Kupa si ngushëllim, Kukësi kërkon finalen dhe… trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 15:36

Kupa si ngushëllim, Kukësi kërkon finalen dhe… trofeun

Kukësi praktikisht i ka dhënë lamtumirën Superiores, ku disfata me Tiranën ka bërë që të humbasin edhe ato pak shpresa që i kishin mbetur për të rezistuar deri në fund. Edhe nëse i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura, ku kanë mbetur 15 pikë në lojë, sërish duket e vështirë që të mbijetojnë.

Kukesi

Madje, mund t’i thonë lamtumirë matematikisht Superiores që këtë javë kundër Skënderbeut nëse nuk arrin të fitojë dhe rivalët e tyre të bëjnë më mirë. Edhe pse në Kukës e kanë përsëritur se deri sa t’u lejojë matematika do të besojnë dhe luftojnë fort për të qëndruar, kanë ardhur në situatën ku duhet t’i dorëzohen verdikteve dhe nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.

PAKËNAQËSITË – Ky sezon i bluve ka qenë i mbushur me plot polemika dhe pakënaqësi për shkak të vendimit të arbitrave, ku madje disa prej tyre u shpallën “non grata”, duke mos përjashtuar edhe delegatë. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në ndeshjen e fundit me Tiranën, ku blutë patën pretendimet e tyre për një rast penalltie në dëm të Salamit. Madje, klubi postoi në rrjetet sociale edhe momentin e dyshimtë, duke shkruar thjesht “No Coment” dhe nënkuptuar padrejtësinë që po u bëhet. Pak nga problemet e tyre dhe pak nga gjykimet, në Kukës po bëhen gati për të Parën.

KUPA – Megjithatë, sezoni nuk është ende i mbyllur, pasi janë në lojë në Kupën e Shqipërisë, ku ndodhen një hap larg finales, pasi kanë mundur në shifrat 2-0 Tiranën në ndeshjen e parë. Ky do të jetë objektivi i mbetur në këto javë të mbetura, aty ku në këtë kompeticion Kukësi do të jetë “all in” dhe do të tentojë me të gjitha forcat të arrijë finalen. Si për ironi të fatit, verilindorët kanë mundësinë të përsërisin pikërisht Tiranën e para disa viteve, kur u shpallën fitues të kupës së Shqipërisë pasi më herët ranë nga kategoria. Mbetet për t’u parë nëse historia do të përsëritet dhe Kukësi të mbyllë një kampionat tërësisht të dështuar, apo do të ngushëllohet me Kupën. Përveçse do të jetë një sezon i mbyllur me trofe, ajo që ka rëndësi është se do të sjellë disa financa më shumë me pjesëmarrjen në Europë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"