Kukësi nuk ndalet, firmos edhe Enzo Malindi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2012 | 13:50

Kukësi nuk ndalet, firmos edhe Enzo Malindi

Drejtuesit e Kukësit janë angazhuar maksimalisht për të ndërtuar një skuadër solide, që të mund të bëjnë një paraqitje të mirë në kampionatin e ardhshëm. Shumë emra janë diskutuar dhe afrimet e para janë bërë tashmë. Dje ka ardhur dhe firma e radhës te skuadra kuksiane. Bëhet fjalë për sulmuesin Enzo Malindi, i cili dje ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare me Kukësin. Ish-sulmuesi i Kamzës ishte një prej lojtarëve që pëlqehej nga stafi teknik dhe presidenca. Pritet që e hëna të sjellë të tjerë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar pranë Kukësit. Ndërkaq, presidenca e klubit nuk do të heqë dorë nga afrimi i lojtarëve cilësorë, duke qenë se i kanë financat të garantuara. Skuadra ka nisur prej disa ditësh përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu tek ish-kompleksi “Dinamo”. Ditët e para do t’i kushtohet më shumë rëndësi aspektit fizik. Ende nuk është vendosur se ku do të zhvillohet faza përgatitore. Përfliten disa alternativa, por momentalisht mungon një vendim përfundimtar. Presidenca e Kukësit synon që të krijojë të gjithë grupin e plotë dhe më pas të zhvillohet edhe faza përgatitore. Skuadra veriore u ngjit për herë të parë në historinë e vet si klub në Superiore, ndaj synon që të mos qëndrojë vetëm një vit, por të lërë gjurmë.
Januz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"