Kapiteni Arapi iu jep zemër durrsakëve para sfidës me Kukësin: Ëndrra ime të fitoj titullin me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2021 | 13:59

Kapiteni Arapi iu jep zemër durrsakëve para sfidës me Kukësin: Ëndrra ime të fitoj titullin me Teutën

Kapiteni i Teutës, Renato Arapi, u shfaq optimist në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Kukësin, e vlefshme për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Arapi e vlerëson maksimalisht sfidën me Kukësin, që do të zhvillohet sot stadiumin “Niko Dovana”, në orën 16:00.

renato arapi

Renato, vini pas një hapi fals në shtëpi, ndërsa tani u duhet fitorja në Kupë ndaj Kukësi për kualifikim. Çfarë ndeshjeje prisni?

Sigurisht që presim një ndeshje të vështirë, por që kam shumë besim pasi ne e kemi treguar që me ekipet e forta kemi bërë ndeshje të mira, por dhe kemi marrë rezultate pozitive.

Besoni se do ta zgjidhni gjithçka brenda 90 minutave apo jeni përgatitur për çdo gjë?

Ne do të përgatitemi për gjithçka, por normalisht që do na pëlqente ta zgjidhnim këtë ndeshje brenda 90 minutave, duke parë që të dielën përballemi me Partizanin, por që mbetet një ndeshje e fortë dhe gjithçka do ta vendosë fusha.

Pse Teuta e ka kaq të vështirë për të shkuar te goli?

Tani, kjo është një problematikë që nuk i takon vetëm Teutës, por të gjithëve. E rëndësishme është që ne krijojmë raste, dominojmë, kjo gjë të jep shpresë për ecurinë në vazhdimësi, më pas finalizimi është çështje tjetër.

Kukësi është i vetmi ekip që ju ka shënuar dy gola në Durrës. I druheni këtij fakti për ndeshjen e nesërme?

Unë e përsëris gjithmonë, që çdo ndeshje është histori më vete, por ekipi i Kukësit do vlerësim maksimal, pasi ka lojtarë cilësorë. Veçse janë cilësorë, kanë edhe eksperiencë që në momente të veçanta mund të bëjë diferencën, gjë që duhet të na rrisë përqendrimin. Kështu që do ta vlerësojmë maksimalisht, që t’i minimizojmë ato gabime.

Shikoni më të lehtë marrjen e Kupës apo mendoni se keni të njëjtat shanse edhe në kampionat?

Ekipi ynë është ndërtuar për të luftuar në të dyja frontet, pasi kemi 22 lojtarë që janë gati për të luajtur në formacionin e parë dhe nuk besoj që do na pengojë kjo pjesë, për të synuar kampionatin dhe Kupën.

Do t’i bëjmë hyzmetin të dyja kompeticioneve. Pasi ngritët kupën është momenti për titullin tani?

Sigurisht që ëndrra ime ajo është pasi ky është ekipi që un jam rritur si fëmijë edhe normalisht, kur je fëmijë, ëndrra është që të luash me ekipin e qytetit dhe pse jo, të fitoj edhe titullin. Jemi akoma në kohë dhe shpresojmë që t’ia dalim.

Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"