Hoxha: Dua kualifikimin, ja çfarë mendoj për Sormanin dhe Atandan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2016 | 11:08

Hoxha: Dua kualifikimin, ja çfarë mendoj për Sormanin dhe Atandan

Shorti i hedhur dje në Nion e ka vendosur Partizanin përballë rusëve të Krasnodarit. Kundërshtari i të kuqve, ndonëse është krijuar para 8 viteve si klub, falë presidentit të tyre, është një skuadër me potencial të lartë.

Kapiteni Alban Hoxha në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” tregon se nuk prisnin shumë nga shorti, gjithsesi Partizani do të mundohet që të arrijë mrekullinë, kualifikimin. Më pas, portieri ka folur për polemikat e fundit ngritur ndaj trajnerit dhe mbrojtësit Atanda, si dhe për të ardhmen e tij.

alban hoxha

Alban, aventura e Partizanit në Europë është zhvendosur në Rusi ndaj Krasnodarit. Si e shikoni rezultatin e shortit të Partizanit?

Ne e dinim që para hedhjes së shortit që çdo kundërshtar, me të cilin do të përballeshim, do të ishte i vështirë. Përpos emrave që kemi pasur përpara deri tani, Slovan Bratislava, Ferencvarosh dhe Salzburg, jemi përballur thuajse si të barabartë, ndonëse në letër ne kemi qenë inferiorë ndaj tyre. Fusha e lojës ka treguar të kundërtën, madje mund të ishim kualifikuar ndaj Salzburgut, i cili na eliminoi me episode dhe jo me dominim. Edhe ndaj Krasnodarit do të mundohemi të bëjmë të njëjtën gjë, ndonëse nuk e njohim si kundërshtar. Do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin, përpos potencialit që përmban ekipi rus. Do Zoti që të kemi edhe fatin me vete në këtë raund dhe të arrijmë kualifikimin.

Në dallim nga turet e kaluara në Europë, kësaj radhe ndeshjen e parë e luani në transfertë. E shikoni në favor këtë gjë?

Personalisht e shikoj si një gjë të mirë që takimin e parë e luajmë në Rusi. Na del për detyrë që të tregohemi sa më të kujdesshëm në ndeshjen e parë, që në shtëpi të kemi mundësi të përfitojmë nga rezultati i 90- minutëshit në transfertë. Praktikisht do të mundohemi të luajmë sa më mirë në fazën mbrojtëse, që të mos pësojmë gol. Nëse e realizojmë këtë gjë, në “Elbasan Arena” do ta kemi më të lehtë për të realizuar synimin tonë, pasi luajmë para tifozëve tanë.

sormani partizani

Alban, së fundmi kanë shpërthyer shumë kritika ndaj trajnerit Sormani për eliminimin nga Salzburgu, kryesisht për pozicionimin e lojtarëve në krahun e majtë. Madje, për këtë është shprehur dje edhe ish-drejtori Dervishi. Cili është mendimi juaj për këtë polemikë të hapur?

Janë gjëra normale këto që ndodhin, pasi kur nuk ka rezultat, trajneri vihet në shënjestër. Megjithatë, unë mendoj se trajneri Sormani ka bërë një punë shumë të mirë me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Shpresoj që ai të vazhdojë sa më gjatë me ne, pavarësisht këtyre ndeshjeve që po zhvillojmë në Europë, takime të cilat kanë një shkallë vështirësie shumë të lartë.

Drejtori Tomori pohoi për “Panorama Sport” se ekipi gabon si grup dhe nuk mund t’i vihet faji një personi të veçantë. Ju pas ndeshjes keni përmendur Atandën si shkaktarin e ndëshkimit ndaj Salzburgut…

Ajo që ndodhi ishte momentale. Faktikisht kur mbaron ndeshja, aq më shumë kur rezultati nuk është në favor, është mirë që lojtarët të mos prononcohen, pasi janë akoma me inatin e takimit. Ky ishte fati i keq që i takoi Atandës ku gaboi në ato dy raste. Mund t’i ndodhë çdokujt që të bëjë gabime, pasi goli nga gabimet vjen. Aty ishte Atanda, por nuk duhet kryqëzuar ai për humbjen që pësuam në Austri.

partizani

Pra, pas ndeshjes ju paskeni folur parakohe për Atandën. Ndieni ndonjë pendese për deklaratën që dhatë pas Salzburgut, apo…?

Nuk është se kam thënë diçka të madhe ndaj Atandës, pasi nuk është se ai bëri ndonjë gabim të madh. Të mos harrojmë se në sezonin e fundit Atanda na ka shpëtuar me dhjetëra herë duke bërë një kampionat shumë të bukur. Ndodhi momenti i keq i atij në ndeshje dhe i imi pas humbjes, ku isha i mërzitur. Ndoshta kam bërë gabim që përmenda emër. Faktikisht në raste të tilla është mirë që të mos flasësh pas ndeshjes, pasi inati i humbjes të bën të thuash më shumë se duhet.

Me gjasa ndaj Krasnodarit do t’u mungojnë tifozët, për vetë largësinë dhe kushtet ekonomike të shqiptarëve. Do të ndikojë kjo tek ekipi?

Kjo gjë është e vërtetë, por gjithçka mund të ndodhë. Gjithsesi, ata do të jenë të shumtë para televizorit duke na ndjekur dhe, pas një jave, do të na mbështesin fuqishëm në “Elbasan Arena”. Ndeshja e dytë do të jetë vendimtare për ne dhe fatmirësisht do të luajmë para tifozërisë sonë të zjarrtë.

13936781_10210583030958909_248520644_n

Diçka rreth së ardhmes, kur dihet që pas Ferencvaroshit emri juaj është lakuar shumë nga mediat europiane. Pritet ndonjë zhvillim para nisjes së sezonit të ri?

E kam thënë edhe më përpara, klubi merret me ofertat që vijnë për shërbimet e mia. Për momentin, jam i fokusuar te këto dy ndeshjet e radhës në Ligën e Europës, pastaj të shikojmë meqë merkatoja mbyllet në fund të muajt.

Presidenti ka deklaruar se nuk do të bëhet pengesë nëse ka ndonjë ofertë ndaj jush. Deri tani janë lakuar Italia dhe Turqia, por mund të ketë edhe ndonjë shtet tjetër që ne nuk e dimë. Ku do të preferonit që ta vazhdonit karrierën?

Presidenti ma ka konfirmuar edhe mua se nuk do të jetë pengesë nëse do të vijë ndonjë ofertë e mirë për mua. Faktikisht kampionati italian mua më pëlqen shumë, por në fund do të përzgjedh ku të jetë më e mira për mua. Nuk është e thënë se më pëlqen Italia dhe u vendos, pasi janë shumë detaje e faktorë që vendosin në një transferim. Por do të përzgjidhet oferta më e vlefshme për mua dhe për Partizanin. Le t’ia lëmë kohës…

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"