“Korçarët marrin pikë në Shkodër”, Xhambazi: Skënderbeu u godit nga arbitrat në momentin më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2023 | 14:10

“Korçarët marrin pikë në Shkodër”, Xhambazi: Skënderbeu u godit nga arbitrat në momentin më të mirë

Humbja në ndeshjen me Laçin erdhi në momentin më të mirë që po kalonte Skënderbeu në këtë kampionat, duke u konsoliduar në katërshen e parë falë rezultateve pozitive në vazhdimësi.

XHAMBAZI

Mirëpo, gjykimi ka lënë për të dëshiruar dhe por këtë korçarët kanë protestuar gjatë. Vendimet e arbitrit kryesor, Albert Doda, si dhe anësorit Astrit Mahmutaj, kanë lënë një shije të hidhur edhe për ikonën e Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi, i cili si zakonisht e ndoqi skuadrën e zemrës nga stadiumi. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi korçar i viteve ’70- ’80, analizon me detaje ndeshjen ndaj Laçit, ndërsa ndalet edhe tek arbitrimi.

“Ndeshja ndaj Laçit ka shumë faktorë për të analizuar, por ajo që është më flagrantja mbetet anulimi i golit dhe mohimi i dy penalltive. Janë tre momente që mund të ndryshonin tërësisht rrjedhën e lojës, pasi reagimi i ekipit pas pësimit të golit ka qenë i mirë. Unë kam parë një skuadër që kishte dëshirë për të përmbysur ndeshjen dhe madje për ta bërë një gjë të tillë që në pjesën e parë. Një ekip që krijoi volum dhe që pati raste për barazim. Por, dy penalltitë nuk i kuptova përse u anuluan. Janë momente kur pakkush di t’i shpjegojë se çfarë ka parë si të rregullt VAR-i. Për të mos folur më pas për golin e anuluar. Mendoj se ishte një goditje e ekipit në momentin më të mirë që po kalon. Ndaj edhe më vjen keq, sepse me një tjetër nivel gjykimi ndeshja do të kishte përfunduar ndryshe. Gjithsesi, është diçka që kaloi dhe duhet që skuadra të mendojë për ndeshjen e radhës”, ka thënë fillimisht Xhambazi për ndeshjen e humbur me Laçin.

RRUGËTIMI I ndalur me pas tek rrugëtimi i përshkruar nga Skënderbeu në këto dy faza kampionat, edhe pse duhet pritur ndeshja e së premtes në Shkodër për të përfunduar 18 javë, Xhambazi theksoi se skuadra ka bërë mirë. Sipas tij, me pak kujdes më shumë, do të kishin një pozicion më të mirë në klasifikim.

“Rrugëtimin e deritanishëm të Skënderbeut mund ta quaj të suksesshëm, duke parë mënyrën se si u ndërtua ekipi, pasi pati shumë ndryshime dhe ishte një grup i ri në moshë. Dua të them që është pozitiv si rrugëtim, por ekipi me pak më shumë kujdes dhe me një menaxhim më të mirë të ndeshjeve të veçanta, mund të ishte më komod. Gjithsesi, mbetet edhe sfida e fundit e fazës së dytë dhe duhet që të interpretohet në mënyrën më të mirë të mundshme për të dalë me një rezultat pozitiv. Gjithçka është e mundshme, pasi niveli i ekipeve është thuajse i ngjashëm në këtë sezon”, përfundoi ishsulmuesi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"