I ndëshkon goli i Ndrekës, Shkumbini bie pas 19 vitesh nga Kategoria Superiore…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2013 | 13:15

I ndëshkon goli i Ndrekës, Shkumbini bie pas 19 vitesh nga Kategoria Superiore…

Shkumbini-Laci 1-1

LAÇI-SHKUMBINI  1-0
GOLI: Ndreka 62′
LAÇI: Bakaj, Doku, Ndreka, Buljan, Çela, Bilibashi (Danaj 72′), Shazivari, Vucaj, Sefgjini, Blloku, Emurllai (Milenkoviç 82′). Trajner: Stavri Nica
SHKUMBINI: Ajazi, Salliu (Branica 83′), Isaji, Magani, Vogli, Lluca, Xhyra, Dervishi, Musta, Mile (Sulkja 68′), Sekseni. Trajner: Astrit Isaji (administratori i klubit)
KARTONË TË VERDHË: Vucaj 46′, Bilibashi 53’/ Sulkja 85′
VËZHGUES: Astrit Canaj
DELEGAT: Hito Hitaj
GJYQTARET: Bardhyl Pashaj/ R.Çokaj dhe R.Preça

MINUTAT
12′ Sefgjini kroson nga e majta dhe Blloku, fare pranë portës mike, nuk arrin të shënjestrojë siç duhet duke e dërguar topin mbi tra.
17′ Lluca tenton nga distanca, por gjuajtja e tij është e pasaktë.
24′ Ndreka godet me kokë, por miqtë devijojnë për goditje këndi duke larguar rrezikun.
62′ Vucaj ekzekuton një goditje këndi dhe Buljan asiston me kokë për Ndrekën, i cili devijon topin në rrjetë, duke u dhënë avantazhin vendësve.
64′ Bilibashi del përballë Ajazit, por godet mbi tra.
65′ Shazivari ekzekuton një goditje dënimi, por Ajazi gjendet në gatishmëri duke e devijuar topin për në korne.
69′ Musta gjuan një goditje dënimi, topi përplaset fillimisht në tokë, por Bakaj vihet në lëvizje duke e devijuar atë për në korne.

Shkumbini bie matematikisht nga Kategoria Superiore pas plot 19 vitesh. Ishte sezoni 1994- ’95, kur peqinasit do të merrnin pjesë për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar dhe që prej atij momenti nuk kishin njohur një krizë kaq të madhe rezultatesh sikundër këtë vit. Edhe pse rënia ishte sinjalizuar prej shumë javësh, kjo nisur edhe nga organika e kësaj skuadre, ajo që e vulosi ishte humbja e djeshme në Laç. Vendësit, edhe pse të dalë jashtë çdo objektivi në kampionat, kanë mundur Shkumbinin në fushën e tyre falë golit të shënuar në pjesën e dytë me anë të qendërmbrojtësit lezhjan, Henri Ndreka. Fakti që ndeshja luhej pa praninë e tifozëve, por edhe se te kurbinasit nuk kishte presion për pikë, nuk u kanë shërbyer miqve, të cilët kishin ardhur me synimin për të dalë nga kjo ndeshje me pikë për të shpresuar në qëndrimin në Superiore.
Akuzat – Në ndeshjen me Laçin peqinasit nuk kishin në pankinë teknikun Mile, pasi ky i fundit mungonte për arsye familjare, ndërsa trajnerin për bardhekaltrit e bëri pikërisht shefi i klubit, Astrit Isaji, i cili në fund të ndeshjes ishte tejet i mërzitur dhe i irrituar duke shpërthyer në akuza ndaj rivalëve të këtij sezoni në Superiore. “Sëmundja e trukimeve vazhdon të rishfaqet në futbollin tonë. Sot (dje) morëm vulën për të rënë nga kategoria dhe kjo u vulos nga Besa, Kukësi, Vllaznia dhe Laçi. Marrëveshja e një jave më parë midis Kukësit e Besës, e cila u bë fare hapur, rezultoi e suksesshme duke na dëmtuar ne. Sa i përket ndeshjes mendoj se djemtë zhvilluan një takim përgjithësisht të mirë, edhe pse kam rezerva për gjykimin. Gjithsesi gjithçka ishte e paravendosur më parë. Tashmë që Shkumbini ra nga kategoria urojmë që gjykata dhe Prokuroria t’i shkojnë deri në fund problemit të trukimeve ku strumbullari kryesor është Besa”.
Ndeshja – Vendësit zbresin rrezikshëm që në minutat e para dhe rrezikojnë me anë të Bllokut, por topi i goditur prej tij përfundon vetëm në rrjetën e jashtme. Kurbinasit i afrohen me anë të qendërmbrojtësit Ndreka, i cili godet me kokë një top të harkuar nga goditja e këndit, por topi devijohet nga një prej mbrojtësve peqinas. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, por me një Laç dominues që vetëm goli i mungon.
Goli – Pjesa e dytë nis pa asnjë zëvendësim për të dy ekipet, teksa teknikët respektivë u kanë besuar sërish 11 lojtarëve që e kishin nisur këtë takim. Vendësit janë më kërkues dhe shohin më shumë nga porta e Shkumbinit e në minutën e 52-të kanë pretenduar edhe për një 11-metërsh për një prekje të topit me dorë, por Pashaj, i ndodhur fare pranë aksionit, e ka cilësuar si të pavullnetshme duke bërë shenjë për vazhdimin e lojës. Do të duhej minuta e 62-të e takimit për t’u zhbllokuar kjo ndeshje, teksa Ndreka ka devijuar me këmbë topin e goditur me kokë nga Buljan pas harkimit të Vucajt nga një goditje këndi. Ky do të rezultonte edhe goli që do vuloste rënien e Shkumbinit në Kategorinë e Parë.

MË I MIRI
Henri Ndreka jo vetëm që arriti të shënonte, por ishte i pakalueshëm në mbrojtje sa herë që kundërshtari shfaqej në zonën e kurbinasve. Gjithashtu një paraqitje mjaft të mirë bëri edhe kapiteni Vucaj, i cili ishte i kudondodhur në fushë, si dhe Shazivari që, edhe pse i vendosur në qendër të mesfushës.

MË PAK AKTIVI
Peqinasit vinin në Laç për të marrë maksimumin, pasi kështu do të kishin mundësi të shpresonin për një qëndrim në Kategorinë Superiore, por në fushën e lojës nuk tregojnë asgjë, ndaj në këtë mënyrë i shkon një notë negative gjithë ekipit. Më dobët Mile në sulm dhe Salliu.

Nica: Duam ta mbyllim me sukses këtë sezon
Trajneri i Laçit, Stavri Nica, e ka vlerësuar fitoren e djeshme, paçka se ka theksuar se ajo vlente pak për kampionatin. “Dihet që vëmendja kryesore e jona është e përqendruar te finalja e kupës, por deri në atë moment do të duhet të ruajmë ritmin e ndeshja e sotme na shërbeu për ta bërë diçka të tillë. Ekipi u paraqit mirë dhe e meritoi fitoren. Tashmë ne duhet të shohim përpara e të vijojmë të stërvitemi me impenjim maksimal, pasi është mjaft e rëndësishme për ne nëse duam ta mbyllim me sukses këtë sezon”.
VLADIMIR PRENGA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"