I dha fitoren Kukësit kundër Vllaznisë, Rashiti: Jetoj me golin, vuaja kur nuk e ndihmoja dot ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2023 | 12:40

I dha fitoren Kukësit kundër Vllaznisë, Rashiti: Jetoj me golin, vuaja kur nuk e ndihmoja dot ekipin

Mund të mos ishte fare në fushë dje për shkak të një dëmtimi, por “shtrëngoi dhëmbët” dhe u fut për të bërë heroin. Bëhet fjalë për Atdhe Rashitin, sulmuesin e Kukësit, që i jep tri pikët skuadrës dhe i largon nga vendet e fundit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, pas ndeshjes, 24-vjeçari nuk e fsheh kënaqësinë e golit të parë sezonal me skuadrën, që shpërblen punën dhe përkushtimin e të gjithëve.

rashiti

Si një sulmues, ai jeton me golin dhe shpreson që të mos e ndjekë më fati i keq me dëmtimet, por të jetë aty sa herë skuadra të ketë nevojë. Rashiti nuk kërkon të vendosë objektiva afatgjatë, por shpreson të marrin maksimumin edhe në ndeshjen e radhës me Egnatian.

Sa i kënaqur jeni me golin që i dha fitoren skuadrës?

Normalisht jam shumë i gëzuar, sepse ishte një gol me mjaft vlera për të gjithë ne: skuadrën, klubin dhe tifozët. Kjo fitore na e rrit vetëbesimin dhe shpërblen punën e madhe dhe përkushtimin e të gjithëve për të bërë sa më mirë.

E prisnit, sepse vinit edhe pas një dëmtimi?

Sulmuesi e kërkon golin dhe jeton me gola. Unë nuk e pres, por punoj për të shënuar.

Sa e keni vuajtur pjesën që keni qenë i pafat me dëmtimet këtë sezon?

Të them të drejtën e kam vuajtur shumë pamundësinë për të qenë në fushë në ditët e vështira të skuadrës. Pamundësia fizike lë natyrisht gjurmë dhe në aspektin psikologjik, por mbështetja e vazhdueshme e njerëzve të mi të dashur dhe fansave që më shkruajnë, më jepnin zemër. Shpresoj që mbas kësaj të kem fat me dëmtimet dhe të jem në dispozicion të trajnerit për vazhdimin e kampionatit.

Ndeshja e radhës me Egnatian, si e prisni këtë sfidë?

Egnatia me ecurinë e saj ka treguar që është një ekip goxha i konsoliduar dhe natyrisht do të jetë një ndeshje e vështirë. Por kjo nuk do të thotë asgjë për ne. Hyjmë në fushë për të luftuar, dhënë më të mirën dhe për të marrë frytet e punës sonë. Është kampionat shumë i fortë dhe nuk mjafton 100%, duhet të japim shumë më shumë.

Deri ku mund të shkojë ky Kukës këtë sezon apo nuk i vendosni vetes objektiva?

Natyrisht që në çdo ndeshje kemi objektiv të fitojmë. Është akoma shumë herët që të vëmë objektiva afatgjatë. Ne i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Objektiv personal kam rikuperimin 100% sa më shpejt dhe kthimin nga fillimi në fushë për të mbështetur skuadrën.

V.MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"