Ish-sulmuesi Xhafaj: Bashkia t’i dalë për zot Flamurtarit, iku edhe drejtori që punonte ditë e natë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2019 | 23:00

Ish-sulmuesi Xhafaj: Bashkia t’i dalë për zot Flamurtarit, iku edhe drejtori që punonte ditë e natë

Daniel Xhafaj, i shokuar nga kriza e Flamurtarit. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Xhafaj thekson se në Vlorë nuk ka as ekip dhe as lekë, as trajner dhe as drejtues.

Xhafaj

Ish-sulmuesi vlonjat thumbon edhe drejtorin e dorëhequr Ardi Behari. Sipas Xhafajt, largimi i Beharit e tregon edhe më shumë se sa e thellë është kriza te Flamurtari.

“Në Vlorë nuk ka ekip se nuk ka lekë. Nuk dihet si do shkojë puna e borxheve. Nuk ka trajner, nuk ka as drejtues klubi. Imagjinojeni se sa keq është puna saqë edhe ai drejtori ekzekutiv a nuk e di çfarë pozicioni ka (Ardi Behari) jep dorëheqjen. Ai që ka bërë çdo gjë që është e mundur që të jetë aty. Kjo na shton akoma edhe më shumë idenë se në klub është një situatë alarmante. Vetë largimi i tij e tregon këtë gjë dhe e vërteton më së miri. Njeriu që nuk ka reshtur së punuari për më të mirën e Flamurtarit ditë dhe natë, që ai klub të ishte në majat e futbollit dhe të nxirrte sa më shumë talente dhe të fitonte sa më shumë trofe”, tha fillimisht Xhafaj.

THIRRJA

Ish-sulmuesi i njohur vlonjat, Daniel Xhafaj, parashikon se te Flamurtari situata do të shkojë edhe më keq. Xhafaj i bënë thirrje Bashkisë së Vlorës që të marrë në dorë fatet e klubit, pasi dilema është e madhe se çfarë do të ndodhë me të ardhmen dhe me detyrimet që klubi ka ndaj të tretëve.

daniel xhafaj

Lojtari vlonjat thotë se bashkia nuk duhet që të presë nga sponsorë ose nga firma që premtojnë se do të krijojnë standarde e klub modern dhe në fund e katandisin në këtë situatë.

“Unë e shikoj shumë keq dhe më vjen keq për situatën te Flamurtari. Më dhimbset klubi vlonjat, nuk kam çfarë të them. Në këto momente Bashkia e Vlorës duhet të marrë fatin e klubit në dorë. Të mos presë më ato firma ose sponsorë që do të na bënin ekip dhe do të na krijonin standarde dhe klub modern. Nuk është punë faji, por duhet reagim. Çfarë do të bëhet me të ardhmen, për sezonin që po vjen dhe detyrimet që kanë me të tretët?”, u shpreh ish-sulmuesi vlonjat.

ULTIMATUMI

Në Vlorë të gjithë e mbajnë frymën te 31 korriku dhe te ndonjë vendim që mund të marrë FSHF për të mos licencuar klubin të marrë pjesë në sezonin futbollistik të këtij viti. Klubi duhet që të shlyejë detyrimet për t’u licencuar, por deri më tani nuk ka asnjë hap.

Në rast se edhe pas këtij afati kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do t’i paraqiten Komisionit të Licencimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se Flamurtari mund të rrezikojë mosmarrjen e licencës e për rrjedhojë edhe mospjesëmarrjen në kampionatin e këtij viti. Për këtë ultimatum ish-sulmuesi Xhafaj shprehet: “Ja, më thoni çfarë komenti duhet t’i bësh kësaj deklarate! Nuk e di se çfarë do të ndodhë dhe se si do të shkojë puna. Ndoshta ata kanë zgjidhje surprizuese”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"