Kategoria e Dytë, Grupi A / Pas 10 vitesh, Egnatia rikthehet në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2017 | 14:15

Kategoria e Dytë, Grupi A / Pas 10 vitesh, Egnatia rikthehet në Kategorinë e Parë

Egnatia rikthehet në Kategorinë e Parë. 10 vite pritje për rrogozhinasit që dje kanë zyrtarizuar ngjitjen një kategori më lart për sezonin e ardhshëm. Një kampionat perfekt i Egnatias që mbyll çështjen e vendit të parë katër javë nga fundi. Në përballjen e djeshme ndaj Internacionalit në transfertë, miqve u ka mjaftuar një gol i Levendit për të marrë 3-pikëshin më të rëndësishëm të vitit.

egnatia

SUKSESI

Një ekip që në përbërje ka ajkën e futbollistëve të kësaj kategorie, por që shumica prej tyre vijnë pas një përvoje të gjatë në Kategorinë e Parë si: Samet Gjoka, Mateo Levendi, Viktor Gjyla, Vangjel Mile, Andi Bakiasi, Rigers Karaj, Ismail Vata etj.

Këta futbollistë kërkojnë që në sezonin e ardhshëm të ecin në gjurmët e ish-portierit Agron Alia, si dhe ish-futbollistëve, Sokol Gosa, Zeqir Gosa, Sokol Sula, Artan Aliu, Sajmir Gosa etj., emra që bënë historinë e klubit Egnatia duke konkurruar denjësisht në elitë në vitet ’90. Një mbështetje e fuqishme nga shefi i klubit Petrit Hazbiu që e ka vitin e 6-të që drejton këtë ekip dhe pa dyshim financat e garantuara dhe përkushtimi i kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini.

internacionali egnatia

TRAJNERI

Pas ndeshjes, trajneri i Egnatias, Vladimir Gjoni, u shpreh: “Sigurisht që është një arritje e bukur për të cilën ne kemi punuar gjatë gjithë sezonit, ku kanë ndikuar disa faktorë. Në radhë të parë, të gjithë lojtarët pa përjashtim kanë kontributin e tyre për përkushtimin dhe vendosmërinë duke zhvilluar kampionatin më të mirë për këtë skuadër.

Gjithashtu, dua të falënderoj edhe drejtuesit e klubit, të cilët e kanë mbështetur fuqishëm ekipin me kontributin e madh të kryetarit të Bashkisë, Beqir Nuredini dhe shefit të klubit, Petrit Hazbiu. Skuadra është e ndërtuar e tillë me lojtarë cilësorë që mua ma bënë punën shumë më të lehtë. Po ashtu, me këta elementë dhe me ndonjë përforcim ne do të mund të renditemi në 5-shen e parë të Kategorisë së Parë”.

ABDULLA DUSHKU

Spektakël në Shkodër, Kukësi B ndal Vllazninë B

Vllaznia B nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 ndaj Kukësi B. Megjithatë, vazhdojnë të ruajnë vendin e 2-të në klasifikim dhe praktikisht kanë siguruar Play-outin. Shkodranët, edhe pse kanë kaluar të parët në avantazh, nuk kanë arritur që ta ruajnë deri në fundin e lojës.

Vllaznia B – Kukësi B 2-2
vllaznia b kukesi b

Është Hasani ai i cili shënon golin për Vllaznia B në pjesën e parë duke zhbllokuar rezultatin. Sadiku është ai që sjell baraspeshën shumë shpejt në pjesën e dytë. Kuksianët nuk ndalen me kaq, por realizojnë edhe golin e dytë me anë të Gjutës. Megjithatë, shkodranët barazojnë me Arenc Dibrën.

SENAD NIKSHIQI

Luzit i mjafton Çullhaj, Ada e pafuqishme

Takimi i fundtabelës, i zhvilluar dje midis Luzit dhe Adës, u fitua nga vendësit me rezultatin 1-0. Që në minutat e para Luzi u tregua aktiv në lojë dhe në minutën e 9-të do të shënojë një gol mjaft të bukur ku Çullhaj godet bukur me kokë brenda zonës duke e çuar topin në rrjetë. Kaq mjaftoi që miqtë të krijojnë disa raste të pastra me Brigjën dhe Manin, por pa rezultat.

Luzi Junaited – Ada 1-0
luzi junaited ada

Në minutën e 49-të Ada do të mbesë me 10 lojtarë pas daljes më karton të kuq të Ibrajt që bën një ndërhyrje të gabuar. Miqtë u dukën të dorëzuar në minutat e mbetura dhe menduan vetëm për mbrojtjen.

ALDO BUZI

Albpetroli nuk di të shënojë, Partizani kënaqet me “X”

Një ndeshje e bukur nga të dyja skuadrat është luajtur dje në Patos ndërmjet Albpetrolit dhe Partizanit B. Por, në fund sfida nuk ka prodhuar fitues. Në të 17-ën është Redian Hatia që gjuan, por pa gjetur rrjetën. Vendësit ishin më këmbëngulës për të shënuar në të 20-ën me anë të Ferkos, por pa rezultat.

Albpetroli – Partizani B 0-0
albpetroli partizani b

Nga ana e miqve, ishte vetëm një rast në të 15-ën me anë të Ismailajt. Në pjesën e dytë janë sërish patosarakët që ngulmojnë për të shënuar, por Tashi, Ferko dhe Papingu nuk gjejnë dot rrjetën. Në këtë mënyrë, takimi mbyllet në barazim pa gola.

AMARILDO GROPA

Tripletë e Vorës, Veleçiku reziston vetëm… 60 sekonda

Vora mund lehtësisht Veleçikun dhe konsolidon pozitën në vendin e tretë. Blutë e udhëhequr nga trajneri Gerald Çani gjejnë shumë shpejt avantazhin me anë të Mziut që në minutën e 1-rë. Avantazhi i shpejtë jep siguri te vendësit që kontrollojnë mirë lojën.

Vora – Veleçiku 3-1
vora veleciku

Muzhaqi dyfishon shifrat për Vorën në minutën e 14-të. Pjesa e dytë flet krejtësisht për vorakët që kanë çdo gjë nën kontroll teksa realizojnë dhe golin e sigurisë me anë të kapitenit G.Fuçia. Në minutën e 85-të për vorakët debuton si futbollist Emiljano Gega që mban dhe postin drejtorit të klubit.

ARMANDO SUBASHI

kategoria e dyte grupi a renditja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"