Interi mund Sampdorian, i dërgon tri “zile” Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2012 | 14:16

Interi mund Sampdorian, i dërgon tri “zile” Juventusit

Përpara sfidës së të shtunës, Interi i dërgon tri mesazhe Juventusit. Zikaltrit mposhtin me rezultatin 3-2 Sampdorian, duke u pozicionuar kështu në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit të Serisë A. Interi në minutën e 20-të shkon në disavantazh pas një gabimi të Ranokias në mbrojtje, nga i cili përfiton Munari. Por pesë minuta nga fillimi i pjesës së dytë Kosta pengon Militon. Karton të kuq për bardhekaltrin dhe penallti, të cilën Princi nuk e gabon. Palasio firmos golin e dytë falë një asisti të Kasanos, kurse Guarin realizon golin e tretë. Gjatë kohës shtesë Eder shkurton distancën e golave. Duke pritur Juventusin, Milito, Palasio e Guarin çojnë në krizë ish-juventinin Çiro Ferrara, i cili tani rrezikon shkarkimin nga detyra.

INTER – SAMPDORIA  3-2
GOLAT : Milito 52′ (p), Palasio 68′, Guarin 81′ / Munari 20′, Eder 94′
INTER (3-4-3): Handanoviç; Zaneti, Ranokia (84′ Silvestre), Samuel, Pereira (63′ Nagatomo); Mudingai (46′ Kambiaso), Guarin, Gargano 6; Palasio, Milito, Kasano. Trajner: Andrea Stramaçoni
SAMPDORIA (4-3-3): Romero; Berardi (53′ De Silvestri), Rosini, Gastaldelo, Kosta; Munari, Tisone, Poli (59′ Renan, 78′ Maksi Lopez); Estigarribia, Soriano, Eder. Trajner: Çiro Ferrara
KARTONË TË VERDHË: Mudingai 32′ / Munari 79′.
I KUQ: Kosta 51′
ARBITËR: Daniele Doveri

Skemat Stramaçoni ndryshon sërish. Tekniku zikaltër preferon të luajë me katër mbrojtës dhe tre sulmues. Kambiaso çuditërisht përfundon në pankinë. Dhe mungesa e tij në mesfushë faktikisht ndihet. Kurse trajneri i Sampdorias, Çiro Ferrara, vjen në Milano me një formacion tepër ofensiv. Ai vendos të luajë me skemën 4-5-1, me shpresën se do arrijë të mbajë të paprekur portën e portierit Romero.
Golat Interi e nis ndeshjen duke presuar deri në asfiksim kundërshtarin. Por manovra sulmuese e zikaltërve është e ngadalë, aq sa bardhekaltrit nuk e kanë të vështirë t’i mbyllin hapësirat. Interi gjatë pjesës së parë ua lë gjithçka në dorë tre sulmuesve, të cilët nuk arrijnë ta çajnë mbrojtjen doriane. Ndërkohë Sampdoria shënon në rastin e vetëm për gol që të dyja skuadrat kanë krijuar gjatë pjesës së parë. Një krosim nga e majta gjen Samuelin dhe Ranokian në të njëjtën zonë. Italiani nuk spastron zonën me kokë, topi i përplaset në këmbë, duke u shndërruar në një asist për Munarin, i cili shënon. Me fillimin e pjesës së dytë Interi hidhet përpara në kërkim të golit. Dhe Stramaçoni për t’ia dalë mbanë zëvendëson Mudingajin dhe në vend të tij fut Kambiason. Argjentinasi sapo zbret në fushë, ia ndryshon fytyrën Interit. Falë tij Milito është më i lëvizshëm dhe në minutën e 50-të, pasi mbron me mish e me shpirt një top në zonë, argjentinasi pengohet nga Kosta. Arbitri akordon penallti dhe karton të kuq. Penallti të cilën Princi e transformon në gol. Golin e dytë zikaltrit e shënojnë në kundërsulm, skemë në të cilën Strama dhe Interi janë bërë mjeshtër. Është Kasano ai që niset me shpejtësi dhe pasi pason saktë për Palasion, ky i fundit e depoziton topin në cepin e portës doriane. Goli i tretë i Interit është i rregullt edhe për moviolën, pavarësisht protestave të trajnerit Ferrara. Kasano ndërmerr një aksion në zonën doriane, ngre kokën, pason për Guarin, i cili futet në zonë dhe dërgon topin pas shpatullave të portierit Romero. Ferrara largohet nga pankina për protesta dhe përpara se gjyqtari të mbyllte ndeshjen, Eder shënon golin e dytë të takimit (3-2). Gol, i cili nuk mjafton për t’u evituar dorianëve humbjen e pestë radhazi.

“Jam në formë, dua të fitojmë të shtunën”
Autori i golit të tretë për Interin, mesfushori Fredi Guarin, e ka komentuar kështu fitoren e zikaltërve në “San Siro” me rezultatin 3-2 kundër Sampdorias: “Kemi bërë një ndeshje të madhe kundër një kundërshtari shumë të fortë. Tani që fituam, mund të mendojmë për Juventusin. Dalëngadalë po i ngjitemi tabelës së klasifikimit. Dhe tani sfida kundër bardhezinjve bëhet akoma më interesante”. Më tej kolumbiani shton: “Tani jam mjaft mirë fizikisht. Ndaj Sampit kam shënuar një gol të rëndësishëm, kështu që shpresoj të vazhdoj kështu”.

“Nuk e kemi frikë Juven dhe arbitrat”
Presidenti i Interit, Masimo Morati, nuk ia ka frikën Juventusit: “Jam i mendimit se të dyja skuadrat duhet të shkojnë te sfida e së shtunës me qetësinë më të madhe. Mjaft më polemika mbi arbritrat! Juventusi? Interi është Interi, dhe unë nuk ua kam frikën bardhezinjve. Kam besim se djemtë e tij do arrijnë të na bëjnë një tjetër dhuratë të bukur”. Sampdoria? “Bardhekaltrit na kanë vënë në vështirësi serioze, por Interi tregoi se është një ekip me karakter, duke e përmbysur rezultatin”, – shtoi Morati.

“Interi im, sa vjen e bëhet më i fortë”
Në përfundim të ndeshjes me Sampdorian, trajneri i Interit, Adrea Strmaçoni, është paraqitur tepër i lodhur nga emocionet përpara mikrofonave të “Sky Sport”: “E kemi rritur ndjeshëm nivelin tonë. Për nga mënyra e lojës skuadra ka shkëlqyer. Ky është Interi më i bukur që kam parë qëkurse jam në krye të skuadrës”. Stramaçoni kundër Sampit nuk ka kursyer asnjë prej lojtarëve të tij më të mirë për ndeshjen e së shtunës. Ai shpjegon edhe arsyet që e shtynë të ndërmarrë këtë veprim: “Ndoshta ngaqë jam i ri në Serinë A, unë nuk kursej askënd. Pastaj jemi ende në fillim të kampionatit. Unë mendoj nga ndeshja në ndeshje, ndërsa për Juven do mendoj që sonte”.

Zaneti: Kemi një sulm të frikshëm
Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, është tepër i lumtur për paraqitjen e zikaltërve në “San Siro”: “Skuadra reagoi siç duhet. Sulmi ynë është fantastik. Të kesh lojtarë si Palasio, Milito dhe Kasano është një fat i madh për ne. Juventusi? Në Torino do shikoni një Inter akoma më të fortë. Jemi të vetëdijshëm se do kemi përballë një Juventus super. Shpresojmë që të jetë një ndeshje e bukur, të cilën ne mund ta fitojmë nëse shpalosim në fushë të njëjtin karakter që treguam ndaj Sampdorias”.
Përgatiti: PARID AGOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"