“Jam i hapur për çdo mundësi”, Rroca: Në Kombëtare nuk i jepet përparësi atyre që kanë ecur me forcat e tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2023 | 14:50

“Jam i hapur për çdo mundësi”, Rroca: Në Kombëtare nuk i jepet përparësi atyre që kanë ecur me forcat e tyre

Nëse Istanbulspori do të luajë vitin tjetër në Superligën turke, kjo është padyshim edhe meritë e Eduard Rrocës, mesfushorit që mban shiritin e kapitenit në ekipin e Stambollit dhe ishte protagonist në ndeshjen e fundit që ata fituan në shtëpi, një sukses i cili i mbajti mes më të mirave. Shqiptari ishte autor i një goli dhe një asisti, teksa flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

rroca

Ishit protagonist në ndeshjen e fundit në shtëpi, me gol dhe asist, duke kontribuar direkt në një fitore, e cila shpëtoi ekipin për qëndrimin në Superligë, si ndiheni?
Natyrisht që ndihem shumë mirë, sidomos kur e ndihmoj ekipin që të marrë një fitore të tillë, e cila vlen sa gjithë sezoni. Ishte një ndeshje ku duhet të fitonim për të qëndruar në kategori dhe kur bën një ndeshje të mirë, kaq të rëndësishme për klubin, normalisht që ndihesh mirë dhe jam i lumtur në këtë pjesë.

Si e përshkruan Rroca këtë sezon në tërësi, në aspektin personal?
Mund të them se deri diku ka qenë një sezon i mirë, si në aspektin e klubit, por edhe në atë personal, pavarësisht se nuk nisi mirë për shkak se pësova një dëmtim në fillim të sezonit, u operova në shpatull. Pastaj çdo gjë shkoi në mënyrën e duhur, u riktheva në fushë avash-avash. Kisha besimin nga i gjithë klubi, stafi i trajnerëve dhe u riktheva. Më tej kemi marrë rezultate pozitive dhe siguruam qëndrimin në Superligën turke, që nuk është gjë e paktë dhe besoj se e kemi mbyllur me sukses sezonin.

U bënë tri vite në Turqi, keni arritur të bëheni edhe kapiten i ekipit, cilat janë synimet në të ardhmen?
Po, është e vërtetë, mbylla vitin e tretë në Turqi dhe si çdo futbollist tjetër, kam synime që të arrij sa më lart, por askush nuk e di se çfarë do të ndodhë dhe se çfarë na pret në të ardhmen. Mendimi im është që të rri gjithë kohës i përqendruar dhe të punoj fort dhe se çfarë do të vijë e pres krahëhapur.

Mendoni se jeni gati për të hedhur një hap edhe më të madh, ndoshta të provoni veten në një ekip më të fortë në Superligën turke?
Puna ime është që të stërvitem dhe të punoj. Shpresoj të mos kem dëmtime dhe pastaj çfarëdo që të vijë, qoftë nga Turqia apo qoftë nga një ekip jashtë Turqisë, për momentin nuk mund të flas, sepse sapo kemi mbyllur sezonin. Fjalë kemi pasur, biseda ka pasur, por deri tani asgjë konkrete. Do të shohim deri në fillim të sezonit që vjen. Por, nuk hedh poshtë asnjë lloj mundësie apo ndonjë pretendim që mund të kenë ekipet e tjera. Jam i hapur.

Pyetja e fundit është për Kombëtaren, ku siç duket Silvinjo këtë herë nuk i hodhi sytë nga Turqia, pasi jashtë mbeten edhe Roshi, Lenjani, Çekiçi, por edhe për ju nuk pati një ftesë? Cili është mendimi juaj?
Nuk e di çfarë mund të them për këtë pjesë. Mendoj se kampionati turk është cilësor, me ekipe të mëdha dhe lojtarë shumë të mirë. Nuk e di pse nuk i kushtohet rëndësi nga stafi i Kombëtares, por secili ka opinionin e vet për futbollin dhe futbollistët. Përderisa nuk kanë zgjedhur asnjë lojtar nga Turqia, do të thotë se është nuk një kampionat që mund t’i kënaqë ata. Por, besoj se duhet të ketë një vëzhgim më të madh për Turqinë, sepse janë shumë shqiptarë që luajnë në Turqi, jo vetëm në Superligë, por edhe në ligën e parë që mund të jenë kontingjent i Kombëtares, që kanë bërë mirë edhe në Shqipëri dhe po bëjnë mirë edhe këtu. Nuk e di, por gjithmonë u jepet përparësi lojtarëve që janë rritur jashtë, dhe nuk u jepet përparësi atyre që kanë dalë nga Shqipëria me forcat e tyre dhe kanë sakrifikuar.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"