HISTORI KRITIKE/ Padrejtësitë e mëdha të kampionateve të Shqipërisë (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2023 | 19:02

HISTORI KRITIKE/ Padrejtësitë e mëdha të kampionateve të Shqipërisë (PJESA II)

Nga BESNIK DIZDARI
Pjesa e Dytë
4. AJO E VITIT 1955: PARTIZANI…
Është 1955. Dhe Dinamo, e cila për herë të dytë shpallet kampione e Shqipërisë për shkak të golavarazhit ndaj Partizanit. Golavarazhi i Dinamos ishte 74-9, pra + 65 gola pozitiv. Golavarazhi i Partizani ishte 93-15, pra + 78 gola pozitiv, ose me 13 gola më mirë se Dinamo.

280747485_2788603421447870_2384958546951265589_n-1

Ngjet, pra, po ajo që kishte ngjarë më 1950, siç e trajtuam në pjesën e parë të kësaj historie. Çka do të thoshte se do të ishte hera e dytë në historinë e kampionateve të Shqipërisë që e njëjta skuadër, në këtë rast Dinamo e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shpallej kampione përmes këtij pjesëtimi vërtet fantastik. Dinamo rifiton titullin mbasi në plot 6 vjet e kishte humbur vetëm një herë, pra një vit më parë, më 1954. Plot 5 tituj në 6 vjet! Një sukses i rrallë. I dyti i llojit mbas atij të SK Tiranës së viteve ’30: 6 tituj në 7 kampionate! Dhe duhej të vinin vitet 2000 të shekullit XXI që Skënderbeu i Korçës të fitonte 7 kampione në 8 vjet (2011-2018). I paarritshëm!

A ishte një kampione e merituar kjo Dinamo e padrejtësisë së madhe datuar 1955?

Sepse mund të shpallej kampion Partizani dhe padyshim do ta quanim edhe atë një kampion të merituar. Mirëpo, fiton Dinamo dhe po kaq jemi të detyruar ta quajmë kampione të merituar. Ndonëse normalisht kampion duhej të ishte Partizani, i cili në të vërtetë kishte golavarazhin më të mirë.

Ai është një kampionat fort i rrallë, me plot 16 skuadra. Një kampionat që aq fort e dëshirojmë ta kemi sot.

Ishte një Dinamo ku forca e një Qemal Vogli sundonte ende mbi gjithçka. As 7-8 gola të pësuar, apo qoftë edhe 9 në gati 30 javë. Dhe merret me mend se në rregullin e përcaktimit të kampiones përmes pjesëtimit të famshëm të sipërpërmendur, roli i Qemal Voglit është më se përcaktues. Pa harruar se në ndonjë ndeshje luajti edhe Beliu. Vetëm 9 gola në 30 javë është një mbirekord!

Në gjithçka tjetër, Dinamo ruajti teknikën eprore të saj, çka u përforcua prej Hysen Verrisë, Stavri Lubonjës apo Dhimitër Gjylit, për aq sa ata luajtën. Po në fund të fundit, teknika e lartë dhe eleganca, shto goditjen e pagabueshme me këmbë, po sa bukur me krye të Skender Jarecit, mbase ishin po aq vendimtarë! Pa harruar futbollin taktik të Zihni Gjinalit po aq elegant edhe ai, që bashkohej me soliditetin e harmoninë e dyshes Xhevdet Shaqiri – Bet Vila, e atje tej dy lojtarët e zakonshëm të krahut, “veteranët” shpërthyes, Skender Begeja dhe Hamdi Bakalli. Taktikisht nuk pati një risi të mirëfilltë. Ishin Dashi – Rreli – B.Boriçi (shpesh dhe Halluni); mandej Shaqiri – Vila (shpesh dhe Verrija e Sheshi); mandej Bakalli – Begeja – Jareci – Gjinali – Lubonja (shpesh edhe Gjyli), të cilët përmbledhin një format të një futbolli të mësuar përmendësh thuajse, vetë harmoninë e një Dinamoje, e cila luante duke pasur ashtu si dhe Partizani me Loro Boriçin, trajnerin-lojtar Zihni Gjinali pjesë të rëndësishme të lojës drejtpërsëdrejti në fushën e blertë.

Kështu pra, padrejtësia e madhe e pjesëtimit të golave dhe jo epërsia e vërtetë, i dha Dinamos një titull fort të diskutueshëm, falë një rregulloreje krejt të papranueshme. Tek është edhe renditja 1950 me theksimin e dy skuadrave të para në kapitale e germa në bold. Dhe plot 9 skuadra që mbajnë emrin “Puna”!…

1111111 (1)

Ky titull i Dinamos 1950 ishte pra, Padrejtësia nr. 4 në historinë e kampionateve të Shqipërisë

5. AJO E VITIT 1956: VLLAZNIA…
Kampionati i mëpasmë, ai i vitit 1956, do të ishte një tjetër “revolucion” në gjithë këtë histori. Për fat të keq, përsëri jo dhe aq për mirë…

Kampionati “ka përjashtuar” Dinamon e Shkodrës (vendi i 4-t në kampionatin 1955), Dinamon e Durrësit (vendi i 6-të), Luftëtarin e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (vendi i 8-të), Kombinatin e Tekstileve “Stalin” (vendi i 11-të), Spartakun e Tiranës (vendi i 14- të) si dhe dy skuadrat e fundit të kampionatit të vitit 1955, ato të vendeve 15 dhe 16, Puna e Elbasanit dhe ajo e Gjirokastrës.

Prej këtyre, dy Dinamot, durrsake dhe shkodrane, si dhe KT “Stalin” dhe Luftëtari i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, nuk ekzistojnë as në kampionatin e Kategorisë së Dytë, çka tregon për shkrirjen befasuese të tyre. Pa asnjë rregull. Por vetëm me një vendim prepotent. Një padrejtësi edhe kjo.

Por padrejtësia e rëndësishme është kjo tjetra. Është ajo që zbret në Kategorinë e Dytë, Vllazninë e Shkodrës, ose Puna e Shkodrës siç quhej asokohe.

Rënia e Punës së Shkodrës, për çudi lidhet me një datë historike: 8 nëntorin e Partisë, por i vitit 1956. Është java e fundit e kampionatit. “Tragjikomedia” e gjitha zhvillohet në fushën e futbollit të Kavajës: Puna e Kavajës – Puna e Shkodrës! Të dyja nga 11 pikë. Po aq sa dhe Lokomotiva e Durrësit, e cila luante në Tiranë me Partizanin, i cili nga ana e tij, e kishte siguruar vendin e dytë dhe nuk mund të lëvizte assesi prej tij. Kështu edhe sikur të humbiste me skuadrën e durrsake. Megjithatë, askush nuk mendonte se Partizani, i cili ishte gjysma e Kombëtares së Shqipërisë, do t’i lejonte vetes të humbiste në Tiranë, më 8 nëntor 1956, në 15-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, ajo që e kishte themeluar dhe që i kishte vënë emrin më të çmueshëm të saj, “Partizani”. Asokohe kësisoj lëshimesh vështirë të mendoheshin.

Por çka ndodh në Kavajë?

Mjaftonte një barazim midis skuadrës së Kavajës dhe asaj të Shkodrës për t’i çuar të dyja në 12 pikë dhe Lokomotiva, e cila “detyrimisht” do të humbiste me Partizanin, do të mbetej me 11 pikë dhe drejt e në Kategorinë e Dytë.

Në Fushën e Vjetër të Kavajës, Puna e Shkodrës shënon në të 7’ me anë të Lutfi Laçjës, por në të 42′ Qemal Gavardari barazon 1-1. Është një rezultat që i qetëson të dyja skuadrat. U tha asokohe se mbas këtij 1-1, Puna e Kavajës dhe Puna e Shkodrës, nuk mëtonin asnjë ndryshim të mëtejshëm rezultati se kaq. Dukej e sigurt: Lokomotiva do të humbiste në “Qemal Stafa” me Partizanin. Mirëpo, kur u mësua se edhe atje po vazhdonte barazim, 0-0, në Kavajë nisin të shfaqen mëdyshjet e emocioneve, sepse kështu të tria skuadrat do të kishin nga 12 pikë secila dhe rebusi i golavarazhit mund të kishte verdikte befasuese! Ndonëse ende dukej një qetësi në gjithë vijën prej 50 kilometrash Kavajë – Tiranë.

Dhe ja ku mbërrin minuta e 73-të e ndeshjes së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Është durrsaku Çeta, i cili lëshon bombën e tij e portieri Maliqati, i cili shtanget! Është 1-0 për Lokomotivën! Në Kavajë, gjuajtja e Çetës në Tiranë ka vlerën e trysnisë së një rakete me telekomandë. Shkodranët tronditen. Kavajasit kërkojnë të ruajnë 1-1, sepse u thonë që me rregullin absurd të pjesëtimit, golavarazhi i tyre mund të jetë më i mirë se i miqve nga Shkodra. Dhe mû këtu lind padrejtësia. Gjithçka qëndron te shifrat 1-1 që nuk ndryshojnë. Po ashtu siç nuk ndryshon fitorja, për herë të parë në histori, 1-0 e skuadrës së Durrësit brenda në Tiranë me Partizanin.

Kishte qenë 8 nëntor 1956. Dita “historike” që përkoi me rënien e madhe të Vllaznisë.

E gjykuar me rregullat e sotme, skuadra e Shkodrës kurrsesi nuk do të kishte rënë për në Kategorinë e Dytë. Vështroni se si janë renditur atë 8 nëntor fatal 1956 në përfundim të kampionatit tri skuadrat e fundit:

222222222 (1)

 

Puna e Beratit me 7 pikë që zë vendin e fundit, të 9-tin, zbret pa asnjë mëdyshje. Problemi është midis Punës së Kavajës dhe asaj të Shkodrës. Siç shihet, të dyja e përfundojnë kampionatin me nga 12 pikë. Me gjykimin e sotëm duhet të zbriste një kategori më poshtë skuadra e Kavajës, sepse golavarazhi i saj ishte më i keq se ai i skuadrës së Shkodrës: Puna e Kavajës – 9 gola, kurse ajo e Shkodrës më mirë, -7 gola. Duhej të kishte rënë Puna e Kavajës. Por më 1956 rregulli ishte tjetër, ai që thoshte se pjesëtoheshin golat e shënuar me ato të pësuar. Dhe ky pjesëtim jepte koeficientin 0.70 për kavajasit dhe 0.63 për shkodranët, pra më ulët. Bie Puna e Shkodrës! Ky ishte rregulli absurd, ai rregull që më 1950 dhe më 1955 i kishte dhënë Dinamos dy tituj të kampionit të Shqipërisë në duel me Partizanin.

Shkodra lë kampionatin kombëtar për herë të parë në histori, ndonëse ishte nga themelueset më të fuqishme të tij më 1930!

Mandej, kur më 30 janar 1957 do të botohej kalendari i kampionatit të ri, përsëri fikson edhe ai një tjetër “mrekulli të rrallë”. Janë: Dinamo, Partizani, Puna e Tiranës, Puna e Vlorës, Puna e Korçës, Lokomotiva e Durrësit, Puna e Kavajës, Spartaku i Tiranës, prej të cilave plot 4 nga kryeqyteti Tiranë! Ishte hera e parë në historinë e kampionateve kombëtare të Shqipërisë që 50 për qind, pra gjysma e skuadrave pjesëmarrëse, ishin të kryeqytetit! Si sot? Sepse edhe sot raporti është për padrejtësi. Në 10 skuadra kemi tri kryeqytetase, që do të thotë jo pak, por 30 për qind. Krejt e papranueshme. Kjo thjesht për shkak të numrit të vogël të skuadrave, vetëm 10. Ende nuk do t’i shtoni?…

Dhe le ta mbyllim Padrejtësinë nr. 5 me renditjen e plotë të kampionatit 1956, duke vendosur me germa në bold duelantët për rënie: Punën e Shkodrës që bie dhe Punën e Kavajës që me të “padrejtë” nuk bie:

333333333 (1)

 

6. AJO E VITIT 1967: 17 NËNTORI…
Ka qenë 24 qershor 1967, ditë kur regjimi, me egërsinë e paparë të tij, me nervozizmin më të shfrenuar, inskenon deri në farsë një ngjarje gati episodike të një ndeshjeje të vetme futbolli. Dhe vetëm e vetëm për të ndalur në vend historinë e një klubi ndër më të ndritshmit e Shqipërisë, i cili për fatin e tij të keq, nuk gëzonte simpatinë e qarqeve sunduese të regjimit të Tiranës.

Ndërkaq, kishte ndodhur që Dinamo të fitojë atë që u njoh si “Kupa e 500-vjetorit të Skënderbeut” dhe ja ku mbërrin edhe kampionati kombëtar i futbollit, i cili kishte gati gjashtë muaj që qe ndërprerë, qysh më 27 nëntor 1966. Kampionati qe ndërprerë në çastin e Javës 11 të tij dhe fitorja e harruar 2-0 e 17 Nëntorit (sot SK Tirana) në Durrës, e linte gjithnjë atë në krye me 2 pikë mbi Dinamon dhe plot 7 mbi Partizanin që ishte i treti. Me 9 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje dhe golat 25-6, 17 Nëntori i të madhit Myslym Alla, mbasi kishte fituar dy kampionatet e viteve 1965 dhe 1966, duke ndërprerë mbas 20 vjetëve sundimin Partizan-Dinamo, ndiente tejet të afërt edhe titullin e katërt të asokohe. Ishin B.Tafaj – Frashëri, Dhales, Kasmi – A.Mema, O.Mema – Xhaçka, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka. Ishte një 11-sh që përfaqësonte një ansambël thuajse të paprekshëm për Shqipërinë. E vërteta ishte se lufta për prishjen e këtij 17 Nëntori, kishte nisur një vit më parë duke arrestuar pa asnjë faj Skënder Halilin e madh – vepër “e shkëlqyeshme” e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Më 21 maj 17 Nëntori korr fitoren e 10-të të tij, kësaj radhe 3-0 në Gjirokastër, dhe as që po i shkonte nëpër mend se rrufeshëm, thuajse brenda dy tri javësh, kryesimi i tij do të fikej si një zjarr mbi të cilën bien të gjitha ujërat e qiellit. Kësisoj, kryesimi i 17 Nëntorit nuk do të zgjaste më fort sesa 30 ditë.

Java 16 e 4 qershorit 1967, ka ndërkohë, ndeshjen e madhe Dinamo – 17 Nëntori. Për fatin e kryesuesve është një 2-2 spektakolar para rreth 20.000 spektatorëve.

Një javë më vonë, 11 qershor, kryesuesja, e cila qysh nga 1946 quhej 17 Nëndori, shkruar jo me “t”, por me “d”, fiton 2-1 me Skënderbeun. Dinamo kundërpërgjigjet me 1-0 në Kavajë. 17 Nëntori nuk merret me artikuj gazetash, që gati gjithnjë e kritikojnë, sepse e ka kuptuar që nuk e duan, por ndihet tejet i sigurt në fitoret radhazi. Shkon e fiton më 14 qershor 2-0 në Shkodër, e Dinamo kundërpërgjigjet me 3-0 në Vlorë. Mbas tri ditëve, 17 qershor, 3-1 në Elbasan me Labinotin, ndërsa Dinamo 2-1 me Skënderbeun në Tiranë. Gjithnjë 2 pikë epërsi. E ndërsa mbeten edhe katër javë kampionat, 17 Nëntori nuk tutet dhe as nuk i shkon nëpër mend për diçka të keqe…

Nuk parashikonte se po mbërrinte kurthi. Ishte lënë të sendërtohej mbas shtatë ditëve, e shtunë 24 qershor 1967. Ky është datimi historik i ngjarjes sonë kur deri pak çaste para fillimit të ndeshjeve, renditja kryesuese ishte kjo:

44444444 (1)

 

Çka do të thoshte se 4 javë para mbarimit, normalisht vetëm dy skuadra mund të luftonin për titull: 17 Nëntori dhe Dinamo. Por askush nuk e mendonte kurthin bizantin të 24 qershorit 1967! Është vetëm dy ditë para se të nisë punimet Kongresi i 5-të i BRPSH. Dhe 17 Nëntori e Partizani që papritmas “njollosin” atmosferën përmes asaj që titullohet si “Një ndeshje në kundërshtim me frymën e sportit tonë popullor”!

Shihni se sa të pamëshirshme janë radhët e shkruara të shtypit:

“Me nxjerrë jashtë stadiumeve tona të gjithë ata që me sjelljet dhe qëndrimet e tyre diskretitojnë futbollin tonë”, siç buçet fjalë për fjalë, shtypi i atëditshëm.

Nuk merret vesh asgjë se çka kishte ndodhur. Një ndeshje disi e ashpër, siç janë ndeshje të këtilla, e për këtë dy lojtarë të përjashtuar dhe vetëm kaq. 17 Nëntori fiton 2-1 me Partizanin, ndërsa në Shkodër 19-vjeçari Sabah Bizi i Vllaznisë e shokët e tij ndalin me një 0-0 më qytetar se kurrnjëherë, Dinamon, mbas një ndeshjeje të pa asnjë kompromis, ndonëse trajner i Vllaznisë është një dinamovit i vjetër i sapoardhur në Shkodrën e tij: Xhevdet Shaqiri! Të duket se qysh nga kjo ditë fatale e qershorit ’67, mbasi do t’i vinin Rragamët, Zhegët e Selami Danët, ai do nisë të ndërtojë Vllazninë e madhe të viteve ’70…

Me këtë barazim 0-0 të Dinamos dhe me fitoren e 17 Nëntorit 2-1 ndaj Partizanit, kampionati ka epërsinë e 3 pikëve të tiranasve. Asgjë nuk mund ta ndalte më 17 Nëntorin e Tiranës.

Po për fat, do ta ndalte kurthi i 24 qershorit 1967.

Papritmas ishte dëgjuar kjo thirrje: “Më goditi lojtarin!”

Është dëgjuar teksa lojtarët e të dyja skuadrave kishin hyrë në nëntribunat, thuajse në gjendje qetësie, prej dikujt nga të Partizanit dhe që ka shkaktuar një zënkë jo dhe aq të ashpër midis Agim Dizdarit të Partizanit dhe Osman Memës së 17 Nëntorit, dhe që ka nxitur një shpupurishje të vogël midis.

Mandej mbërrin furtuna e mbas 72 orëve, më 27 qershor 1967. Gjithçka është në këtë vendim që po e ribotojmë edhe me rastin e kësaj historie kritike tonën të këtij viti 2023:

VENDIM I KRYESISË SË FSHF-së
Kryesia e FSHF-së, në një mbledhje të posaçme analizoi ndeshjen e futbollit Partizani – 17 Nëntori të datës 24 qershor dhe vendosi:
1. Ta konsiderojë këtë ndeshje të pavlefshme për arsye se gjatë lojës pati shfaqje të theksuara antisportive, lojë të rëndë, jo korrekte e aspak shoqërore, krejt në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e sportit tonë popullor nga të dy ekipet.
2.Të dyja skuadrat përjashtohen nga ndeshjet e ardhshme të kampionatit kombëtar për sezonin 1966-1967.

Shtypi nuk e boton renditjen e kampionatit të mbas kësaj ndeshjeje. Na duhet ta bëjmë vetë ne sot. Natyrisht, duke e marrë të pranuar rezultatin 2-1 të fitores së 17 Nëntorit, renditja e treshes kryesuese mbas kësaj Jave 19, pra 3 javë para mbarimit, do të duhej të ishte kjo:

55555555 (1)

Mbas gjithë këtij dënimi krejt të padrejtë, ecuria e tri javëve të fundit nuk është asgjë tjetër përveçse vrapimi i Dinamos për te titulli kampion: 3-0 Labinotit dhe 7-3 Tomorit, duke hyrë në mes fitorja me vendim 3-0 ndaj Partizanit. “Bukur” 5 pikë mbi 17 Nëntorin, i cili “ka humbur” rresht tri ndeshje 3-0 me vendim mbi tryezë me Tomorin, Traktorin dhe Lokomotivën, të tria skuadra që zinin vendet 8, 9, 10, dy prej të cilave në Tiranë, çka po të luheshin, vështirë të bëheshin problematike për skuadrën e fuqishme të Tiranës. Kjo na jep të drejtën të pranojmë sot se titulli duhej të ishte krejt i sigurt i saj.

Kështu është mbërritur te 11 korriku 1967 kur Dinamos i blatohet një titull i madh gazetarie në të gjithë faqen 3 të “Sportit popullor”:

“DINAMO – KAMPIONE PËR SEZONIN 1966-1967”!

Me germa kapitale të mëdha. Megjithatë, në fund të faqes së parë botohet një foto si për të mos u dukur, e kampiones.

Historia e rremë e fundit të atij kampionati do të nxirrte këtë renditje po të rreme të tij, ku po vendosim me germa bold vetëm 17 Nëntorin, humbësen historike për shkak të Padrejtësisë nr. 6 të rrjedhës së shkrimit tonë:

66666666 (1)

Katër humbje të 17 Nëntorit dhe të katërta me rezultate të vendosura mbi tryezën e kancelarisë së Federatës Shqiptare të Futbollit. Ashtu si dhe Partizanit. Çudia më e madhe është se ndeshja Partizani – 17 Nëntori iu jepet të dyja skuadrave humbje 0-3. Çka do të thotë se një ndeshje e vetme jepet në dy përfundime të kaheve të ndryshme, humbje 0-3 për secilën skuadër. Po kush e ka fituar këtë ndeshje 3-0? Askush! Dhe me absurdin një ndeshje – dy rezultate! E meriton të hyjë në çuditë më të bujshme të antiligjit në futbollin botëror.

Jemi në vitin 1967. Kishte “triumfuar” revolucioni shqiptar i izolimit të madh. Askush nuk bëzante. Kjo ishte Shqipëria revolucionare 1967. Kjo ishte edhe Shqipëria e pamëshirshme e 17 Nëntorit 1967!

Një herë tjetër, kam shkruar se nuk është assesi e lehtë t’i kthehet titulli 17 Nëntorit, sidomos për faktin e mosluajtjes së tri ndeshjeve të fundit. Por kam theksuar se përfundimi asisoj i këtij kampionati, ka shkelur krejtësisht edhe rregullat e asokohe ndërkombëtare të futbollit. Ai është krejt i denatyruar prej vërtetësisë së futbollit si sport.

Dhe pyetjet që nuk ndalin:

Si ka mundësi që një ndeshjeje të vetme midis dy skuadrave, t’i sanksionohen dy rezultate si të kishin qenë dy ndeshje, kur në të vërtetë, ajo ishte vetëm një? Si mund të quhet ligjërisht e pranueshme një renditje ku vetëm ndeshjet e tri javëve të fundit me dy skuadrat, 17 Nëntori dhe Partizani, jepen 3-0. Jo, jo! Patjetër që do të duhej që po 3-0 të jepeshin fitore për të gjitha ndeshjet që deri në atë çast skuadrat e tjera kishin zhvilluar ndaj tyre gjatë gjithë kampionatit.

Shikoni tani se cila renditje del duke ua dhënë të gjitha skuadrave 3-0 fitore ndeshjet me 17 Nëntorin e Partizanin:

777777777 (1)

Me përjashtim që Dinamo thellon pikët në të mirë të titullit të saj, gjithsesi krejt të papranueshëm, kjo renditje është vërtet spektakolare. Kështu, Vllaznia do të ngjitej nga vendi i 6-të në të 2-tin, pra nënkampione e Shqipërisë. Labinoti nga vendi 8 në vendin 5. Traktori nga vendi 10 në 7. Lokomotiva nga vendi 9 në 8. Flamurtari nga vendi 11 në 10. Dhe befasia e madhe: 17 Nëntori, që mbetej me vetëm 2 pikë, nga nënkampione zbret në vendin e parafundit, atë të 11-të. Ndërkohë që Partizani me minus 2 pikë, zbret nga vendi i 5-të në atë të fundit, pra në të 12-tin. Çka do të thotë se dy skuadrat e incidentit të vogël, të ngritur në qiell, duhej të zbrisnin në Kategorinë II.

Sepse fitoret në tryezë 3-0 do të duhej të jepeshin për të gjitha skuadrat.

Ky mund të ishte varianti i parë.

Por ka dhe variant tjetër, po ashtu ligjor. Ti i përjashton për tri javët e fundit 17 Nëntorin e Partizanin, por kështu ke manipuluar gjithë vërtetësinë e renditjes. Kur në të vërtetë ndërgjegjja juridike të thotë që nëse i përjashtove njëanshmërisht në tri javë para mbarimit të kampionatit, vetvetiu ato duhen përjashtuar nga krejt kampionati. Çka do të thotë se duhet të bësh renditjen ligjore jo për 12, por për 10 skuadra, pra pa 17 Nëntorin e Partizanin. Dhe Renditja e kampionatit do të ishte kjo tjetra:

888888 (1)

Doemos, duke vënë poshtë kësaj renditjeje, këtë shënim:

“17 Nëntori dhe Partizani përjashtohen nga kampionati për shkak të prishjes së rendit të futbollit në ndeshjen e tyre”.

E pra, a duhet t’i kthehet 17 Nëntorit titulli i mohuar i vitit 1967, i mohuar me të padrejtë? Trajtimi subjektiv të thotë që po. Matematika e asaj çka përimtuan, të thotë jo. Atëherë çka mbetet?

E edhe në këtë rast shkojmë më tej:

Më e drejta do të ishte shuarja e kampionatit, heqja e tij nga historia si një njollë, madje edhe shtetërore, në futbollin shqiptar. Mirëpo, kur mendon se është luajtur futboll 22 javë rresht, edhe kjo nuk shkon. E shihni se çfarë ngatërrese i kanë krijuar historisë së kampionateve të Shqipërisë vendimet kundërligjore të futbollit, në këtë rast për kampionatin e vitit 1967?!

Diçka duhet bërë megjithatë. Dhe nëse kjo duket si e pamundur, atëherë, bëni një ceremoni përkujtuese dhe të paktën i jepni 17 Nëntorit të Tiranës atë që po e quaj “Medalja e Kujtesës” të një titulli që iu hoq me të padrejtë.

Kjo ishte historia e Padrejtësisë nr.

6. KJO E VITIT 2023-‘24:
PADREJTËSIA NR. 7?…

Po të ndodhë, kjo do të jetë Padrejtësia nr. 7, më e freskëta, dhe e para e shekullit XXI për kampionatet e Shqipërisë. Gjithçka lind prej vendimit të fundit të Federatës Shqiptare të Futbollit që thotë se në fund të kampionatit katër skuadrave të para do t’u hiqen të gjitha pikët dhe do të bashkohen në Tiranë për të caktuar titullin me ndeshje të stilit të Kupave, jo të një kampionati. Ndoshta nuk ia vlen të zgjatemi. Dhe shpresoj se kjo nuk do të mund të ndodhë. Nuk do të mund të ndodhë:

Sepse është “denatyrim” i kampionatit. Ndoshta është “shkatërrim” madje, siç kam shkruar fort ditë apo javë më parë. Pata theksuar shembullin e përafërt të kampionatit të Belgjikës, por të paktën ai nuk i zhduku pikët e 34 javëve, por i pjesëtoi për dy, pikët e përfundimit të renditjes së këtyre 34 javëve. Dhe më tej: ai nuk e zhvilloi turneun në një qytet të vetëm dhe vetëm me nga 1 takim, por me shkuarje e ardhje, pra në fushën vendëse dhe atë kundërshtare, sipas modelit të zhvillimit të 34 javëve të rregullta. Dhe si përfundim, pikëve të pjesëtuara u shtoi pikët që skuadrat kishin grumbulluar në 12 ndeshjet me shkuarje e ardhje në “play off”.

Ndërkaq, detyrohem të përsëris edhe këtu se si e përcaktuan komentatorë të huaj edhe këtë formulë të kampionatit të Belgjikës:

“Rregullat absurde të kampionatit belg i heqin titullin fitueses së dy fazave”.

“Formulë e rregullave absurde që godasin meritokracinë”.

“Anulohen sakrificat që një skuadër bën gjatë gjithë sezonit”.

“Humbet titullin skuadra që ka pasur rendimentin më të mirë të kampionatit të përgjithshëm”.

Po Shqipëria? Naive e amatore sa s’ka ku shkon më, teksa do të veprojë me këto tri vendime:
1. T’i zhdukë krejtësisht, pra t’i çojë në zero, pikët e “maratonës” 1-vjeçare të 36 javëve të kampionatit!
2. T’i zhvillojë ndeshjet vetëm me një takim!
3. T’i zhvillojë ndeshjet në një qytet të vetëm, duke favorizuar skuadra që mund të jenë vendëse, duke cenuar kështu vërtetësinë, asnjanësinë dhe ndershmërinë e garës! Pra, duke goditur pa mëshirë edhe vetë atë që në sportin e sotëm i thonë “etikë” apo “fair play”.

Është një nxitim i tanë marramendës. Është vendosur kështu pa menduar gjatë ose pa parashikuar se çka mund të ndodhë në atë epilog. Me siguri një traumë për fituesin në 36 javë apo 10 muaj kampionat. Teksa mund të ndodhë që kjo fituese ta përfundojë kampionatin e 36 javëve të rregullta qoftë dhe me 5 pikë më tepër. Dhe mandej ndoshta një ndeshje e vetme “finale” absurde, siç iu bë ndryshim vendimit, ta rrëzojë atë për tokë dhe t’ia rrëmbejë titullin e siguruar për një vit të tërë gare!

Nuk ia vlen ta zgjatësh më tej. Autori i këtushëm, dhe jo vetëm ai, por mijëra e mijëra futbolldashës të kampionatit kombëtar, shpresojnë se FSHF, si të thuash me dorë në zemër, do të bindet se ia vlen anulimi i këtij vendimi që do të na çonte te Padrejtësia nr. 7, krejt e papranueshme për gjithë historinë e kampionateve të Shqipërisë.

Vërtet e kanë pranuar 10 klubet e Shqipërisë të vitit 2023-‘24 të shekullit XXI, këtë padrejtësi të re? Padrejtësi që na nxiti të kujtojmë e të shpalosim historitë e padrejtësive të vjetra?…

* Ribotimi i shkrimit është i rezervuar.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORI KRITIKE/ Padrejtësitë e mëdha të kampionateve të Shqipërisë (*…Që të mos lindin të tjera)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"