Kupa “Pavarësia”, fiton Ferronikeli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2014 | 15:32

Kupa “Pavarësia”, fiton Ferronikeli

FerronikeliSkuadra kosovare e Ferronikelit ka fituar trofeun “Kupa Pavarësia”, e cila u zhvillua në Vlorë ditën e 102-vjetorit të Pavarësisë. Skuadra në fjalë ka triumfuar ndaj Llamkos Kosova, falë penalltive, dhe në finale ndaj Shkëndijës së Tetovës, falë një goli të Përparim Livorekas.
Ndeshjet – Në stadiumin e Vlorës u luajt turneu miqësor, i quajtur “Kupa Pavarësia”, i kthyer në traditë tashmë për festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Ky ishte edicioni i 6-të, që ka përkuar edhe me inaugurimin e mjediseve të reja të brendshme të stadiumit vlonjat. Vec mikpritësve vlonjatë, merrnin pjesë edhe tri skuadra të tjera shqiptare jashtë kufijve shtetërorë: Shkëndija e Tetovës, Llamkos Kosova dhe Ferronikeli, po nga Kosova.
Shorti i përplasjeve ishte hedhur të enjten në mbrëmje, gjatë ceremonisë së organizuar nga FSHF-ja me përfaqësuesit e të katër skuadrave. Ndeshja e parë u luajt mes Flamurtarit dhe Shkëndijës së Tetovës. Fitoi 1-0 kjo e fundit, me golin e Bashkim Lamës në minutën e 25-të. Trajneri Ernesto Ramela preferoi të aktivizonte mjaft të rinj, duke e ruajtur grupin për ndeshjen e fundjavës në kampionat, me Elbasanin. Duhet nënvizuar fakti se për shkak të angazhimeve në kampionat, edhe kuqezinjtë e Tetovës përfaqësoheshin me ekipin ‘B’, të përforcuar me Armend Alimin, që s’ka të drejtë loje në kampionat, pas 5 kartonëve të verdhë. Ballafaqimi i dytë u luajt mes Llamkos Kosova dhe Ferronikelit. Dy skuadra kosovare këto, që kryesojnë në kampionatin përkatës. Loja ka qenë e ekuilibruar dhe goli ka munguar në 45 minutat e luajtura (aq ka qenë kohëzgjatja e një ndeshjeje të këtij turneu). Kësisoji, për të përcaktuar fituesin është dashur gjuajtja e penalltive. Ferronikeli ka triumfuar me rezultatin 3-1 nga pika e bardhë. Spikati me pritjen e tri penalltive portieri Granit Kolshi.
Skuadra, kryesisht falë tij, mbërriti në finalen e turneut, Shkëndija e Tetovës-Ferronikeli. Në këtë finale ka vendosur goli i Përparim Livorekas, që shënoi në minutën e 6-të dhe i dha Ferronikelit “Kupën Pavarësia”.
Çmimi “fair-play” i turneut shkoi për Bruno Telushin e Flamurtarit. Lojtari më i mirë i “Kupa Pavarësia” u laureua portieri i Llamkosit, Granit Kolshi.

stadiumi-vloreRama: Shpejt projekti për Arenën e Vlorës
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë projekti për Arenën e re të Vlorës. Gjatë vizitës në qytetin e Pavarësisë, Rama ka postuar në profilin e tij foto të stadiumit të rehabilituar, duke e quajtur këtë vetëm fillimin.
“Stadiumi i rehabilituar i Flamurtarit, se shpejti projekti edhe per Arenen e re te Vlores #Kyeshtevetemfillimi“- shkruan Rama ne Twitter.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"