Korabi ankohet për gjykimin: Vit i ri, avaz i vjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2017 | 11:00

Korabi ankohet për gjykimin: Vit i ri, avaz i vjetër

Klubi i Korabit pret përgjigjen e FSHF-së nëse do t’i japë miratimin për të luajtur ndeshjet pritëse në stadiumin e Peshkopisë pas punimeve që janë bërë aty ditët e fundit. Ndërkohë, skuadra ka vazhduar përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Gerd Haxhiu në kompleksin stërvitor në Pezë, në kuadër të ndeshjes ndaj Skënderbeut.

Korabi stervitje 2017

Stafi teknik duhet t’i bëjë mirë llogaritë për këtë përballje, pasi do të ketë disa mungesa të konfirmuara. Ardit Peposhi u ndëshkua me karton të kuq në sfidën me Laçin dhe nuk do të jetë në fushë. Përveç tij, edhe kapiteni Sokol Mziu do të mungojë, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Në një situatë të tillë, tekniku vlonjat i dibranëve po mendon për zëvendësuesit e këtyre dy lojtarëve në mënyrë që skuadra të funksionojë.

Gjykimi

Drejtuesit e Korabit nuk e kanë pritur aspak mirë penalizimin që i është bërë nga gjykimi në ndeshjen ndaj Laçit, ku dibranët humbën me rezultat minimal. Me anë të një reagimi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, klubi ka denoncuar dy rastet e dyshimta në atë përballje, duke postuar edhe videon me citatin “Vit i ri, avaz i vjetër”.

korabi

Postimi i Korabit në Facebook

I pari është momenti i golit të pësuar, ku Lushkja ka qenë në pozicion jashtë loje, ndërsa në momentin e dytë shihet mohimi i 11-metërshit. Megjithatë nuk dihet nëse klubi do të bëjë një ankesë me shkrim në FSHF për pretendimet që ka. Korabi është në një pozicion shumë të vështirë në tabelën e renditjes, pasi mban vendin e fundit dhe rrezikon të bjerë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"