HISTORI KRITIKE/ Padrejtësitë e mëdha të kampionateve të Shqipërisë (*…Që të mos lindin të tjera)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2023 | 21:41

HISTORI KRITIKE/ Padrejtësitë e mëdha të kampionateve të Shqipërisë (*…Që të mos lindin të tjera)

NGA BESNIK DIZDARI
PJESA E PARË
E kam titulluar me germa kapitale për ta veçuar qartë për rëndesën që këto padrejtësi kanë pasur në shtrembërimin e së vërtetës në kampionatet e Shqipërisë. Janë padrejtësitë e mëdha, sepse të voglat mund të jenë të pambarimta. Kështu pra, për herë të parë, po përpiqem t’i përmbledh këtu. Thjesht për të mos harruar mësimet e historisë. Dhe mbi të gjitha për të mos lejuar më padrejtësi të tjera të mëdha në kampionatet e Shqipërisë, ku njëra e një lloji të ri, për fat, sapo ka nisur të shfaqet edhe në këtë vit 2023…

partizani 1946

1. AJO E VITIT 1947: VLLAZNIA…
Është fjala për kampionatin kombëtar të vitit 1947, i cili ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar si kampionati që sanksionoi ndryshimin e madh historik në politikën e zhvillimit të futbollit. Dhe gjithçka lidhet vetëm me një emër: Partizani, ndryshe Skuadra e Ushtrisë Kombëtare apo Popullore, siç do të thirrej.

Dhe mirë apo keq, fenomeni “Partizani”, i shfaqur më 1946, me formimin e tij, nis më 1947 të bëhet sundues i palëkundshëm në kampionatet e Shqipërisë. Fitoret e tij sensacionale, organizmi i tij thuajse modern për kohën, padyshim, përjashto goditjen që i dha futbollit të qyteteve, me ndikimin e tij mbetet një shembull kuptimplotë për fuqizimin e futbollit shqiptar.

Por të qëndrojmë te “padrejtësia” e madhe e këtij kampionati 1947, çka përbën temën e këtij shkrimi, dossier, të një historie kritike.

Dihej, rivali i këtij Partizani ishte kampionia në fuqi Vllaznia e Shkodrës, një skuadër e cila brenda 48 orëve ishte në gjendje të zhvillonte dy ndeshje e të prodhonte 18 gola! “Një rrugë, dy punë, 18 gola”, shkruan “Sporti”. U tha se Vllaznia do të jetë përsëri kampione. Anton Mazrreku është si gjithmonë i figurshëm kur thotë: “Vllaznia e filloi kangën e kampionatit në ‘do maggiore’”.

Ndërkaq, lind ai që sot në imitim të botës tjetër, i themi “derbi i kryeqytetit”. Do të ishte hera e parë e ndeshjes 17 Nëntori – Partizani për kampionatet kombëtare. Merre me mend, te Partizani luajnë jo pak, por plot 6 lojtarë më parë të 17 Nëntorit: Vathi, Demneri, Fagu, Sakiqi, Baçi, Lisi. Dhe Tirana që mund Tiranën. Partizani nuk ka mëshirë: është një 4-2 i bukur i tij, ku përveç dy golave të Gjinalit, janë dhe dy të tjerë të një kampioni të madh të mëparshëm me Vllazninë, Hamdi Bakalli. Me këtë fitore Partizani kishte mënjanuar qysh me goditjen e parë një pretendent. Tani e mbrapa ai do të ketë punë vetëm me Vllazninë, e cila ende do të rezistonte. I kishte dhënë Partizanit deri tani vetëm nja 2 a 3 lojtarë: Hamdi Bakallin, Isuf Pelingun, Lutfi Hoxhën. Dhe mjaft! Më 6 prill, në ndeshjen e shtyrë me ata që tani e mbrapa do të mbiemëroheshin “ushtarakët”, Vllaznia, edhe pse pa Loro Boriçin e Dodë Tahirin, ka forca për të rrëmbyer fitoren. Është një rezultat i ngushtë, vetëm 2-1.

Dhe sensacioni që del jashtë kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Në Tiranë mbërrin me rastin e përvjetorit të fitores mbi fashizmin Partizani i Beogradit në dy ndeshje miqësore, që sot e kësaj dite mbeten brilante në historinë e futbollit shqiptar. Brenda 9 dhe 11 majit kampionia e Jugosllavisë dorëzohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Më parë është Partizani shqiptar që fiton 1-0 kundër Partizanit jugosllav me golin e Parapanit në të 34′, mbas një goditjeje të fortë të tij dhe mbas dy ditëve është përfaqësuesja e Tiranës ajo që shpërthen në një 4-2 spektakolar, ku shënues janë tre “B”-të kapitale të saj: Boriçi (2), Biçaku dhe Barbullushi.

Prej këtu drejt e në kampionat. Do të mbërrihet tek ai përmes një barazimi tejet përcaktues fiks në Shkodër, në fushën që konsiderohej e papushtueshme. Vllaznia luan pa Boriçin, Barbullushin, Fakjen. Dhe gabon rëndë: Vllaznia – Dinamo e Korçës 0-0! Ky do të mbetet barazimi fatal, që për 1 pikë të vetme kishte për t’i humbur kampionatin Vllaznisë!…

Dhe ja tek mbërrin padrejtësia e madhe: Kampionati kalon thuajse në një çorganizim. Ndeshjet nuk ruajnë radhën. Kur mbaron periudha e parë, renditja përcakton tre pretendentë të fortë: Vllazninë me 15 pikë, Dinamon e Korçës dhe Partizanin me nga 13. Java e 10-të ka humbjen e Vllaznisë 2-1 prej Partizanit në Tiranë, me plot diskutime deri aty saqë Vllaznia kërkon edhe përsëritjen e ndeshjes. Nuk ngjet një gjë e tillë.

Nuk ishte kjo padrejtësia, megjithatë. Ajo do të shfaqej në një rrjedhë ecurie që thoshte se, ndërkohë që Vllaznia luan rregullisht çdo javë, asaj i kundërvihet padrejtësia e madhe.

Partizanit i shtyhen ndeshjet e tij deri sa do të mbërrijmë te rasti unikal, madje i pangjashëm në gjithë historinë e futbollit të Europës, që fiksohet më 27 gusht 1947. Janë në krye Vllaznia me 26 pikë, Dinamo e Korçës me 24 pikë dhe Partizani me 17 pikë. Kjo do të thotë se Partizani ndodhet plot 9 pikë mbrapa Vllaznisë!

Jemi një javë para mbarimit të kampionatit dhe të duket sikur titulli ka të bëjë vetëm me Vllazninë e Dinamon e Korçës. Nuk është kështu. Vllaznia dhe Dinamo kanë vetëm edhe nga 1 ndeshje për të zhvilluar, ndërsa Partizani plot 6! Kjo situatë është ajo që përbën themelin e padrejtësisë së madhe. Tashmë kampionati ka humbur pikërisht vërtetësinë, natyrshmërinë, madje dhe rregullin e tij. Ndeshjet e pafat të Kombëtares natyrisht janë tejet ndërhyrëse edhe në pasojat e kampionatit. Sidoqoftë, nuk kuptohet përse Partizani nuk luan rregullisht kur në 11-shen e Kombëtares ai ka vetëm dy lojtarë, Fagun dhe Sakiqin?!

Kështu, konfuzioni që shkon në të mirë të një skuadre të vetme, Partizanit, i cili mbasi ka parë dy rivalët të mbarojnë punë, në koshiencë e subkoshiencë, i duket se ata nuk ekzistojnë më. Pa u marrë aspak me to, duke mbajtur ndër duar renditjen e tyre të përfunduar, ai nis sulmin e pandalshëm të 6 ndeshjeve të tij të prapambetura. Ai arrin të parashikojë gjithçka hap mbas hapi në ndeshjet e tij radhazi me skuadrat e tjera. Datat e ndeshjeve të tij janë të pashembullta në spontanitetin e tyre në ditë futbollistike kur luan vetëm ky Partizan i sapolindur. Për shembull, java e 12-të luhet me 15 qershor, e Partizani e bën ndeshjen e tij më 31 gusht; java e 14-të luhet për të gjithë më 6 korrik, Partizani e luan të tijën më 7 shtator; java e 16-të zhvillohet më 20 korrik, ndërsa Partizani e zhvillon ndeshjen e tij për këtë javë vetëm më 16 shtator; java e 17-të zhvillohet më 27 korrik dhe Partizani luan më 28 shtator!

Dhe fluturon drejt titullit të tij të parë në pjesëmarrjen e tij të parë!

Vrapimi i Partizanit drejt titullit është galopant: 8-0 17 Nëntorit, 3-1 Dinamos së Korçës, 3-0 Bashkimit të Elbasanit, 7-2 Yllit të Kuq të Durrësit, 3-0 Flamurtarit në Vlorë dhe 2-0 për mosparaqitje e Shqiponjës së Gjirokastrës.

Kjo ishte seria e ndeshjeve që i japin atij titullin e kampionit. Dhe të gjitha këto ndeshje Partizani i zhvillon mbasi dy kundërshtarët e tij, skuadra e Shkodrës dhe e Korçës, kishin mbaruar punë prej gati një muaji dhe ishin thjesht spektatorë, të cilët shihnin se si dikush tjetër, jashtë kompetencës së tyre, po ua rrëmbente këtë titull nga duart pa qenë në gjendje për të bërë ata qoftë dhe një reagim të vetëm.

Ironia e fatit ishte se Vllaznia e Dinamo e Korçës ndeshjen e tyre të fundit e kishin luajtur më 3 gusht, në Korçë, një 1-1 platonik, ndërkohë që shkodranët mbas një jave (10 gusht) pasi fitonin 4-1 me Bashkimin e Elbasanit mbyllnin kapakun e një libri që për ta do të mbetet përgjithnjë i pakuptueshëm. Që nga kjo ditë nuk kishte për të luajtur më asnjë ndeshje, ndërsa Partizani kishte edhe 6 të tjera!

Tri të parat e kampionatit do të renditeshin kështu: Partizani 29 pikë, Vllaznia 28, Dinamo e Korçës 24.

Partizani ka fituar titullin ndaj Vllaznisë vetëm për thuajse asgjë, 1 pikë “e vogël”, e cila nuk duket se ku dhe si është fituar prej tij në atë kampionat, ku po aq sa është ndierë kampion Partizani, po aq është ndierë dhe Vllaznia. E cila ndërsa Partizani i vetëm luante 6 ndeshjet e tij, Vllaznia ishte shndërruar në një spektatore fatkeqe, pra. Kjo ishte padrejtësia e madhe, që kishte dhuruar qetësinë e Partizanit, me llogari në 6 javët “trimërore” të tij.

Sigurisht, nuk guxoj ta krahasoj këtë rast me mosluajtjen ende të ndeshjes së javës së parë të kampionatit të sotëm, atë Partizani – Teuta (26 gusht 2023), që për 12 javë nuk u gjet një ditë për t’u luajtur! Çka ka artificializuar jo pak kryesimin në renditjen e këtij kampionati 2023-‘24.

Renditja e kampionatit 1947, ishte kjo:

bandicam 2023-11-04 20-40-46-097

Ky titull i Partizanit 1947 është padrejtësia numër 1 në historinë e kampionateve të Shqipërisë!…

2. AJO E VITIT 1948-‘49: PARTIZANI…
Dhe vijmë te padrejtësia numër 2. Tashmë ajo do të ishte e pamëshirshme pikërisht ndaj përfituesit të kampionatit të vitit 1947, Partizanit të Ushtrisë Kombëtare apo Popullore. Ajo është një nga ngjarjet më të bujshme, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Europën e futbollit.

Dhe? “Partizani – kampion i vjeshtës 1948-‘49!”.

Kështu e kam përcaktuar në librat e mi. Thuhet se kurrë historia nuk mund të zhduket. Mirëpo ja që ndodh që historia zhduket. Është zhdukur kampionati i parë shqiptar i stilit europiano-perëndimor, ai i vjeshtë-pranverës 1948-‘49. Ndonëse ai kampionat ka qenë kombëtar, sepse janë zhvilluar ndeshje të rregullta, zyrtare, sipas rregullores ndërkombëtare të FIFA-s. Ka fituar Partizani periudhën e parë të tij, duke u bërë kampioni i parë i vjeshtës në kampionatet kombëtare të Shqipërisë. E ka shuar Partia.

Kampionatin kombëtar i futbollit 1948-‘49 nuk e vëmë dot në vend. Ndonëse kurrë nuk është vonë, megjithatë kurrë nuk është vonë për të ndërmarrë veprime edhe mbas shumë vjetëve për hir të historisë. Klubi Partizani ruan të drejtën, si të thuash, vetjake, për të kërkuar një medaljon apo medalje për t’ua dhënë bijve të atyre futbollistëve. Janë kampionë të vjeshtës 1948-‘49, të atij kampionati kombëtar që edhe pse mbërriti vetëm deri në gjysmë të rrugës së tij, i tregoi Shqipërisë se edhe ajo duhej t’i përngjante sadopak Europës Perëndimore…

Ka qenë 17 mars 1949, kur njoftohet po me bujë se do të mbahet Plenumi VI i Federatës Sportive Shqiptare (FSSH), që pa mëshirë jep edhe këto vendime famëkeqe:

“1. Dënojmë të gjitha vendimet dhe tërë punën e Plenumit V të FSSH dhe konsiderojmë të paqenë ekzistencën e këshillit e të kryesisë së kooptuar në atë Plenum.

2. Plenumi vendos shkrirjen e FSSH-së si organizatë si në qendër e në bazë, së bashku me të gjitha kompetencat e saj.

3. Organi Qendror, gazeta “Sporti” të pushojë së ekzistuari.

4. Shoqëritë bazë dhe sportklubet të pushojnë së ekzistuari mbas 31 majit të këtij viti”.

Mbërrijmë kështu te justifikimi përmes deklaratës zyrtare të Plenumit VI të FSSH:

“Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar në sektorin tonë të meta të mëdha parimore, të cilat e kanë burimin te ndërhyrja e poshtër dhe antimarksiste e trockistëve jugosllavë dhe të veglave të tyre të vendit tone, Koçi Xoxe e Pandi Kristo”.

Dhe vendimi që shuan kampionatin 1948- ‘49 dhe vendos kampionatin e ri, atë të vitit 1949 dhe i cili për çudi do të fillojë së parit më 27 mars 1949. Kjo mbasi ishte shuar çdo gjurmë e atij 1948-‘49: ndeshje, data, rezultate, renditje.

Duke harruar gjithçka brenda vetëm pak muajve. Ndonëse shtypi ka ndërkaq guximin të pohojë: “Ky kampionat zhvillohet për të parën herë në vendin tonë me një pjesëmarrje kaq të gjerë… Ky kampionat ka një rëndësi të madhe për nga zgjerimi i tij”.

3 tetori 1948 është java e parë e këtij kampionati – premierë. Partizani triumfon 3-0 ndaj Durrësit, Shkodra me vështirësi 1- 0 ndaj Kavajës, Tirana shpërthen 3-0 në Vlorë dhe Korça nuk përmbahet me Elbasanin, 6-1!

Pa e zgjatur, shkojmë tek ajo që e kam quajtur data fatale e 21 nëntorit 1948. Kjo mban mbi vete çastin kur, krejt papritmas, mbërrin ajo që do të mbetet në histori si java e ndërprerjes drastike. Ngjarjet e fushës së blertë kërkojnë të rezistojnë, megjithatë është fitorja 4-0 e Partizanit ndaj skuadrës së Vlorës. Ndërkohë që Durrësi i Skënder Jarecit, Raq Manushit e Qemal Voglit papritmas mposht Tiranën e fortë. Ajo që dikur ishte quajtur Teuta po rritej nga java në javë. Shënojnë Manushi e Goshi dhe vetëm në të 872 shkurton Demneri. Në Elbasan baraspesha vë vulën: 2-2. Me kavajasit shfaqet në fushën e lojës Bet Vila, madje me një gol që e mban deri në të 652 skuadrën e Kavajës në epërsi. Këtu do të marrë fund historia e këtij kampionati.

Vjen pushimi për të filluar periudha (faza) e dytë andej nga marsi i 1949. Kështu veprohet edhe me Kategorinë e Dytë, ku gjithashtu kryeson po Partizani, ai që emërtohej “Partizani II”!

Partizani 1948-1949 ishte pa dyshim skuadra me pikat më të forta, e cila për atë që propagandohej me të madhe në Shqipëri, “përvetësimin e sistemit WM”, ai kishte elementët më të përshtatshëm për ta interpretuar atë. Dibra dhe Fagu në mbrojtje, Llambi në një lloj mesfushori mbrojtës të sotëm, Parapani, Gjinali, Biçaku e Bakalli në sulm ishin një bashkim monolit, bazamenti i vetë Kombëtares së fortë të Shqipërisë 1948. Kishim të bënim me një Partizan tejet të fuqishëm, i cili nuk mund të mposhtej. Ai përbënte një 11-she të sapokonsoliduar të një kombinimi të përsosur Shkodër – Tiranë. Çudia ishte se ai nuk kishte një trajner mirëfilli të pankinës. Kishte një trajner-lojtar, si të një miniature angleze: trajnerin-lojtar Sllave Llambi, i cili kishte mbërritur deri në Serinë B të Italisë së Paraluftës, çka ai nuk guxonte ta përmendte dhe as t’ia përmendnin!

Shqipëria kishte bërë një hap modern përpara me këtë kampionat. Ndërkohë, pritej periudha (faza) e dytë e tij. Njoftohet se ai do të rifillonte në muajin mars të vitit 1949. Fillim pranvere. Diell, ajër i pastër. Po për fat të keq ajo do të ishte një pranverë e hidhur. Do të inskenohej drama e shpejtë, e pamëshirshme, befasuese, pikërisht zhdukja e këtij kampionati…

Kampionati 1948-1949 do të merrte fund që më 11 dhjetor 1948, kur flitet për herë të fundit për të. Duke na lënë këtë renditje të bujshme (në germa kapitale e “bold” dy rivalet) e të zhdukur që me plot të drejtë nxirrte Partizanin kampion të vjeshtës 1948-‘49:

bandicam 2023-11-04 21-00-51-109

Sot, mbas 75 vjetëve, më e pakta që duhet bërë është një ceremoni pra, ku FSHF-ja t’i dorëzojë Partizanit medalje, qoftë dhe përkujtimore të atij titulli 1947-‘48. Nuk është një film “ficton”. Është një histori reale.

Në të vërtetë, ky mostitull i Partizani 1948- ‘49 është padrejtësia numër 2 në historinë e kampionateve të Shqipërisë!…

3. AJO E VITIT 1950: PARTIZANI…
Dhe përsëri, pa kaluar tri vjet të tjera padrejtësia bie po mbi Partizanin. Është kampionati i vitit 1950, vit kur po Dinamo u shpall kampione edhe pse me golavarazh më të keq se Partizani. E kishin mbyllur me nga 29 pikë secili, por edhe pse golavarazhi i Partizanit ishte me 12 gola më mirë kampione shpallet Dinamo! Dhe kjo thjesht për rregullin absurd të asaj kohe: golavarazhi më i mirë konsiderohej pjesëtimi i golave të shënuar me ata të pësuar. Ky pjesëtim nxirrte koeficient më të lartë për Dinamon: 8.2, përballë të atij më të ulët të Partizanit që dilte 6.4!

Viti 1950 ka qenë nisja e dhjetëvjetëshit të parë të dyshes sonë që u bë legjendë, ajo Partizan-Dinamo. I kam bashkuar në një. Jo thjesht ngaqë ishin vetëm ato të dyja, por sepse sundimi i tyre i përbashkët në këta 10 kampionate, ka një përngjasim të rrallë. Madje jo vetëm për shkak të fitimit thuajse të barabartë të titujve (6 Dinamo e 4 Partizani), por mbi të gjitha, në ndërtimin e tyre të përafërt, të një qëllimshëm në strategji e politikë, në etje të pandalshme për fitore e sundim, në marrjen përsipër prej vetëm të këtyre dy klubeve të krejt peshës së futbollit shqiptar.

Për herë të parë Shqipëria ia arriti të organizojë dy klube të fuqishme futbolli sipas modelit sovjetik, kjo dihet, të cilët luajtën një rol tejet të rëndësishëm në ecurinë e sportit më kombëtar në Shqipëri. Ka qenë një rol i shumëfishtë. Ai ka rritur futbollin, ka lokalizuar mjeshtërinë e tij të lartë vetëm në dy klube dikasterialë, ka shkatërruar gjithë klubet e tjerë të Shqipërisë, ka bashkuar në një futbollistë të mrekullueshëm, ka treguar shembullin e një gjysmëprofesionalizmi, çka deri atëherë nuk ishte parë në Shqipëri, ka fuqizuar deri në absurd një duel të vetëm futbolli, këtë Partizani-Dinamo, ka ligjëruar rrëmbimin e futbollistëve anë e kënd vendit me forcën e pushtetit, ka krijuar dy skuadra vërtet të hijshme, të cilat ndikuan fort në qëndrueshmërinë e futbollit shqiptar, ka bërë shpesh edhe gjuetinë e shtrigave në futboll, ka përgatitur më mirë se asnjëherë tjetër futbollistë në një masë më të shumtë se deri atëherë dhe duke vënë për herë të parë bazat e një stërvitjeje të disiplinuar, deri diku edhe shkencore, duke ia arritur shpesh edhe në një dinjitet ndërkombëtar befasues.

Është ky vit 1950, kur papritmas lajmi më i bujshëm sportiv i përket themelimit të një klubi të ri. Quhej Dinamo dhe do të përfaqësonte Ministrinë e Punëve të Brendshme. Është 2 mars 1950. Çudia më e madhe është se Dinamo kishte dalë në fushën e lojës para këtij themelimi. Ndërkaq, më 26 shkurt 1950, kampionati i 13-të kombëtar jep startin e tij dhe kjo Dinamo fiton 2-0 në Elbasan me gola të Qamil Telitit dhe Zihni Gjinalit, të cilët vetëm pak ditë më parë kishin qenë lojtarë të Kavajës e të Partizanit!

Në telegramin dërguar Enver Hoxhës, Këshilli i Gjerë i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Republikës përfundon me “Të rroni sa malet shoku komandant dhe marrshi nga ditët tona”. Ndërsa ai i dërguar Komitetit epror të k.f. sp. pranë Këshillit të Ministrave të BRSS, siç shkruhet po fjalë për fjalë, përfundon me një thirrje edhe më euforike: “Rroftë sa malet Bashkimi Sovjetik dhe i madhi Stalin, kampionë të pamposhtur të paqes, lirisë dhe demokracisë në botë!”

Mbërrin kampionati. Në javën e parë kemi 10-0 të Shkodrës në Pogradec dhe 8-1 të Partizanit me Fierin. Në Javën 2 shpërthen Tirana 9-2 ndaj Pogradecit, Partizani 8-1 në Korçë, Vllaznia 4-1 ndaj Elbasanit me 3 gola të Xhelal Jukës ku spikat 17-vjeçari Simon Deda. Shpërthen Dinamo: 11-0 Pogradecit! Nga ana e saj, Shkodra 6-0 në Fier, e Partizani 3-1 Kavajës. Ravijëzohet renditja: Dinamo, Shkodra dhe Partizani kryesojnë me nga 6 pikë dhe golavarazhi i tyre për tri ndeshje është sa gjysma e një kampionati sot: 16-0, 20-1, 19-3!

Më 9 prill 1950, java e shtatë, megjithatë ndodh një çudi, një befasi e madhe. Ndërsa Partizani shkatërron Vlorën në një 7-1 të papërmbajtshëm përmes një kaskade golash që nis në të 7′ dhe mbyllet në të 84′ (Biçaku 7′, 9′, 75′, Boriçi 18′, Karanxha dy gola dhe e mbyll Sakiqi në të 84′ e ku goli i Pallës me 11-metërsh në të 80′, vetëm sa ruan “nderin” e vlonjatëve) dhe po ashtu Shkodra Durrësin 5-0, papritmas sfidon Kavaja.

Është Kavaja – Dinamo 3-2! Sulmin kavajas e nis qendërsulmuesi Sadik Merhori që realizon qysh në të 10′ mbas një valleje tri-katër pasimëshe. Është dita e tij e madhe. Kavaja nuk përmbahet, teksa shkon në 2-0 shpejt e shpejt dhe në të 31′ shfaqet përsëri Sadik Merhori me interpretimin e tij të pagabueshëm. Te Dinamo luan një kavajas i madh, Qamil Teliti, i cili njeh çdo pëllëmbë të Fushës së Vjetër të qytetit të tij, ajo fushë historike e Kavajës, ku sot kullosin bagëtitë! Është pra minuta e 31-të dhe Teliti bombardon shtyllën e Maliqatit të ri, topi rikthehet dhe kundërsulmon Kavaja e “vendësit zbresin rrufe dhe Sadik Merhori, për të tretën herë, kësaj here me goditje me thembër, tund rrjetën e Voglit gjer më sot të paprekur”, siç thotë kronika e kohës. Është 3-0 për Kavajën! Dinamo, e cila në 6 javë të plota nuk kishte pësuar asnjë gol përurohet kështu në Kavajë me 3 gola, që shkatërrojnë ëndrrën e Qemal Voglit për të mbetur gjatë i paprekur. Dorëzohet kësisoj prej golave të bashkëqytetarit të tij Sadik Merhori, mbas plot 550 minutash lojë. Dinamo ndërkaq ndien turpin e katastrofës dhe i duhet Pal Mirashit e Bahri Kavajës të shpikin golat e tyre në të 39′ e 40′ për t’u fiksuar fitorja e bujshme 3-2 e Kavajës që 50 minuta para mbarimit. Protagonisti është Sadik Merhori, i paharrueshëm, Dik Merhori, siç e thërrisnin, i cili do të bëhej shumë mik edhe me autorin e këtij shkrimi të sotëm, sidomos në vitet e gazetarisë së “Bashkimit”…

Kampionati merr kryesimin e Partizanit, por gëzimi i tij edhe pse arrin 10-0 në Pogradec, është i parakohshëm. Dinamo vështirë të gabojë më mbas. Është Partizani – Dinamo 0-1 e 14 majit 1950 (shënon në të 22′ Bahri Kavaja). Ishte pikërisht një finale e parakohshme në duelin për titullin. 15.000 shikues midis flamujve të Bashkimit Sovjetik, Shqipërisë dhe shoqërive Dinamo dhe Partizani, siç thuhet, mbështjellin një mjedis që priste futboll të vërtetë. Ana e djathtë e Tribunës qendrore ka tifozët e Dinamos, ana e majtë ata të Partizanit. Qysh në ndeshjen e parë këta dy gjigantë të rinj të futbollit të Shqipërisë, po i ndanin punët mirë.

Pesë lojtar të Shkodrës dhe plot 9 të Tiranës përbënin esencën e këtij dueti që po ndërtohej si fillim mbi bazën e dy klubeve më kryesorë të vendit. Brenda 22-shes ndodhet e gjithë Kombëtarja e kohës për Shqipërinë: Bonati, Llambi, Sakiqi, Parapani, L.Boriçi, V.Biçaku, Vogli, Shaqiri, Peqini, Vathi, Teliti, Gjinali, Jareci, Kavaja, Mirashi…

Dinamo fiton premierën dhe tashmë vihet në krye falë “misterit” të golavarazhit:

Renditja e për tri skuadrat e para të pjesës së parë e Kampionatit 1950, ishte kjo:

bandicam 2023-11-04 21-06-37-805

Mandej do të shkojmë te 10 korrik 1950. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” dhe Dinamo – Partizani 2-2. Të dy skuadrat përfundojnë me nga 29 pikë secila. Golavarazhi i Dinamos ishte 60-6, ndërsa ai i Partizanit 77- 6, pra 13 gola më pozitiv se sa ai i Dinamos! Logjikisht kampioni duhej të ishte Partizani, por është Dinamo! Arsyeja? “Sporti Popullor” shkruan fjalë për fjalë se “u shpall kampione skuadra e Dinamos në sajë të golavarazhit më të mirë (60-6), golavarazhi i Partizanit (77- 10)”. Kjo thjesht ngaqë golavarazhi më i mirë quhet ai që në pjesëtimin e golave të shënuar me ato të pësuar jep një shifër më të lartë. Në këtë rast për Dinamo, 60 pjesëtuar për 6, del koeficienti i të lartë 10; ndërsa për Partizanin, 77 pjesëtuar për 10, del më ulët: 7.7!

E pafalshme!

E megjithatë, skuadra Dinamo e vitit 1950 është ndër më të bukurat në historinë tonë. 14 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje ashtu si dhe nënkampioni Partizani, 60 gola të shënuar përballë vetëm 6 të pësuar janë shifra që gjithashtu për nga përmbajtja e tyre përfaqësojnë edhe në këtë rast një eveniment statistikor europian. E themeluar si një kombinim i disa klubeve të vitit 1949, Shkodra, Tirana, Durrësi, Kavaja dhe Partizani, Dinamo me trajner Ludovik Jakovën, origjinar i hershëm i Sportklub Tiranës, është një 11- ësh gati spektakolar për kohën.

Ndonëse kishte fituar titullin mbi një padrejtësi rregulloreje krejt të papranueshme. Tek është edhe renditja 1950 me theksimin për çudinë historike të dy skuadrave të para në kapitale e germa në “bold”, ndërsa klubet e tjerë mbajnë vetëm emrat e qyteteve të tyre:

bandicam 2023-11-04 21-09-03-933

Ky titull i Dinamos 1950 ishte padrejtësia numër 3 në historinë e kampionateve të Shqipërisë!…

(Vijon në numra të mëpasshëm)

* Ribotimi i shkrimit është i rezervuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"