Hysenbelliu, ofertë 3-vjeçare nga Austria. Tirana, 3 ditë kohë testuesve që të bindin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Korrik 4, 2013 | 12:34

Hysenbelliu, ofertë 3-vjeçare nga Austria. Tirana, 3 ditë kohë testuesve që të bindin

Hysenbelliu-1U paraqit shumë mirë në fazën e dytë të sezonit të kaluar me skuadrën e Tiranës. Bardheblutë, 24 herë kampionë të Shqipërisë, u renditën në vendin e pestë. Ndërkohë Fatmir Hysenbelliu ishte protagonist, duke mbajtur mbi supe edhe fanellën me numrin 7. Aktualisht Hysenbelliu është duke ngjitur shkallët e karrierës. Pasi rinovoi vitin e kaluar kontratën me Barin, 21-vjeçari ende nuk e di se cila do të jetë e ardhmja, ashtu si edhe shumë kolegë të tij, pasi ende nuk është përcaktuar edhe programi që ka klubi bardhekuq për sezonin e ardhshëm. Momentalisht ka dy rrugë: një tjetër huazim te Tirana, klub që është gati ta mirëpresë sërish mesfushorin duke zgjatur marrëveshjen e huazimit, ose Bari ta shesë përfundimisht kartonin e tij. Burime pranë redaksisë së “tuttobari.it” bëjnë me dije se lojtari po ndiqet me interes nga disa klube. Një ndër klubet është austriak, madje i niveleve të larta, i cili i ka ofruar futbollistit një kontratë trevjeçare. Për faktin se dy klubet janë ende në bisedime dhe me qëllim që të mos influencohet në merkato, për momentin nuk bëhet i ditur emri i skuadrës austriake. E megjithatë, e gjitha kjo do të qartësohet javën e ardhshme, kur klubi i Barit të ketë përcaktuar qartë projektin e sezonit të ardhshëm. Aty do të mësohet nëse Hysenbelliu do të qëndrojë te Bari, do të kalojë përfundimisht te Tirana, apo do të nisë një aventurë interesante në ligën austriake. Marrë nga “tuttobari.it”

Tirana, tri ditë kohë testuesve që të bindin
Nga dita e hënë kur nisi grumbullimi i parë për sezonin e ri futbollistik, te Tirana ka pasur një dyndje lojtarësh, të cilët do të jenë në provë deri në fundjavë. Sipas informacioneve, të shtunën trajneri Nevil Dede ka programuar një miqësore me skuadrën e U- 19 të Tiranës dhe aty do të shikohet se cili nga lojtarët e ardhur në testime do të qëndrojë. Momentalisht, në stërvitje janë Enkelejd Cankja, Mikel Hoxha, Edison Qafa, Albi Llënga, Gentian Prela, Ilir Kastrati dhe Edison Plaka. Që të gjashtë këta lojtarë, sipas informacioneve të marra në klub, do të jenë në stërvitje për disa ditë, derisa të merret edhe vendimi nga ana e trajnerit. Nëse Dede jep OK-in, atëherë lojtari do të ulet në bisedime me drejtuesit e klubit për të firmosur për një kontratë. Ndërkaq bëhet me dije se nga shkolla e mjeshtërisë sportive, veç Hoxhës dhe Lapardhasë, Tirana ka afruar edhe dy lojtarë të tjerë: Gavazajn dhe Hysenin. Alush Gavazaj ka lindur në Prizren dhe është formuar si futbollist në ekipet e moshave të Lirisë. Ai ishte i vetmi kosovar që bënte pjesë në shkollën e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi” dhe aktivizohej për ekipin e Shkëndijës U-19. Mesfushori shtatlartë është dalluar në kampionatin e të rinjve për fantazinë që e karakterizon në lojë dhe altruizmin në fushën e blertë. Në të njëjtin rol pak a shumë është edhe Hyseni, edhe ky i dalluar me këtë skuadër gjatë sezonit të shkuar. Sipas drejtuesve të klubit, me lojtarët është rënë dakord dhe ata do të jenë pjesë e Tiranës në ditët në vazhdim.





www.minuta90.com