“Jam në brendësi të situatës”, Flik “kunj” drejtorit sportiv: E njoh Bajernin më mirë se Salihamixhiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 10:27

“Jam në brendësi të situatës”, Flik “kunj” drejtorit sportiv: E njoh Bajernin më mirë se Salihamixhiç

Lojtarë të dëmtuar dhe merkato. Këto kanë qenë temat të cilat e kanë shoqëruar skuadrën e Bajernit të Munihut në përgatitjet e zhvilluara në Doha të Katarit. Trajneri i kampionëve të Gjermanisë, Hansi Flik, ka folur për “Sport1” në lidhje me deklaratat e drejtorit sportiv Hasan Salihamixhiç dhe si planifikon të nisë fazën e dytë të sezonit.


hasan-salihamidzic-600

Si shkuan përgatitjet në Doha?

Skuadra iu përgjigj mirë ngarkesës së stërvitjes. Intensiteti ishte i lartë, për mua objektivi u arrit. Ata që morën pjesë këtu, do të kenë një marsh më shumë në këmbët e tyre. Levandovski që nuk ishte me ne, ka nisur të stërvitet i veçuar në Mynih, stafi më konfirmoi se ai po ecën shumë mirë dhe është gati të na bashkohet sapo të kthehemi. Mendoj që vendimi për ta lënë në Gjermani, ishte i duhuri.

Sa pritet të mungojë Gnabri?

Për Sergen duhet të presim ende. Nuk e di nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Hertës. Ai ka përmirësime, por ende nuk është në 100% të formës së tij. Kjo javë do të jetë e rëndësishme, pasi do të mësojmë shumë gjëra. Gnabri është një lojtar që ka vuajtur shpesh nga dëmtimet dhe ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të duruar.

Vazhdoni të jeni në kërkim të një mbrojtësi të djathtë?

Unë e shpreha me sinqeritet mendimin tim. Ajo që më intereson është vetëm klubi. Objektivat tanë janë të mëdhenj, ndaj dhe baza e skuadrës duhet të jetë e shëndetshme. Situata e dëmtimeve është shqetësuese, por merkatoja e janarit prandaj është, për të rregulluar gjërat të cilat janë të nevojshme. Nuk heq asnjë presje nga ato që thashë, edhe lojtarët nuk e shohin ndryshe këtë gjë.

Replika me Salihamixhiçin?

Nuk dua të komentoj, fjalët e tij nuk mund dhe nuk dua t’i gjykoj. Unë e shoh skuadrën në mënyrën time dhe nga perspektiva ime. Nëse gjërat janë ndryshe, atëherë unë nuk kam asnjë problem.

Mund t’i arrini objektivat në fund të sezonit me këtë kontigjent lojtarësh?

Nëse do të gëzojmë shëndet të mirë deri në fund, atëherë mendoj se mund të kemi një shans. Skuadrës nuk i mungon cilësia. Në Champions, fati luan një rol të rëndësishëm. Sigurisht që kemi nevojë edhe për përforcime në disa pozicione. Sidomos në krahë, edhe pse kemi lojtarë si Kutinjo, që mund të zëvendësojë shumë mirë Koman dhe Gnabrinë. Në infermierinë tonë ndodhen për momentin shumë lojtarë të mirë dhe kjo është një problem nëse do të zgjasë për shumë javë.Flik

Jeni të kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të rinj në grumbullimin e Katarit?

Për të rritur cilësinë e skuadrës nuk duhet të punosh vetëm me lojtarët që ke në dispozicion, por edhe të kesh guximin për të ofruar djem nga akademia. Ne e kemi bërë këtë dhe fatmirësisht kemi marrë rezultate të mira. Një shembull është Zirkze. Ai na ka ndihmuar në dy ndeshjet e fundit të marrim gjashtë pikë. Nuk është e lehtë për një lojtar që vjen nga akademia. Te Bajerni presioni është shumë i madh, nuk mjafton të jesh mirë vetëm nga ana fizike, por edhe mentale. Ajo që më ka pëlqyer tjetër te të rinjtë është fakti që kanë kuptuar shumë shpejt se si funksionon ky klub. Nëse djersit dhe shfrytëzon shanset e tua, mund të luash një ditë në “Allianz Arena”.

Prisni më shumë nga Kutinjo në fazën e dytë?

Ai është një lojtar i madh. Nëse njeh karakterin e tij, mund të shohësh se është shumë i ndrojtur. Këtë sjellje ka edhe në fushën e lojës. Në këto dy javë kam parë përmirësime për sa i përket integrimit në skuadër. Besoj se do të bëjë diferencën në ndeshjet kyçe, këtë presim të gjithë nga ai.

Përse keni zgjedhur të luani ndaj Nurembergut?

Kjo është planifikuar që fundin e fazës së parë. Do të udhëtojmë direkt për në Nuremberg për të parë se ku ndodhemi me përgatitjet. Edhe pse do të jemi të lodhur, pasi udhëtimi do të jetë i gjatë, pres të shoh një skuadër të motivuar. Nuk më intereson rezultati, por loja.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"