Karakaçi: Kemi dalë nga kriza, Dinamo e barabartë me tre të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2021 | 19:00

Karakaçi: Kemi dalë nga kriza, Dinamo e barabartë me tre të fundit

Kastrioti do të luajë të shtunën në transfertë përballë Skënderbeut, dhe krutanët do të kërkojnë të marrin një tjetër sukses, ndonëse janë koshientë për shkallën e vështirësisë që ka kjo transfertë. Abaz Karakaçi, mesfushori i krutanëve, flet për “Panorama Sport” mbi gjendjen aktuale, ndeshjen me korçarët, por edhe tema të tjera.

karakaci

Si ka qenë atmosfera në skuadër pas fitores së fundit?

Atmosfera në ekip pas fitores së fundit ka qenë e mirë dhe vijon të jetë e tillë. Trepikëshi me Egnatian na ka dhënë besim se mund të bëjmë mirë edhe në dy ndeshjet e mbetura deri në pauzën e kampionatit.

Përpara keni një tjetër rival. Si shkon Kastrioti në Korçë?
Është e vërtetë që përpara kemi një skuadër me të cilën edhe vjet kemi rivalizuar. I dimë edhe forcat tona, ndaj Kastrioti shkon në Korçë vetëm për 3 pikë dhe kemi besim se do të marrim.

Skënderbeu në fushën e vet u ka hapur probleme shumë skuadrave …
Vështirësia dihet dhe është normale që të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Skënderbeu ka treguar vlera. Dhe në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, edhe pse humbi, bëri një lojë shumë të mirë. Por, unë kam besim te forca e skuadrës sime, besim që përkthehet me një sukses.

Kastrioti, Egnatia dhe Skënderbeu, si e shihni garën në fundin e tabelës dhe a mendoni se këto tri skuadra do të rivalizojnë deri në fund?
Sa i përket garës mendoj që do të jetë një garë shumë e luftuar dhe shumë e vështirë, por unë kam besimin e plotë që Kastrioti në fund të sezonit do të jetë ai ekip që do të ngelë në Superiore. Këtë e them me bindje që Kastrioti mbetet në mesin e më të mirave, pasi ka lojtarë me nivel dhe një staf të mrekullueshëm, ndaj nuk e mendojmë këtë pjesë. Për t’iu rikthyer edhe një herë pyetjes, edhe pse kam shumë respekt për ekipin e Dinamos, nuk e shoh të ketë ndonjë nivel më shumë se 3 ekipet që janë në fund, ndaj do ta përfshija dhe atë në këtë “vorbullën” e mbijetesës.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"