Kukësi bën gati kurthin, trajneri Nica pret pikët e radhës ndaj Tiranës në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2023 | 14:35

Kukësi bën gati kurthin, trajneri Nica pret pikët e radhës ndaj Tiranës në kryeqytet

Kukësi është duke vijuar përgatitjet intensive në këtë periudhë pushimesh, me Stavri Nicën që e konsideron çdo ndalesë të kampionatit si një mundësi për të kryer një minifazë përgatitore për lojtarët.

kukesi stavri nica

Është i njohur fakti që tekniku e ka merak pjesën e anës fizike, duke ditur që në këtë mënyrë mund të kompensojë edhe ndonjë mangësi në aspektin teknik në krahasim me kundërshtarët. Me pak fjalë, mund të thuhet se lojtarët po “shtrydhen” në stërvitje këto ditë, edhe pse mund të thuhet se janë mësuar tanimë me metodat e Nicës.

KUNDËRSULMI – Përpos pjesës fizike, Nica po mundohet ta përgatisë skuadrën edhe në varësi të kundërshtarit që do të kenë përballë. Ndaj bardhebluve, blutë do të ishin të kënaqur edhe me një barazim, duke ia kaluar të gjithë presionin në këtë mënyrë kampit bardheblu.

Për këtë arsye, Nica pretendon të ruhet fort në mbrojtje dhe më pas të aplikojë kundërsulmin për të zënë në befasi kryeqytetasit. Të paktën këto janë udhëzimet që u ka dhënë vazhdimisht djemve që stërvit në ekip.

Bëhet fjalë për një kundërshtar që në Kukës e kanë studiuar mirë dhe këto ditë pushimi po shfrytëzohen ende për të gjetur sa më shumë pika të dobëta të bardhebluve. Fakti që do të kenë akoma edhe më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur i jep mundësinë Nicës me stafin e tij ta studiojnë më në detaje.

Kërkohet nga ana tjetër që çdo mundësi që do të kenë të shfrytëzohet në maksimum, sepse vetëm kështu mund të dalin me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë e vështirë.

Nga ana tjetër, shpresohet që ekipi të jetë sa më i plotë, pasi nuk ka lojtarë të dënuar për arsye kartonësh, në një kohë që presin edhe të rikuperojnë ndonjë nga lojtarët e dëmtuar.

Aktualisht Kukësi është në mesin e tabelës dhe i është larguar përkohësisht fundit të klasifikimit, por gjithsesi mjafton një rezultat negativ për të zbritur sërish në zonën e rënies.

Për këtë arsye kërkohet përqendrim maksimal në çdo përballje. Verilindorët kanë ndryshuar 14 lojtarë këtë verë.

Ata janë Endri Reçi, Vasil Zhongo, Blerim Sahitaj, Mario Beshiraj, Redi Veriu, Karlos Nazario Ribas, Plarent Fejzaj, Mustafa Gbolahan Salami, Sebastian la Torre, Isijaku Najara, Franc Lala, Nikolin Duka, Arbër Mehmetllari, Matheus Mota.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"