Kamza rikthen Malindin, largohet portieri Bytyçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2017 | 10:18

Kamza rikthen Malindin, largohet portieri Bytyçi

Pas Nertil Hoxhës, drejtuesit e Kamzës kanë bërë goditjen e dytë në merkato. Enco Malindi, futbollisti i njohur në kampionatin shqiptar, ka pranuar ofertën e presidentit Naim Qarri për t’u rikthyer në këtë skuadër, pasi mungonte që nga koha kur kryeqytetasit ishin në Superiore. Në pjesën e parë të sezonit, Malindi është aktivizuar te skuadra e Laçit. Pasi ka marrë lejekalimin nga kurbinasit, lojtari është zyrtarizuar te kamzalinjtë, madje ka kryer edhe stërvitjen e parë nën urdhrat e trajnerit Devolli.

malindi - batha partizani - laci

Në ndeshjen e djeshme brenda grupit që stafi teknik kishte organizuar, Malindi ka arritur të shënojë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Me afrimin e 29-vjeçarit, Kamza kthehet në një nga skuadrat që ka sulmin më të rrezikshëm në Kategorinë e Parë. Ermir Rezi, Mario Morina, Vilfor Hysaj dhe së fundmi Enco Malindi i japin mundësinë trajnerit Devolli që të ketë disa alternativa në repartin e avancuar.

Largimi

Por, përveç afrimeve, te skuadra e Kamzës ka pasur edhe një largim. Portieri Mario Bytyçi nuk ka arritur të gjejë shumë hapësira në 13 javët e luajtura deri më tani në Kategorinë e Parë. Një gjë e tillë e ka detyruar portierin me eksperiencë që të shikojë për një tjetër mundësi aktivizimi në vijim, në një ekip ku do t’i sigurohet një vend titullari. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë drejtuesi kamzali do ta pranojnë sërish futbollistin në ekipin e tyre, duke i bërë një favor në këtë drejtim.

Bytyci ne ndeshjen ndaj Teutes

Stërvitja

Pavarësisht temperaturave të ulëta, Kamza në asnjë moment nuk i ka ndërprerë përgatitjet. Madje trajneri Devolli ka rritur ngarkesat fizike për futbollistët e tij, të cilët deri më tani janë duke përballuar intensitetin e përgatitjeve shumë mirë.

Në stërvitjen e djeshme, i pranishëm ka qenë edhe një lojtar japonez, që do të kalojë një provë disaditore dhe më pas do të jetë trajneri Devolli që do të vendosë për të ardhmen e tij. Ndërsa sot, në orën 12:00, kamzalinjtë do të zhvillojnë edhe ndeshjen e parë miqësore ndaj Laçit, në të cilën futbollistët do të shfaqin gjendjen e tyre reale.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"