bega dhe 2-1!… Ishte nënshkrimi i titullit të parë kampion për futbollin e Elbasanit, po dhe personifikim i vetë forcës së kampiones. 20 javë të tëra kryesues i palëkundur!… Dhe protagonistët që janë: Gogunja, Lleshi, Deliu, Popa – të mirënjohurit. (Me ta është dhe Mitrollari që pardje mungoi). Të tjerët “të panjohurit”. Mbrojtësit energjikë Rama e Arapi, mesfushorët e palodhur Mustafaraj, Tafani, Asllani; sulmuesit Agalliu, Luniku dhe Bega, goli i zakonshëm i të cilit nuk mund të mos ishte i pranishëm as pardje. Shumica e këtyre të fundit janë të rinj 20- 22-vjeçarë. Kjo është veçoria tjetër e kampiones: një skuadër e re. 11-shi i pardjeshëm i saj, bie fjala ishte vetëm 23.5 vjeç. Pikërisht në këte kanë ngulmuar trajnerët Jorgaqi e Stringa që na dhanë një kampione rinore.” Për saktësi historike, shtoj edhe emrat e tjerë të kampionëve: Staçeni, Shegani, Branica, Roseni. Ky ishte triumfi, po dhe sfida e pashlyeshme historike e skuadrës së paharrueshme të Elbasanit 1984, ku edhe për sot, në shekullin XXI, e atij që asokohe të shekullit XX, i thoshin Labinoti i Elbasani, mbetet një monument i futbollit të tij…

Është një histori që përmbyllet me “rekordin” e përmasave botërore të portierit Bujar Gogunja: 1037 minuta mbrenda 12 ndeshjeve rresht pa pësuar gol. Përsëris: “rresht”! Që do të thotë pa ndalë, pa asnjë pushim, pa asnjë ndërprerje. Mbasi më kërkoi deri në imtësi dokumentin e të 12 ndeshjeve, themeluesi dhe presidenti i ndjerë i IFFHS-së, Dr. Alfredo W. Pögge, nuk ngurroi në konfirmimin e “rekordit shqiptar” të 1037 minutave pa gol të Bujar Gogunjës. Për te dhe IFFHSnë ishte një “rekord” i madh statistikor. Për ne ishte një “rekord” që kësisoji reziston edhe sot dhe që kishte përcaktuar në mënyrën më vendimtare titullin e parë të një prej skuadrave më të vjetra dhe më nobël të Shqipërisë, ate që asokohe quhej “Labinoti” i Elbasanit. E që sot, në ditë tejet të vështira të tij, quhet thjesht “KS Elbasani”. Kaq mjafton që edhe si gazetar të të përfshijë sa nostalgjia, po aq dhe trishtimi… Fund

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"