Kastrioti do ketë ndryshime, vetëm porta nuk do të preket

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2022 | 23:32

Kastrioti do ketë ndryshime, vetëm porta nuk do të preket

Porta pritet të jetë reparti i vetëm që nuk do të pësojë ndryshime te Kastrioti në këtë merkato janari. Krutanët kanë aktualisht tre portierë si Edmir Sali, Elton Vata dhe Arlis Shala, që gëzojnë një formë të mirë dhe drejtuesit nuk e kanë parë të arsyeshme të bëjnë ndryshime.

KASTRIOTI

Këtë e pohon edhe vetë trajneri i portierëve, Blendi Baholli, i cili për gazetën tregon sezonin dhe pritshmëritë që ka në vazhdim. “Pjesa e parë e sezonit dihet që nuk ka qenë e mirë, por shpresojmë që të ndryshojë për mirë në pjesën e mbetur. Ndonëse kemi pësuar shumë gola, mendoj që gabimet nga ana e portierëve kanë qenë të pakta. Natyrisht vend për përmirësim ka, ndaj shpresoj që të bëjmë mirë në pjesën e mbetur të sezonit dhe të realizojmë objektivin primar që është qëndrimi në kategori”, deklaroi Baholli për “Panorama Sport”.

Sa i takon merkatos, dita e djeshme nuk ka sjellë zhvillime në kampin krutan, por trajneri Emiljano Çela ka kryer stërvitje intensive në kuadër të ndeshjes ndaj Teutës, që do të luhet më 16 janar në Kamzë, në kuadër të javës së 16-të të Superiores. Gjatë këtyre ditëve janë programuar dhe disa miqësore, teksa e para do të jetë në fundjavë me Erzenin. Çela kërkon të shikojë skuadrën në kushte lojë para debutimit zyrtar.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"