I ofrohet rinovimi, Morina refuzon Tiranën. “Divorci” i parakohshëm, i paevitueshëm

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 1, 2013 | 12:49

I ofrohet rinovimi, Morina refuzon Tiranën. “Divorci” i parakohshëm, i paevitueshëm

MorinaTirana synon bllokimin e Mario Morinës. Pak ditë më parë, drejtuesit bardheblu i kanë ofruar rinovimin e kontratës edhe me dy vite të tjera sulmuesit 21- vjeçar, mirëpo futbollisti ka refuzuar. Kërkesat e shumta në drejtim të tij, sidomos prej skuadrës së Skënderbeut, që po insiston për të marrë shërbimet e këtij elementi, kanë bërë që kryeqytetasit të reagojnë menjëherë dhe të tentojnë blindimin e Morinës. Burime të sigurta pranë klubit zbulojnë për “Panorama Sport” se administratori Krenar Alimehmeti ka insistuar që t’ia rinovojë kontratën edhe për dy sezone të tjera sulmuesit të talentuar. Mirëpo Morina, pasi ka dëgjuar ofertën e bërë nga klubi, nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Kujtojmë që 21-vjeçari është në kontratë me Tiranën edhe për sezonin tjetër, teksa marrëveshja e tij skadon në verën e 2014-ës. Ka qenë vetë trajneri i bardhebluve, Nevil Dede, që për gazetën tri ditë më parë tregoi se Morinën e ka në planet e tij dhe se nuk do që ai të largohet. Megjithatë, nga e gjithë kjo situatë e krijuar, kuptohet se “divorci” mes palëve është i paevitueshëm. Nga sa thuhet, është vetë presidenti i skuadrës korçare, Ardjan Takaj, ai që po merret personalisht me transferimin e këtij lojtari drejt Skënderbeut. Ai ka pasur takime edhe me krerët e skuadrës kryeqytetase për të arritur një akord dhe lëvizja e tij të bëhet shpejt. Sakaq, vetë klubi i ka vënë çmim largimit të Morinës. Pra, nëse në Korçë e duan, fillimisht duhet të paguajnë një shumë prej 30 mijë eurosh. Se si do të gjendet zgjidhja kjo mbetet për t’u zbuluar dhe gjasat janë që, gjatë javës së ardhshme, e ardhmja e sulmuesit të përcaktohet. Edhe pse në Korçë e bëjnë fakt të kryer arritjen e një marrëveshjeje të parakohshme me lojtarin në fjalë, gjithçka mbetet për t’u parë.

Tirana i jep dy javë kohë vetes për merkaton
Merkatoja e Tiranës ka mbetur ende pezull. Preferencat e stafit teknik janë zbuluar tashmë, mirëpo për akorde nuk mund të flitet. Sabien Lilaj, Sokol Cikalleshi, Dorian Kërçiku, Tefik Osmani, Jetmir Sefa, Ervis Çaço dhe shqiptaro-maqedonasi Gjelbërim Taipi janë futbollistët që Nevil Dede do t’i donte në skuadër për sezonin e ri. Bardheblutë kanë nisur tratativat me këta emra dhe pritet që vetëm në ditët në vazhdim të ketë diçka konkrete për ndonjë transferim të mundshëm. Mirëpo, nga sa mësohet, drejtuesit i kanë vënë vetes dy javë kohë dhe vetëm më pas do të ketë ndonjë zyrtarizim. Me të gjithë lojtarët që klubi ka folur dhe ka nisur bisedimet, pasi ka mësuar kërkesat e tyre, u ka thënë që pas dy javësh do të marrin një përgjigje. E përkthyer ndryshe, gjithçka varet nga pjesa e financave dhe sigurimi i tyre. Dëshira e kryeqytetasve për të afruar këta elementë është e madhe, por jo me të gjithë do të jetë i mundshëm akordi. Disa janë nën kontratë me klubet e veta, të tjerë janë të lirë, por nuk duan të nxitohen në zgjidhjen e tyre, ndërsa me të tjerë drejtuesit ende nuk kanë nisur bisedimet. Nga shtatë të lartpërmendurit, pesë prej tyre janë ish-futbollistë bardheblu, sepse në periudha të ndryshme kanë qenë pjesë e skuadrës 24 herë kampione të vendit. Madje, disa kanë fituar edhe trofe.
ADELA MERKO






www.minuta90.com