Kur Brigel mposhtte trajnerët e mëparshëm të Shqipërisë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2012 | 13:07

Kur Brigel mposhtte trajnerët e mëparshëm të Shqipërisë…

Nga BESNIK DIZDARI
Aktuale: De Biazi…
Këto ditë, disi papritmas, një trajner i ri i Kombëtares së Shqipërisë nga Italia me emrin Xhani De Biazi, statistikisht është bërë trajneri më rezultativ në historinë e Kombëtares së Shqipërisë: 3 ndeshje, 2 fitore dhe 1 humbje, golat 4-3. Para tij, deri më sot, trajner rezultativ i Kombëtares shqiptare ka qenë vetëm një: hungarezi Miklos Vadas i vetëm një viti, i vetëm një ndeshjeje: 29 nëntor 1953, Tiranë :Shqipëria- Polonia 2-0! E tash, mbas ndeshjes së fundit, atë të Stambollit 2012 Shqipëria- Irani 2-1, fitimtari statistikor apo arkivor është Xhani De Biazi, sepse bilanci i tij pozitiv jo në 1, por në 3 ndeshje, merr përparësi ndaj Vadasit. Nuk ma merr mendja se me ndeshjet e ardhshme De Biazi do të mbesë rezultativi. E them këtë, sepse njoh jo thjesht rrugën historike të Shqipërisë, por dhe forcën e saj modeste. Kështu, këto ditë kam përsiatur midis shënimeve të mia se nuk kishte ndodhur asnjëherë që Shqipëria të fitonte dy ndeshje brenda 5 ditëve, ose brenda 120 orëve: 22 maj 2012, Shqipëria-Katari 2-1; 27 maj 2012, Shqipëria-Irani 1-0! E kemi fjalën për ndeshje miqësore dhe ato për kampionate evropiane dhe botërore. Sepse më 1946 për Kampionatin Ballkanik në Tiranë, Shqipëria e Ljubisha Broçiç ka fituar dy ndeshje brenda vetëm 4 ditëve: 9-13 tetor 1946, Shqipëria- Bullgaria 3-1 dhe Shqipëria-Rumania 1-0. Një herë tjetër, më 2000, në Turnenu “Rothmans” në La Valeta të Maltës, Shqipëria e Medin Zhegës ka fituar 3 ndeshje brenda pesë ditëve. Por, këto ishin ndeshje për turne, madje dy turne të fituar prej Shqipërisë. Krahasimin me këtë rekord “origjinal” të këtyre ditëve më duket më e drejtë ta bëj me atë të dy ndeshjeve miqësore të vitit 1952 të Kombëtares së Myslym Allës: Shqipëria-Çekosllovakia 3-2 dhe 2-1 që janë fituar brenda 9 ditëve, 29 nëntor-7 dhjetor 1952 në Tiranë, pra jo jashtë Shqipërisë. Por, jo me skuadra të rangut të ulët si Katari apo qoftë dhe Irani më i fortë, por me Çekosllovakinë e Vaclav Jirës së famshëm… Nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që janë dy fitore rresht të Shqipërisë brenda 120 orëve. Me 20 lojtarë në dy ndeshje. Me 5 debutues: Shehi, Sadiku, Mavraj, Zeqiri, Brahimi, çka të duket se skuadra kërkon të ndryshojë. E prapëseprapë nuk ka vend për fort entuziazëm, ndonëse dihet, fitoret gjithmonë ngjallin entuziazëm dhe gëzim. Fitorja është fitore. Më e rëndësishme është se cila ishte përmbajtja e këtyre dy fitoreve aziatike. Nuk qe një shkëlqim i madh. Më tepër se gjithçka ishte dëshirë, seriozitet dhe këmbëngulje për të fituar. Tri cilësi që bëjnë një skuadër të fortë. A ishte e tillë skuadra e trajnerit të ri italian të Shqipërisë, Xhani De Biazi? As kësaj pyetje nuk arrij t’i jap kaq me naivitet një përgjigje kaq pozitive. Ndonëse bilanci në arkivin tim mori formë jubilare: Shqipëria mbërriti te fitorja e saj e 60-të në krejt historinë, si dhe te fitorja e 30-të po jubilare në ndeshjet miqësore.
Shihni se çfarë raporti! Gjysmën e fitoreve i kemi në ndeshje miqësore! Jo vetëm, ngaqë ato janë miqësore, por sepse, sidomos në dhjetëvjetëshat e fundit, Shqipëria rrallë arrin të luajë miqësore me të mëdhenjtë… Për fat, gjithmonë kemi pasur dy Shqipëri: një të ndeshjeve miqësore dhe një tjetër të atyre kampionale. Krejt të pangjashme me njëra-tjetrën tash plot 66 vjet. Kësisoj nuk ka vend për fort entuziazëm. Ka vend vetëm për punë. E një punë e mirë, doemos janë dhe fitoret në ndeshjet miqësore. Do t’i kthehem tregimit tonë retrospektiv, mû aty ku e kemi lënë në kapitullin e botuar më 1 maj këtu në “Panorama Sport”, duke u lidhur me një ndeshje po miqësore, veçse të rangut, të plot 7 vjetëve më parë…
1. NE POLONI NJE MIQESORE MBAS 52 VITEVE
Ka qenë 29 maj 2005. Duke parë në TV këtë ndeshje të Kombëtares me Poloninë, pasdreken e asaj të diele të plotë shtatë viteve më parë, kujtoj se pak gjëra munda të kuptoj. E kam fjalën, për kuptimin që kërkoja të mvetësoja, duke e lidhur gjithçka me ndeshjen e mbas një jave me Gjeorgjinë për Kupën e Botës 2006. Ndërkaq, duke vërejtur jo pa emocion stadiumin piktoresk “Pogoni” të Szczecin-it në atë maj plot diell të Shekullit XXI, mu kujtua se shekullin e kaluar, pikërisht në Poloni, unë kisha përvojën e parë ndërkombëtare gazetareske. Kam qenë i dërguar i posaçëm (special) pikërisht më 12 maj 1971, në Rzeszòw, gati në kufi me Bashkimin Sovjetik për ndeshjen Polonia-Shqipëria 2- 1 për kampionatin evropian të 23- vjeçarëve, asokohe si gazetar i të përditshmes “Bashkimi”. I pari gazetar shqiptar posaçërisht i dërguar për një ndeshje të Shpresës shqiptare në Evropë, e gjitha kjo, vepër e kryetarit të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të periudhës, të respektuarit Rexhep Doda, i cili kishte kuptuar ndër të parët rritjen e rubrikës sportive të “Bashkimit” që, falë kryeredaktorëve Niko Nishku, Arqile Aleksi dhe Hamit Boriçi, do të bëhej e para e shtypit shqiptar në kohëra tejet të vështira megjithatë… Ndeshja e Rzeszòw-it 1971 ka qenë e madhe për ne, dramë e një 11-shi të pashlyeshëm, që e kujtoj gjithnjë me mall: Ahmedani, S.Seferi, M.Vaso, R.Ibërshimi (P.Gjoni), Dh.Gjika, Thaka, A.Çela, I.Hoxha (Xhambazi), Pernaska, V.Balluku, A.Janku. I paharrueshëm kryesimi ynë me golin e rrufeshëm të të papërmbajtshmit Vladimir Balluku (71′) – i vetmi futbollist i një Kombëtareje në Evropë që do të bënte burg politik mbas viteve 70! Ata ishin njëri më i mirë se tjetri, të përzgjedhur si futbollistë të së ardhmes prej trajnerit Skënder Dedja dhe ndihmësit të tij, të paharrueshmit Refik Remsja, i cili një ditë më parë do t’i mahniste në stërvitje gazetarët polakë me gjuajtjet e tij unikale përballë portierit tonë Shefa, duke u bërë protagonist i faqeve të shtypit të nesërm polak. Ne do të ishim dëshmitarë të një ndeshjeje të shkëlqyer dhe të një kujtimi të paharrueshëm, sidomos për një gazetar të ri, 28-vjeçar, çka isha unë në atë maj 1971, por dhe për përgjegjësin simpatik të ekipit, Minella Kostandini nga Vlora. Aq më tepër kur mendon se në 11-shin polak ishin edhe Jan Tomaszewski, Antoni Szymanowski, Adam Musial dhe Grzegorz Lato (autor i golave në të 74′, 79′) – ky i fundit në vitet e tashmë parlamentar evropian, e para do kohe, më 2010, mik i pranishëm në Tiranë në 80-vjetorin e FSHF-së me cilësinë e presidentit të Federatës Polake të Futbollit! Tomaszewski – Szymanowski – Musial – Lato do të bëhej katërshja magjike e ndeshjes famëmadhe 1-1 me Anglinë e 17 tetorit 1973 në Wembley të Londrës, që çoi në fundoret e Kupës së Botës 1974, Poloninë e Kazimier Görski-t, trajnerit epik, njeriu, i cili mbas dhjetë muajve do ta bënte Poloninë të tretën e botës! Me këto nëpërmendje e shihja ndeshjen e tashme të vitit 2005 dhe habitesha tejet kur mendoja se kishin kaluar plot 34 vjet!… E sot më 2012, plot 41! Të duket ndërkaq, se e gjitha kjo kohë e gjatë është si një shkrim i vetëm që vazhdon papushim. Asokohe, përmes lapsit apo makinës së shkrimit, e tash të tastierës së kompjuterit. Pak rëndësi ka, megjithatë. Është po ai shkrim i gjatë i pandalshëm i futbollit shqiptar që përshkohet midis dy shekujve… Dhe 1-0 për Poloninë në Szczecin më 29 maj 2005. Ndeshja e 10-të jubilare Poloni-Shqipëri dhe miqësorja e çuditshme midis tyre, e katërta në histori, por që mbërrinte mbas plot 52 vjetëve, të asaj të trajnerit “më rezultativ”, hungarezit të sipërpërmendur: 1953, Shqipëria- Polonia 2-0 në Tiranë – e vetmja fitore sot e kësaj dite e shqiptarëve me polakët. Vogli, Dashi, Fagu, Dibra, Shaqiri, Vila, Bakalli, Jareci, Boriçi, Resmja, Deda. Golat e Boriçit dhe të Resmes, së bashku me përkimin e çuditshëm: edhe atë ditë një trajner i huaj për Shqipërinë: Miklos Vadas i Hungarisë! Mbas 52 vjetëve, Hans Peter Brigel i Gjermanisë, nuk mund të shtonte diçka të tijën në gjithë këtë histori. Mbetej vetëm fitorja 2-0 e Vadas-it dhe 3 barazime e 6 humbje në të mirë të bilancit polak. Midis tyre 2-2-shi i famshëm i Mielecit i 1984-ës për Kupën e Botës, kryevepër më vete e trajnerit Shyqyri Rreli. Ajo ishte ndeshja e 51-të miqësore në historinë e Shqipërisë dhe ndeshjet tona miqësore kanë, ashtu si dhe sot, një bilanc tejet më të mirë se ato kualifikuese të Kupës së Evropës e të Botës. Qe humbja e 20-të “jubilare” e miqësoreve të Shqipërisë por, kur mendoje se kishim 18 fitore, atëherë e kuptoje që kjo histori “e miqësisë” na nderonte jo pak. Ndonëse ishte një “histori miqësore” që me ndonjë përjashtim ballkanik grekoturk, anonte thuajse e gjitha nga Lindja, ajo e kuqja e dikurshme. Në atë 2005 Shqipëria nuk kishte arritur ende të zhvillonte asnjë ndeshje miqësore me një madh të Evropës Perëndimore! Madje, as me Italinë mike të vetëm 50 miljeve larg!… Vërtet, pak gjëra munda të kuptoj nga ndeshja e Szczecin-it. Një gol 30 sekondash, e më pas loja ndër këmbët e shqiptarëve, qetësi e plotë për të dy palët në 45 minutat e dyta, dhe nga 17 futbollistë në fushën e lojës për secilën palë. Një teknikë e mirë e shqiptarëve, zotërim i mesit të fushës prej tyre, po ndërkaq, shumë dalje jashtë loje në zonën polake, pak gjuajtje, ngadalësi në çastin mbyllës, mbajtje e tepruar e topit nga ana e Skelës, rikthimi shpresues dhe i rëndësishëm i Hasit dhe vetëm kaq. Përballë Shqipërisë trajneri Pawel Janas, i mbështetur te tre lojtarë të “Gjermanisë”, Bosacki, Krzynowek, Korowski dhe pesë të Wislës së Krakovit të Polonisë, ashtu si dhe Brigel nga ana e vet, bënte një provë të lirshme dhe nuk mund të thosha se qe në epërsi ndaj Shqipërisë. “Është vështirë të thuash se kjo Shqipëri është më e mirë se Azerbajxhani, sepse ata luajtën pa disa titullarë, ashtu si dhe ne”, – tha Janas. E megjithatë, këto skuadra dinë t’i regjistrojnë fitoret dhe t’i vlerësojnë bilancet, qoftë dhe në miqësore. Ne ende jo. Ishte 1-0 për Poloninë!
2. FITORE NE STADIUMIN PA SPEKTATORE: GJEORGJIA 3-2!
Mbas shtatë ditëve të dyja do të shkonin dhe të takonin dy ish-sovjetikë. Ata, azerbajxhanasit jashtë fushës; ne, gjeorgjianët brenda fushës. Ndeshja jonë ishte historike. Sepse ishte e para në historinë tonë në të cilën stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” do të ishte i boshatisur prej spektatorëve, për shkak të dënimit të njohur të FIFA-s. E assesi nuk mund ta merrja me mend se çka do të ishte kjo ndeshje me Gjeorgjinë, kur për fatin tonë të keq, me të ne kishim një bilanc të pakëndshëm: 2 fitore Shqipëria përballë 6 të Gjeorgjisë në 8 ndeshje. Të kapte frika e barazimit të parë midis tyre! Dy herë rresht i kishim mundur në Tiranë, ndërsa 11 vjet më parë, më 14 dhjetor 1994, Gjeorgjia ia kishte dalë të fitonte 1-0 në Tiranë për Kampionatin Evropian me golin e Arveladzes. Askush prej atyre humbësve tanë të 11 viteve të shkuara nuk do të ishte në ndeshjen e asaj të shtune. Vetvetiu kisha menduar për Rrakllin, për të vetmin që mund të ishte… E pra? “Rekordi” i parë tashma ishte vendosur: për herë të parë Shqipëria do të luante në fushën e vet pa spektatorë. FIFA e pamëshirshme! Ndërkaq, nuk doja të nënvleftësoja asnjë prej 17 futbollistëve tanë të stadiumit “Pogoni” të Szczecinit. Mirëpo, kur kujtoja se atje nuk kishin qenë Lika, E.Beqiri, Cana, Tare e Bogdani, ndërsa më vinte keq që këta dy titullarët e fundit vinin mbas mëdyshjeve psikologjike që mund t’u kishin shkaktuar ndeshjet e pakëndshme të Bolonjës e Veronës dy ditë më parë në Serinë A, e merrja me mend se do të kishim një 11-sh disi tjetër kundër Gjeorgjisë: më të fortë, më titullar, më të përvojës, më guximtar, në fund të fundit, më fitimtar. Në njëfarë mënyre, e mendoja të ishte një ndeshje e rekordeve. Kështu, nëse do të fitonim, Shqipëria do të vendoste rekordin e saj më të madh në të 18 pjesëmarrjet e saj në Kupën e Evropës dhe të Botës. Asnjëherë nuk e kishim përfunduar një pjesëmarrje me më shumë se 2 fitore. Kësaj here me Gjeorgjinë do mund të mbërrinim në 3 fitore e mandej shohim e bëjmë. Ndeshja me ish-sovjetikët do të na jepte shifrën e 70 ndeshjeve të Shqipërisë të luajtura për Kupën e Botës. Nëse shënonim shpejt, ky do të ishte goli i 40-të i Shqipërisë në Kupën e Botës dhe prapë mandej shohim e bëjmë. Nëse do të shënonim dy herë, do të mbërrinim në 170 gola të shënuar prej Shqipërisë në të gjitha llojet e ndeshjeve të saj. Nëse do të fitonim, Shqipëria do të mbërrinte në 9 pikë, një tjetër rekord ky, sepse asnjëherë në 40 e ma vjet që merrte pjesë, Shqipëria nuk kishte fituar kaq pikë. Ndërsa për trajnerin Brigel ajo do të ishte fitorja e 5-të në Kupat e Evropës dhe të Botës si drejtues i Shqipërisë, një shifër rrumbullakosëse, jubilare në gjininë e vet, që ende nuk e kishte arritur asnjë trajner shqiptar i Kombëtares. As Astrit Hafizi, as Shyri Rreli, as Loro Boriçi, as Bejkush Birçe, as Neptun Bajko, as Zyber Konçi, as Agron Sulaj, as Medin Zhega, as Myslym Alla, as Ilia Shuke, as Sulejman Demollari, as Xhuzepe Dosena, duke i radhitur simbas epërsisë së numrit të ndeshjeve që ata e kishin drejtuar Kombëtaren në Kupën e Evropës dhe të Botës. Do të ishin këto rekorde që papritmas e bënin ndeshjen me Gjeorgjinë ndër më të rëndësishmet në historinë tonë. Mendjen e kishim pra, te rekordet tona të mundshme “gjeorgjiane”, mbërritja e të cilëve mbartte në vetvete enigmën e enigmave, ate të paspektatorëve. Çka do të thoshte se forcat morale dhe fizike të kombëtarasve tanë, kësaj radhe duhej të shpaloseshin si kurrnjiherë. Pa i hedhur sytë te tribunat e boshatisura, por me sytë e mendjes, djemtë duhej të vështronin dhe të synonin për rekordet, për arritjen e këtyre rekordeve statistikore, që kurrsesi nuk ishin statistikore. Ishin të përmbajtjes, të përmbajtjes së rritjes. E pra – te Gjeorgjia! …Dhe 3-2 për Shqipërinë kundër Gjeorgjisë në Tiranë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” për herë të parë të boshatisur prej shikuesve. Kishim përjetuar një fitore 3-2 të shkëlqyer në 75 minuta lojë deri në 3-0 – falë një 4-4-2 gati të pagabueshëm: Lika – T.Osmani, E.Beqiri, Aliaj, Haxhi – K.Duro, Jupi, Hasi, Skela – Bogdani, Tare! Kishte qenë një tjetër befasi brigeliane. Eksperimenti më i rëndësishëm qe dyshja Tare-Bogdani, e cila u pa se funksionoi në mënyrë të pagabueshme. Dy golat e Tares ishin të përmasave, goli i Skelës dërmues si një rrufe në natën me hënë dhe lindja e dyshes Tare-Bogdani, një dyshe “partizanase” që kurrë nuk pati fatin të themelohej te Partizani, i 8- ti i dështuar i Kampionatit të Shqipërisë asokohe 2005, por plot 15 herë Kampion i Shqipërisë, çka përmblidhte thelbin e dukurisë sunduese të ndeshjes. E shtuna e 4 qershorit 2005 qe dita e parë në historinë e Kombëtares së Shqipërisë në mbi 40 vjet pjesëmarrje në Kupën e Botës dhe atë të Evropës me dy sulmues gjigandë të Serisë A dhe B të Italisë – patentë e Bolonjës dhe Veronës – emrat e të cilëve ishin Igli Tare, 32 vjeç, 1.92 metra shtatlartë dhe 89 kg peshë trupore; dhe Erion Bogdani, 28 vjeç, 1.91 metra shtatlartë, 82 kg peshë trupore! Dyshe befasuese që funksionoi për bukuri. Ose që u themelua. Edhe për sa kohë?…. Ajo Kombëtare me një mesatare 28 vjeç në 11-shin e saj kishte pasur tre lojtarë mbi 30-vjeçarë, ku më i vjetri prej tyre, Besnik Hasi, 34 vjeç, qe ndoshta më i miri së bashku me Bogdanin e Taren. Kjo nuk e trondiste assesi stilin gjerman të drejtimit të Hans Peter Brigelit. Kombëtarja e Shqipërisë i kishte arritur 7 rekordet e saj, në njëfarë mënyre duke “luajtur” me dinakëri pikërisht me moshën e futbollistëve: luan ai që ndodhet më në formë sot për sot. Pavarësisht nga mosha e cila bën të sajën në mënyrë të natyrshme dhe vendos vetë. Mjaftonte të kujtoje Strakoshën dhe Rrakllin për të marrë vesh se çfarë “shfrytëzimi” të paparë që iu bë viteve të tyre futbollistike të një periudhe të pafund: 1990-2005! Plot 15 vjet! Atë të shtunë të një fitoreje të çmueshme, megjithatë, Shqipëria ishte eliminuar përfundimisht prej çdo mëtimi ëndërrimtar për një kualifikim të mundshëm një herë në jetë për Kupën e Botës.
3. REKORDET “GJEORGJIANE” DHE EPERSIA HISTORIKE E TRAJNERIT BRIGEL…
Ajo ishte eliminuar duke thyer 7 rekorde të historisë së saj. Ishte eliminuar duke u rritur. “Rekordi” i parë tashmë ishte vendosur: pa spektatorë! Mandej, Shqipëria që vendoste rekordin e saj më të madh në të 18 pjesëmarrjet e historisë së saj modeste në Kupën e Evropës dhe të Botës. Asnjëherë nuk e kishim përfunduar një pjesëmarrje me më shumë se 2 fitore. Kësaj here, me 3- 2-shin e Gjeorgjisë, kishim mbërritur në 3 fitore. Ndërkohë që kjo ndeshje me ish-sovjetikët kishte shifrën e 70 ndeshjeve të Shqipërisë të luajtura për Kupën e Botës. U shënua shumë shpejt, në të 6′, me veprimin e zgjuar taktiko-teknik të Igli Tares. Ky ishte goli i 40-të i Shqipërisë në Kupën e Botës. Kur mandej shënoi dhe Skela një gol spektakolar falë interpretimit po spektakolar të Erion Bogdanit, i cili zhvleftësoi një mbrojtje të tërë gjeorgjiane me në krye Kaladzen – titullar i Milanit, ne kishim mbërritur pra në atë që parashikonim: në 170 gola të shënuar prej Shqipërisë në të gjitha llojet e ndeshjeve të saj. Ndërkaq, duke fituar me këtë 3-2 të çmueshëm, Shqipëria kishte mbërritur në 9 pikë në një turne – një tjetër rekord ky, sepse asnjëherë në 40 e ma vjet që merrte pjesë, Shqipëria nuk kishte fituar kaq pikë. Rekordi i mëparshëm i përkiste trajnerit Neptun Bajko në kualifikimet e Kupës së Evropës 1994- 96, i vendosur saktësisht më 15 nëntor 1995 mbas barazimit 1-1 me Uellsin në Tiranë për Kupën apo Kampionatin e Evropës që plotësoi rekordin e 8 pikëve në tërësi. 7 pikët e tjera qenë mbledhur në Shqipëri- Bullgari 1-1, Moldavi-Shqipëri 2-3 dhe Shqipëri-Moldavi 3-0. Gjithçka ishte mbërritur në një grup me 6 skuadra, kur Shqipëria kishte marrë pra 8 pikë dhe ishte renditur e 5- ta, duke lënë mbrapa me pikë të barabarta, po 8, Uellsin, që të dyja me nga 2 fitore e 2 barazime. Në shumë arkiva, Shqipërinë e gjeje edhe të fundit, në atë renditje, sepse shumëkush vlerëson jo golaverazhin, (+ 4 gola më tepër për Shqipërinë), por fitoren 2-0 të Uellsit përballë Shqipërisë e përkundrejt 1-1 në kthimin në Tiranë. Mirëpo, e rëndësishme ishte se çfarë njihte UEFA: Shqipëria e 5-ta dhe Uellsi i 6-ti, thotë ajo. Edhe asokohe aty qenë dy ishsovjetikë, Moldavia dhe për çudi edhe Gjeorgjia, e cila kishte fituar si në Tbilis (0-2) edhe në Tiranë (0- 1). Nuk kishte qenë një grup kaq i baraspeshuar sa ky i Botërorit 2006, ndonëse Gjermania e Bullgaria ishin ndër të parat e botës. Çka do të thoshte se 9 pikët, përveçse 1 më tepër se atëherë, kishin një cilësi më të lartë, e pra ishin më me peshë. A rrezikonim të përsëritej histohistoria mbas 10 vjetëve të rezistencës së rekordit të Shqipërisë së trajnerit Neptun Bajko 1995? Me një fjalë, që ta rrisnim këtë 9 pikësh të rekordit të ri të sapovendosur dhe në renditje të ishim po ashtu si dhjetë vjet më parë? Përsëri të pestët? Mundej. Veçse me një ndryshim thelbësor: me pikë dukshëm më tepër, madje edhe me mesatare më të lartë pikësh për ndeshje – e kjo mund të ishte më e rëndësishmja – duke lënë mbrapa jo një, por dy skuadra, Gjeorgjinë dhe Kazakistanin, tash jo për shkak golaverazhit si më 1995, por në epërsi pikësh.
Konfiguracioni i renditjes mbas ndeshjeve të asaj të shtune të vitit 2005 të shekullit XXI paraqitej ndryshe:
Skuadra           Pikët F. B. H G+/-
1.Ukraina            20       6   2   0  14-3
2.Greqia              15        4   3   1   12-6
3.Turqia              13        3   4   1  13-7
4.Danimarka     9           2   3   2  10-7
5.Shqipëria        9           3   0  5  6-13
6.Gjeorgjia         5           1   2   4 10-16
7.Kazakistani    0          0   0   6  2-15

Ishte një renditje e përkohshme natyrisht, kur Shqipëria kishte ende 4 ndeshje të tjera për të zhvilluar, tri prej të cilave me kundërshtarë më të fortë se vetja: Danimarkë, Ukrainë, Turqi. Dhe “e sigurta” e Kazakistanit më 3 shtator 2005 në Tiranë, që, me mend në krye, duhej të na çonte te plot 12 pikë e te fitorja e 4-t, rekord i rekordeve për pjesëmarrjet e Shqipërisë në 18 edicione të Kupës së Botës dhe të Kupës së Evropës! Do ta pranonim si rritjen më spikatëse në gjithë këtë histori. Kombëtarja e Shqipërisë erdhi te 7 rekordet e sapovendosura me brezin tjetër të lojtarëve, kur mendoje se nuk ishin as të mëdhenjtë e futbollit tonë të shekullit XX, Foto Strakosha, Altin Rraklli, Alban Bushi – treshja e pashlyeshme: portieri i 73 ndeshjeve dhe dy sulmuesit rekordmenë të 24 golave së bashku. Kjo ishte përtëritja e tipit gjerman të Shqipërisë, që më fort se në moshë, bëhej në emra, mbasi atyre u është marrë gjithçka mund t’u merret. Hans Peter Brigel ishte i stilit gjerman. E kujtoni, se Gjermania e Helmut Shënit apo e Jup Dervalit e kishte zakon të nxirrte në fushën e lojës edhe debutues 30- vjeçarë. Sepse vepronte një ligj i vetëm: cili është aktualisht më i miri. Si debutimi i portierit 35- vjeçar Shehi javën që shkoi në Kombëtaren e Gianni De Biasi-t… Për trajnerin Hans Peter Brigel, 4 qershori 2005 – mbrëmja -“shkretëtirë” e “Qemal Stafa”-s – ishte fitorja e 5-të në Kupat e Evropës dhe të Botës si drejtues i Shqipërisë, një shifër rrumbullakosëse, jubilare në gjininë e vet, që nuk e kishte arritur asnjë trajner shqiptar i Kombëtares. Nuk e kishte arritur as Astrit Hafizi, as Shyqyri Rreli, as Loro Boriçi, as Bejkush Birçe, as Neptun Bajko, as Zyber Konçi, as Agron Sulaj, as Medin Zhega, as Myslym Alla, as Ilia Shuke, as Sulejman Demollari, as Giuseppe Dossena…. Me këte gjendje shpirtërore të qetë e “gazplote”, kjo Kombëtare do të udhëtonte për në Kopenhagen. Çka do të ishte e nesërmja e mbrëmjes së Kopenhagenit për Shqipërinë e trajnerit gjerman Hans Peter Brigel, i cili kishte mposhtur rrufeshëm gjithë trajnerët e Kombëtares së Shqipërisë?…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"