Idrizi është i sigurt: Kemi marrëveshje me Tatimet, do të licencohemi. Prej dy ditësh…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2019 | 12:17

Idrizi është i sigurt: Kemi marrëveshje me Tatimet, do të licencohemi. Prej dy ditësh…

Flamurtari arrin një marrëveshje me Tatimet. Drejtuesit e Klubit të Futbollit “Flamurtari” kanë nënshkruar një akord ligjor me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve për t’i paguar me këste borxhet e prapambetura të sigurimeve shoqërore dhe taksës mbi të ardhurat personale të futbollistëve.

Duka-Idrizi

Vlonjatët kanë depozituar marrëveshjen në FSHF, që hap kështu edhe shpresën që klubi të licencohet nga institucioni më i lartë i futbollit në vend për sezonin e ri futbollistik.

MARRËVESHJA

Detyrimet në Tatime do të paguhen një pjesë nga klubi dhe një pjesë nga bashkia, ndërsa se si do të përpjesëtohet ky detyrim ende është i paqartë. Diçka të tillë do ta saktësojnë ekspertët e të dyja palëve që do ta përcaktojnë të detajuar në shifra. Administratori Sinan Idrizi konfirmoi për “Panorama Sport” lajmin e marrëveshjes me Tatimet, ndërsa la të kuptohet që nuk do të ketë probleme me licencimin pasi dokumentin e marrëveshjes e dorëzoi në FSHF dhe sot do të ketë përfaqësuesin e vet në hedhjen e shortit për sezonin e ri.

Sinan-Idrizi

“Kemi arritur marrëveshjen me Tatimet për pagesën e detyrimeve që kemi. Letrat me marrëveshjen përkatëse e kemi dorëzuar në FSHF. Dje (pardje) dhe sot (dje) unë kam qenë në Tiranë për këto probleme. Do të shikojmë çfarë detyrimesh kemi. Cilat janë tonat dhe cilat mund t’i paguajë bashkia dhe do të nisim pagesat. Tashmë doli ligji i sporteve dhe kaloi në Komisionin Ekonomik. Tani do të kemi një histori tjetër. Ju ngeli në gojë licencimi i Flamurtarit. Unë po ju them se sot (dje) na njoftuan nga FSHF që nesër (sot) të jemi në Tiranë për hedhjen e shortit”, tha Idrizi.

DETYRIMET

Prej një viti klubi vlonjat nuk po i paguan sigurimet shoqërore të lojtarëve. Burime të besueshme pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Vlorë konfirmuan ekskluzivisht për “Panorama Sport” se deri më tani borxhi për detyrimet tatimore ka shkuar rreth 110 milionë lekë të rinj ose shprehur ndryshe në të vjetra, në mbi 1 miliard lekë. Flamurtari paguan detyrime shumë të larta në Tatime për sigurimet shoqërore, për shkak se deklaron paga të larta.

Pagesa minimale e një lojtari në muaj për sigurimet shkon në 220 mijë lekë të vjetër. Por, nuk janë vetëm sigurimet shoqërore. Klubi paguan shumë edhe për taksat personale të futbollistëve, pasi tatimi mbi të ardhurat personale është i lartë. Me arritjen e marrëveshjes me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, pritet që borxhi prej 1 miliard lekësh të paguhet në disa këste.

LLOGARITË

Flamurtari është me llogari bankare të bllokuara, por më marrëveshjen me Tatimet pritet që edhe ato të zhbllokohen. Prej një viti klubi nuk paguan detyrimet në Tatime dhe në këto kushte janë bllokuar llogaritë. Vlonjatët nuk mund të bëjnë asnjë transaksion apo veprim bankar.

Historia e llogarive nuk është e panjohur në Vlorë. Shpesh llogaritë janë bllokuar për shkak të problemeve me pagesat, por atëherë situata zgjidhej, pasi klubi paguante me këste. Tashmë Flamurtarit do të mund t’i zhbllokohen edhe veprimtaritë e tjera. Vlonjatët do të kenë mundësi që të kryejnë normalisht edhe veprimet në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Qendrën e Kolaudimit të Automjeteve, por edhe në ZVRPP.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"