Kaos me tre talente, Gjermania bën bllokadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2014 | 22:00

Kaos me tre talente, Gjermania bën bllokadë

Leart Pacarada

Leart Pacarada

Ka nga ata lojtarë të rinj që mezi presin të luajnë për Kombëtaret shqiptare të moshave dhe natyrisht edhe atë që drejton aktualisht De Biazi. Ka që për më shumë se një arsye, për shkak dokumentacioni, enden për muajt të tërë derisa shohin ëndrrën e tyre të realizuar, por ka edhe nga ata, dhe këtu ka plot raste që pretendojnë më shumë sesa një grumbullim me moshat, duke kërkuar menjëherë elitën. Për të ardhur tek më problematikët, ata që nxjerrin në plan të parë klubet, menaxherët, apo prindërit për të refuzuar me diplomaci një grumbullim me kuqezinjtë. Në fakt, rastet e mësipërme i kemi prezente aktualisht te grumbullimi i Shpresave të Shqipërisë për ndeshjen miqësore ndaj Rumanisë më 8 tetor. Pak ditë më parë, trajneri i skuadrës sonë, Skënder Gega, bëri publike listën e lojtarëve që pat grumbulluar për këtë takim, me një pjesë të të cilëve ka nisur tashmë seancat stërvitore në Durrës. Por, nëse disa nga të thirrurit do të vijnë në fundjavë në grumbullim, tre prej tyre nuk do të paraqiten fare. Bëhet fjalë për Valmir Sulejmanin, Leart Paçaradën dhe Dren Hoxhën. Arsyet për të tre janë të ndryshme, por ata i bashkon një fakt domethënës: Gjermania, e cila direkt apo indirekt, me dashje apo jo, është bërë pengesë për afrimin e tyre te kuqezinjtë.
Valmir Sulejmani – 18- vjeçari është një lojtar për të cilin flitet me superlativa. Ai është lindur dhe rritur në Hanover, në skuadrën e së cilës luan aktualisht. Për afrimin e tij në Kombëtare ka sponsorizuar fuqishëm ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili aktualisht mban postin e njërit prej zv.trajnerëve të ekipit tonë përfaqësues. Mirëpo, duhet thënë se lojtari ka qenë dhe vijon ende të jetë pjesë e skuadrave të moshave të Gjermanisë. Kësisoj, FSHF-ja është munduar me të gjitha mënyrat që ta afrojë te Shqipëria, aq sa trajneri Gega udhëtoi muajin e shkuar drejt Gjermanisë dhe i bëri edhe ftesën zyrtare për miqësoren e radhës. Por, përgjigjja e lojtarit rezulton negative. Sipas informacioneve të sigurta në FSHF ka mbërritur para pak ditësh një shkresë e klubit të Hanoverit, ku luan Sulejmani, në të cilën gjermanët refuzonin që ta lejonin lojtarin e tyre që të grumbullohej me Shqipërinë. Preteksti, sipas tyre, qëndronte te fakti se Sulejmani ka shumë angazhime në klub dhe nuk mund të udhëtojë drejt Shqipërisë. Por, shkresa nuk mbaron me kaq. Në pamundësi që një klub i huaj, cilido qoftë të mund të urdhërojë federatat, në rastin konkret drejtuesit e Hanoverit kanë cituar në letër se lojtari i tyre luan për Gjermaninë. “Për sa më sipër theksojmë se Valmir Sulejmani është një futbollist që luan tashmë me një kombëtare, atë gjermane”, thuhet në shkresën e klubit të Hanoverit. Mjafton kaq për të kuptuar se klubi po bën të pamundurën për ta adresuar talentin shqiptar drejt ekipeve të moshave të Gjermanisë.
Leart Paçarada – Një tjetër lojtar që ka refuzuar haptazi Shpresat është Leart Paçarada. Ky i fundit është grumbulluar që para një viti me këtë skuadër, kur ishte vetëm 17 vjeç, duke u pajisur edhe me pasaportë shqiptare (është kosovar), por tanimë mbrojtësi i Sandhauzenit në Bundesligën 2 ka kërkuar që të grumbullohet vetëm me ekipin e parë të Shqipërisë dhe jo me U-21. Një kërkesë e tillë është parë si tejet e ekzagjeruar nga ana e FSHF-së, drejtuesit e së cilës kanë urdhëruar që ky lojtar të mos grumbullohet më me asnjë skuadër përfaqësuese të Shqipërisë. Kësisoj, Paçarada do ketë mundësi që të luajë vetëm për Kosovën ose Gjermaninë (në rast se kjo e fundit e grumbullon, gjë që duket totalisht e pamundur), duke qenë se ka edhe pasaportë të këtij vendi.
Dren Hoxha – Tjetër gjë për talentin e Shalkes, Dreni Hoxha. Ky i fundit ka pritur me padurim një grumbullim me kuqezinjtë, fakt që konfirmohet edhe nga trajneri Skënder Gega (e takoi muajin e shkuar në Gjermani), por as ky nuk do të jetë në miqësoren me Rumaninë. Shkak për këtë është bërë sërish Gjermania. Në këtë rast, Hoxha është i detyruar që të presë pasaportën gjermane (i ka skaduar), e cila është në verifikim e sipër. Sakaq, duke pasur në dorë për momentin vetëm dokumente kosovare, lojtari e ka të pamundur që të udhëtojë drejt Rumanisë. Sipas informacioneve, Hoxha mund të vijë në Shqipëri dhe të stërvitet me U- 21 në Durrës, por më pas nuk do të ketë mundësi që të shkojë në Rumani, pasi nuk merr dot vizë hyrëse me dokumentin kosovar që ka aktualisht. Kësisoj, mesfushori i Shalkes do të grumbullohet në një ndeshje të radhës, kur ai të jetë pajisur edhe me nënshtetësi dhe pasaportë shqiptare.

Paçarada si Kabashi, ja “tradhtarët”
Ju kujtohet Elvis Kabashi? Po Mërgim Brahimi? Ishin që të dy lojtarë të ekipeve të moshave të Shqipërisë, por sot emrat e tyre nuk ekzistojnë më në tabulatet e FSHF-së. Shkak janë bërë vetë lojtarët me veprimet e tyre. Kabashi kërkoi para dy vitesh që të grumbullohej vetëm me Kombëtaren A ose për ndryshe do shkonte tek Italia. Refuzoi Shqipërinë, sot nuk është fare në listat e skuadrave të moshave të Italisë (luan në kategorinë e dytë në Holandë, te Den Bosh). Ndërsa Brahimi u grumbullua edhe me Kombëtaren e parë të Shqipërisë, por me pretekstin se do të luante për Zvicrën nuk pranoi më të vishej kuqezi. Sot, jo vetëm që nuk është në listën e federatës helvete, por luan në kategorinë e dytë në Zvicër dhe i mbetet si rrugëzgjidhje vetëm Kosova. Në këtë rrugë duket se është edhe Leart Paçarada, të cilit FSHF-ja i ka mbyllur përfundimisht dyert e ekipeve kombëtare. Sakaq, në këtë hulli mund të përfundojë edhe Sulejmani e Xhimshiti, lojtarë këta që për momentin po luajnë me “dy porta”. Përveç tyre Shqipërinë e kanë refuzuar edhe shumë talente të tjerë si: Adnan Januzaj, Milaim Rama, Ronald Gërxhalliu, Pajtim Kasami, Valon Behrami, Granit Xhaka, Sotir Nini, Admir Mehmedi, Atdhe Nuhiu, Xherdan Shaqiri, Valmir Berisha, Ismail Zeli, Shkodran Mustafi, Panajot Kone, Andrea Tato, Elin Dhimutso, Stefano Kapino, Albi Kondi, Blerim Xhemaili, Albert Bunjaku, Ylli Sallahi, Marko Duni, Aleksandër Kuro etj.

Karimani, një tjetër “Meha” për Shqipërinë
Quhet Daredan Karimani. Luan te skuadrat e moshave të Paderbornit në Gjermani në pozicionin e mesfushorit. Aktualisht është grumbulluar nga Kombëtarja e Shqipërisë U-17 për ndeshjet kualifikuese të Elite Raund në Pogradec dhe Korçë nga data 8-13 tetor. Ai konsiderohet si një lojtar me të ardhme, fakt të cilin e vlerëson edhe media gjermane. Madje dje, në një shkrim për lojtarin shqiptar (newswalk.info), e shikonte Karimanin si “Alban Mehan” e ri të Paderbornit. Mesfushori ka aftësi të mira fizike dhe cilësi në mbajtjen e topit. Sakaq, ai është rritur në akademinë e Paderbornit, por sipas kësaj media me shumë gjasa lojtari do të largohet vitin tjetër, pasi ka rënë në sy të disa klubeve të mëdha gjermane.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"