Kërkon të ruajë pathyeshmërinë, Teuta e karikuar përballë Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2018 | 12:00

Kërkon të ruajë pathyeshmërinë, Teuta e karikuar përballë Laçit

Teuta kërkon pathyeshmërinë dhe rekordin edhe ndaj Laçit. Pas 10 javëve pa humbje, të besuarit e Bledi Shkëmbit duan që ta mbyllin 2018-ën me sukses të padiskutueshëm. Dhe duhet thënë se kthesa e madhe e durrsakëve u rikonfirmua pikërisht ndaj bardhezinjve në javën e 8-të, teksa në transfertë i mposhtën me shifrat e thella 0-3.

teuta

Që pas atij momenti, “djemtë e detit” nuk e njohin më blofin. Fakti që do të luajnë në “Niko Dovana” shihet si bonus realisht i madh, pasi më shumë se prej dy muajsh, i vetmi ekipi që ka mundur të dalë fitimtarë është Kukësi, ndërsa me Flamurtarin dhe Partizanin kanë barazuar. Një tjetër faktor që i favorizon ndjeshëm lidhet me të shkuarën. Nëse sheh statistikat e kësaj përballjeje në Durrës, e fundit herë që Teuta ka dështuar përballë Laçit përkon me dhjetorin e 2015-ës, pra tri vite më parë.

TIFOZËRIA – Pas kësaj ecurie, edhe tifozët janë “ngrohur” ndjeshëm me ekipin. Interesi i sportdashësve vendës është rritur ndjeshëm dhe në kësi kushtesh pritet që edhe këtë fundjavë stadiumi të jetë i mbushur. Klubi u bën sërish thirrje që të mos mungojnë as në ndeshjen e fundit të 2018- ës. Duhet thënë që në vitet e fundit përballjet me Laçin i kanë tërhequr ndjeshëm tifozët, por me një Teutë që është e renditur e dyta dhe është në garë edhe për titullin kampion, pritet që numri i të pranishëmve të shtohet. Loja që po dhurojnë në fushë duket se i ka bindur të gjithë skeptikët se ky ekip do ta ketë të ardhmen e ndritur. Ndërkohë që klubi i ka mbështetur këta të fundit dhe pritet që çmimet e biletave për këtë takim të mos ndryshojnë.

FORMA– Teuta do të hyjë në fushë me petkun e pretendentit për të fituar takimin. Statistikat e bëjnë të frikshme këtë skuadër. Pesë javët e fundit, Teuta ka barazuar vetëm në dy takime dhe ka fituar tre prej tyre. Ka shënuar tetë gola, ndërkohë që ka pësuar vetëm dy. Sulmi më i mirë dhe mbrojtja më e mirë në javët e fundit ka treguar progresin e vazhdueshëm të djemve të Shkëmbit.

ISH-ët – Sherif Kallaku është “ish”-i i kësaj përballjeje. Sezonin e kaluar ai ka mbrojtur ngjyrat e fanellës kurbinase. Tani, talenti 20-vjeçar po kalon një moment të mirë dhe duket se e kaluara ka mbetur pas. Mbrojtësi po shijon në maksimum eksperiencën në Durrës dhe në këtë takim do të jetë një “armë” më shumë për stafin teknik. Edhe Arsid Kruja ka pasur një të shkuar si bardhezi. Kruja ka luajtur për laçianët, madje edhe ka shënuar një gol. Ky i fundit, ndryshe nga Kallaku, vështirë se mund të zbresë në fushë përballë ish-skuadrës.

teuta

STËRVITJA – Bledi Shkëmbi i beson formacionit fitues. Nga stërvitja e djeshme u kuptua që vendosja e ekipit nuk do të ndryshojë. Pritet që Teuta të masë forcat me të njëjtën 11-shen që ka luajtur edhe kundër Kastriotit. Skuadra është e fokusuar për të pasur një rendiment të mirë për të shtunën dhe po punon me vertikalizimet nga krahët, por edhe me lojën e shpejtë. Bicaj dhe Traore duket se janë në rrugën e duhur për të qenë të disponueshëm për stafin teknik. Megjithatë, vështirë se ndonjëri prej tyre do ta nisë ndeshjen si titullar kundër Laçit. Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"